Vrojtimi i fundit i Bankës së Shqipërisë tregon se besimi në ekonomi për muajin tetor u rrit me 1.9%, i ndikuar kryesisht nga rritja e besimit në sektorin e tregtisë, industrisë dhe ndërtimit. Ndërsa në rënie për tetorin që lamë pas janë sektori i shërbimeve ku bën pjesë edhe turizmi si dhe besimi i konsumatorëve.
Referuar vrojtimit rritjen më të madhe të optimizmit e ka pasur sektori i tregtisë me 7%, për shkak të vlerësimeve më të mira për ecurinë e biznesit aktual, ashtu edhe nga pritjet për nivelin e punësimit në të ardhmen. Pritjet për çmimet në të ardhmen u vlerësuan në rritje nga bizneset e këtij sektori.
Më pas është sektori i industrisë me 6% rritje. Ndikimin kryesor në këtë pritshmëri pozitive e ka dhënë shtimi i kontratave për porosi. Sipas vrojtimit bizneset eksportuese raportojnë më shumë porosi, njëkohësisht është rritur edhe prodhimi industrial aktual. Për të njëjtat arsye është përmirësuar edhe besimi në sektorin e ndërtimit me +2.4%, ndërsa çmimet janë vlerësuar në rënie për muajit e ardhshëm.
Kurse sektori i shërbimeve, pas optimizmit të shtatorit, i është rikthyer rënies në muajin tetor.
“Treguesi i besimit në shërbime shënoi rënie me 2 pikë përqindje në muajin tetor”, thuhet në vrojtimin e bankës qendrore, si pasojë e ulës së aktivitetit dhe reduktimit të kërkesës, që lidhet ngadalësimin e vrullit turistik. Po ashtu ky sektor thotë se edhe çmimet për shërbimet janë në rënie.
Nga ana tjetër qytetarët kanë ulur besimin me 1 pikë përqindje, pasi kanë vlerësuar me rënie si situatën ekonomike të vendit, ashtu edhe gjendjen e tyre financiare në të ardhmen. Vlerësimi i tyre për blerjet në shuma të mëdha, aktuale dhe në të ardhmen, gjithashtu ranë në muajin tetor, dhe presin rritje të çmimeve.
Komente











