Humbja e jetës në plazhe po merr përmasa të frikshme në vendin tonë.

Dy pushues, në Ksamil dhe Durrës raportohen nga policia se kanë humbur jetën brenda një harku kohor prej 24 orësh.

Një pushues polak në Ksamil dyshohet se ka pësuar arrest kardiak si shkak i temperaturave të larta, ndërsa në Durrës një 52 vjeçar nga Tirana ka pësuar goditje në zemër sapo ka rënë në kontakt me ujin.

Turisti polak, që ndodhej ndodhej me pushime në brigjet e Ksamilit ka pasur probleme të mëparshme shëndetësore.

Ditën e djeshme 66-vjeçari me inicialet F.S është shoqëruar nga familjarët në qendrën shëndetësore, prej aty drejt spitalit Rajonal të Sarandës.

Sipas policisë, edhe pse atij i është dhënë ndihma e parë nuk ka qenë e mundur të mbahej në jetë.

Ndërkaq, po ditën e djeshme, viktima e radhës raportohet në Durrës. Rreth orës 14:25, shtetasi me inicialet F.Ç., 52 vjeç, banues në Tiranë, i cili vuante nga zemra.

Sapo është futur në det, i ka rënë të fikët dhe në orën 15:00, ndërroi jetë në spital.

Sipas familjarëve, viktima fillimisht ka shfaqur probleme si pasojë e temperaturave të larta dhe sapo është futur në det për t'u freksuar ai ka rënë pa ndjenja.

Mbytet 13-vjeçari  nga Kosova në Velipojë, plazhi s'kishte roje

Vetëm tre ditë më parë një fëmijë 13 vjeçar në Velipojë ka ndërruar jetë në të njëjtat rrethana, ndërsa më herët viktima janë shënuar edhe si pasojë e mbytjes.

13-vjeçari është pushuesi i dytë nga Kosova që humb jetën në Velipojë.

Ai dyshohet se pas kontaktit me ujit e ftohtë ka pësuar infarkt dhe në kabinën e rojes së plazhit nuk ka qënë askush për t'i ardhur në ndihmë.

Vëzhgimi i Report Tv, plazhet pa roje

Kritika të vazhdueshme ka pasur sa i përket sigurisë në bregdet qoftë për rojet bregdetare ashtu edhe për shpejtësinë e dhënies së ndihmës së parë.

Vetëm para pak ditësh Report TV realizoi një investigim në plazhet shqiptare ku u vu re mungesa e reojeve bregdetare të cilët duhet të jenë aty për t’u ardhur në ndihmë të gjithë pushuesve.

Gjatë vëzhgimit u vu re se në Velipojë, Shëngjin, Durrës, Fier dhe në Vlorë nuk ka asnjë roje që do të mund të shpëtonte pushuesit në çdo moment.

Bilanci i viktimave në plazhe rritet, institucionet mjaftohen me trajnim pushuesish
Në një kohë që numri i viktimave në plazhet shqiptare ka prekur shifra alarmante, siguria vijon të jetë inekzistente.

Pas denoncimit të disa ditëve me radhë që Report Tv i bëri kësaj problematike, nisën edhe disa reagime për marrjen e masave, por sërisht ato ishin sporadike dhe të papërfillshme përball kësaj emergjence.

Por më ironike është fakti se prej disa ditësh nga ana e Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Turizmit, ka nisur një fushatë këshillimi dhe trajnimi të pushuesve si të japin ndihmën e parë.

Ndalesa e radhës e këtij projekti ishte në plazhin e Sarandës, në po të njëjtën ditë kur disa metra më larg një turist polak nuk u arrit të shpëtoj edhe për marrjen me vonesë të ndihmës së parë.

Trajnimi i pushuesve është gjithsesi një iniciativë e mirë për ndihmën e parë, por kurrësei ajo s’mund të jetë baza për ti paraprirë ngjarjeve të rënda që kanë shoqëruar këtë sezon turistik në Shqipëri.

Kreu i agjencisë kombëtare të turizmit Ardit Çollaku, u shpreh për mediat se sensibilizimi do të vijojnë në plazhe të ndryshme duke shpërndare për pushuesit 10 rregullat e Arta mbi sigurinë.

“Është një tabelë që bashkia e Sarandës e ka të publikuar në plazhin përkatës, por edhe subjektet private duhet ta kenë e ta vendosin për pushuesit”,  tha Çollaku.

E për t’i konkretizuar, roja bregdetare Ndriçim Rako ndau me të pranishmit eksperiencën e tij.

“Është një rast për tu përgëzuar që jo vetëm ne si roje bregdetare por të gjithë  të marrim vesh diçka sadopak”, tha Rako.

Përpos këtyre projekteve sensibilizuese, alarmant është fakti që sërish në shumicën e plazheve shqiptare vijon siguria të jetë zero, dhe më shqetësues është fakti që si autoritetet lokale ashtu edhe ato qendrore nuk kanë reaguar edhe pse numri i viktimave vijon të jetë në rritje.


Redaksia Online
e.m/Shqiptarja.com