Në Davos flitet për fatet e Groenlandës dhe të botës, por Donald Trump, në fjalimin e tij të gjatë, gjeti kohë të komentojë edhe pamjen e re të Emmanuel Macronit.
«E dëgjova duke folur dje me syzet e tij të bukura të diellit. Çfarë ka ndodhur? E pashë duke u shtirur si i fortë».
Syzet që Macron mban prej një jave për shkak të një hemorragjie nënkonjuktivale (një çrregullim jo i rëndë) kanë tërhequr shumë vëmendje, për gëzimin e sipërmarrësit italian Stefano Fulchir, pronar i kompanisë iVision Tech (që tani po rritet në Bursë), e cila në vitin 2023 bleu kompaninë franceze Henry Jullien, prodhuese në Lons-le-Saunier (Jura) të modelit Pacific S01 me çmim 659 euro.
«Mesatarisht prodhojmë rreth njëqind modele Pacific në vit, por me këtë publicitet ekziston rreziku që të na duhet të prodhojmë një mijë, sepse tashmë të gjithë duan të blejnë të njëjtat syze», ka deklaruar Fulchir për radion RTL.
«U emocionuam kur pamë këtë përdorim, edhe sepse presidenti Macron, që në vitin 2024, kishte bërë një porosi për një dhuratë që do t’ia bënte një ministri dhe më pas deshi të merrte edhe një palë për vete. Presidentit i interesonte që syzet të ishin tërësisht të punuara me dorë në Francë dhe nuk pranoi t’ia ofronim falas: deshi t’i blinte vetë».
Pra, nuk bëhet fjalë – siç mendonin shumëkush – për Ray-Ban Aviator të veshura nga Tom Cruise në Top Gun. Shtëpia Henry Jullien, natyrisht, ka postuar në Instagram një foto të Macronit në Davos me syzet, duke shkruar se «modeli Pacific S01 vjen nga koleksioni prestigjioz Doublè Or. Korniza metalike me ngjyrë argjendi kombinohet në mënyrë perfekte me lentet blu, duke krijuar një ekuilibër ideal mes modernitetit dhe finesës».
Një javë më parë, Macron ka bërë shaka me problemin e syrit, duke thënë se do të zgjasë për pak kohë dhe se «syri i tigrit», si në filmin Rocky, është shenjë e vendosmërisë së Francës.
Komente











