Pjesën më të madhe të veprave penale e zënë “Krimet kundër pasurisë dhe në sferën ekonomike” me 40,3%, “Krimet kundër autoritetit të shtetit” me 38,3%, dhe “Krimet kundër personit” me 19,0%. Në vlerë absolute, numri i veprave të evidentuara në grupin penal “Krimet kundër pasurisë dhe në sferën ekonomike” në tremujorin e tretë arriti në gati 4 mijë, me një rritje prej 47% në krahasim me tremujorin e tretë 2016, ku rritjen më të fortë e kanë ndërtimet e paligjshme dhe ato të fushën e tatimeve dhe taksave.
Tabelat e INSTAT tregojnë se në vlerë absolute rritjen më të lartë e kanë ndërtimet e paligjshme (nga 286 në 862 raste), shkatërrimi i pronës, mashtrimet, veprat në lidhje me tatimet dhe taksat (nga 96 raste ne 236 raste). Sipas INTAT, gjatë tremujorit të tretë 2017 janë kryer 1.884 vepra penale kundër personit, duke pësuar rritje me 5,5%, në krahasim me tremujorin e tretë 2016.
Numri i autorëve të krimeve kundër personit, në këtë periudhë është 2.212 dhe përbën 22,0% të totalit të autorëve. Gjatë tremujorit të tretë 2017, numri i autorëve të kësaj vepre penale është rritur me 8,5 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Veprat penale kundër rendit dhe sigurisë publike, përbëjnë përqindjen më të madhe të veprave kundër autoritetit të shtetit, me rreth 78,7 %, duke regjistruar një ulje prej 19,6%, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Redaksia Online
J.Sh/Shqiptarja.com









