Prurjet e lumit Vjosë po rriten me shpejtësi dhe rrezikojnë të sjellin përmbytje në disa fshatra të bashkisë Fier me shtrirje gjatë rrjedhës së lumit.

Në një prononcim për mediat kreu i bashkisë Fier, Armando Subashi ka pohuar se niveli i prurjeve në Memaliaj është në kuotën e 6 metrave, dhe ndërsa po shtohen.

Nga përvoja e viteve të mëparshme, teksa i afrohen kuotës 6.5 metrave, fillon dhe shfaqet rreziku për zonën tonë thotë ai, ndërsa nënvizon se të gjitha këto zona të rrezikuara po monitorohen në mënyrë të vazhdueshme.

Përballë kësaj situate, Subashi u ka bërë apel banorëve të fillojnë evakuimin fillimisht të bagëtive në stanet e ndërtuara pranë lumit.

Emergjencat pranë bashkisë Fier janë pozicionuar në terren pranë Urës së Mifolit me qëllim për të ndërhyrë në kohë në rast të daljes nga shtrati të lumit.

Ndërkohë hidrovorët janë duke punuar me kapacitet të plotë ndërsa nuk ka patur probleme me furnizimin me energji elektrike.

“Hidrovorët janë në punë, kanë ditë që janë në punë, sepse kjo situatë është lajmëruar ditë më parë. Fatmiërsisht nuk kemi pasur probleme me energjinë elektrike, siç kanë pasur disa zona të vendit”, thotë ai.


Lajmi kryesor:

Moti i keq/ Përmbytje në Delvinë e Finiq, evakuohen 6 familje! Izolohen 10 fshatra në Mirditë! Vjosa rrezikon të dalë nga shtrati