KIEV- Vazhdon të rritet tensioni në Ukrainë ku protestuesit anti-qeveritarë, kanë bllokuar Ministrinë e Agrikulturës. Duke parë gjendjen e krijuar, nuk duket se ka shpresë se do të mbarojnë këto protesta edhe pas takimit të mbajtur ditën e enjte nga lideri i opozitës Vitali Klitschko dhe presidentit të vendit Viktor Ianukovich. Gjatë atij takimi, qeveria kishte shfaqur mundësinë për të shkuar në zgjedhje të parakohshme.
 
Por opozita ukrainase kishte mbetur e zhgënjyer nga tratativat me kreun e shtetit dhe si rrjedhojë manifestuesit kishin qëndruar sërish në shesh.
 
Gjatë orëve të ardhshme, pritet që temperaturat në Ukrainë të shkojnë në -24 gradë, kështu që Ministria e bllokuar prej tyre, do të bëhet edhe një vend strehimi, për të përballuar të ftohtin. Protestuesit kanë bllokuar pallatin ministerial dhe punonjësve nuk u është lejuar të hyjnë për të marrë sendet e tyre personale.
 
Agjencia e shtypit ukrainase "Itar Tass", zbardh faktin se në murin e hyrjes kryesore të selisë së dikasterit të Agrikulturës është shfaqur mbishkrimi "Right Sector" (sektori i djathtë) dhe mendohet se bëhet fjalë për një organizim të ekstremit të djathtë të cilët kanë krijuar edhe sulmet ndaj policisë në ditët e kaluara në rrugën Grushevski në Kiev.

Ndërkohë protestat janë zgjeruar edhe në qytete të tjera të Ukrainës.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)