Rritja e çmimit të energjisë, Basha: Shqiptarët kanë 8 vite që përballen me çmimet më të larta në rajon! Kriza s'ndalet me propagandë e fjalime, ja 7 veprimet që duhen ndërmarrë

Për kryeministrin Edi Rama, kushtet klimaterike dhe faktorë të tjerë gjeopolitikë kanë prodhuar një krizë energjitike, por për kreun e PD-së, Lulzim Basha, përgjegjës për pasojat në vendin tonë, është vetë qeveria. Në një deklaratë për mediat, pasi Rama paralajmëroi një rritje të çmimit të energjisë, Basha tha se shqiptarët kanë 8 vite që po përballen me çmimet më të larta në Rajon e Europë. Sipas Bashës, qeveria nuk po i vjen në ndihmë qytetarëve dhe se kostot e jetesës janë bërë të pabërballueshme.

"Tellalli i së keqes doli sot për të larë duart para shqiptarëve, për atë që po përgatit për ta, rritjen e mëtejshme të çmimeve të energjisë, ndërsa tashmë të gjitha çmimet janë rritur ndjeshëm duke pamundësuar për qindra mijëra shqiptarë të përballojnë nevojat bazë. Vërtet bota po përballet tani, por shqiptarët kanë 8 vite që përballen me çmimet më të larta në rajon e ndër më të lartat në Europë, të energjisë dhe karburantëve. Në ato vende ku ndodhin rritje të diktuara nga tregjet ndërkombëtare, qeveritë e përgjegjshme u vijnë në ndihmë qytetarëve të tyre. Por a mund të ndodhë kjo më këtë qeveri? Shqiptarët e dinë mirë që jo. Ata e kanë parë se si në momentet më të vështira të këtyre viteve, kjo qeveri dhe ky kryeministër i ka braktisur. Kështu ndodhi me tërmetin, kështu ndodhi me pandeminë. Shqiptarët e kanë parë se si fondet e rindërtimit u përdorën për të majmur ortakët e Edi Ramës, dhe po këto fonde të jepeshin jo për njerëzit në nevojë , por për të marrë në këmbim votën e tyre. Shqiptarët e kanë vuajtur në lëkurën e tyre braktisjen gjatë pandemisë, kur babëzia e kësaj pakice të korruptuar dha ndihmën më të ulët ekonomike në Europë, duke shkaktuar rritjen më të madhe të jetëve të humbura në kontinent, varfëri dhe papunësi", tha Basha.

Për të përballuar këtë krizë me sa më pak pasoja, Basha bën 7 propozime, disa prej të cilave u premtuan nga kryedemokrati edhe gjatë fushatës zgjedhore, teksa përmend heqjen e "taksës Rama" mbi karburantet, uljen e TVSH-së nga 20% në 6% për ushqimet, subvencionimin e çmimit të energjisë për qytetarët, ristrukturim të buxhetit etj.. Më herët, me një deklaratë të papritur për mediat, kryeministri Edi Rama paralajmëroi një rritje të çmimit të energjisë elektrike deri 6 muajt e parë të 2022, teksa tha se me një krizë të tillë po përballet e gjithë bota. Kryeministri nuk cilësoi se sa do të jetë rritja e çmimit dhe as se kur do të fillojë të aplikohet.

Propozimet e Bashës:

1- Heqja e taksës Rama prej 240 lekë për litër karburanti;

2- ulja e TVSH-së nga 20% në 6% për ushqimet, ashtu siç kemi kërkuar prej javës së parë në kuvendin e Shqipërisë;

3- Faturimi me çmime dhe sasinë reale të konsumit të oligarkëve të cilët favorizohen në kurriz të konsumatorëve;

4- Subvencionim i çmimit të energjisë për qytetarët;

5- Mirëmenanxhim dhe ndalje e shpenzimeve të shfrenuara, luksoze të OSHEE dhe KESH, që janë kthyer në zhvatës të parave të shqiptarëve.

6- Ristrukturim të buxhetit për tu përballur me një krizë që nuk mund të ndalet me propagandë dhe fjalime.

7 - Më shumë para për shtresat në nevojë dhe ristrukturim të ekonomisë aktuale, e cila për shkak të politikave të kësaj qeverie është e varur nga paraja e pisët dhe monopolet e oligarkëve.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:48
Rritja e çmimit të energjisë, Orjola Pampuri: Shqiptarët po paguajnë korrupsionin e një qeverie të paaftë

Deputetja e PD-së, Oriola Pampuri ka akuzuar qeverinë si të korruptuar dhe të paaftë. Në një reagim në Facebook, pasi kryeministri Edi Rama paralajmëroi rritjen e çmimit të energjisë, Pampuri tha se shqiptarët tashmë duhet të përballen me nevojën për mbijetesë. Sipas deputetes, qeveria nuk ka punuar as edhe një ditë të vetme për vendi, teksa thekson se ata që do ta ndiejnë më shumë peshën e rritjes së çmimeve janë familjet në nevojë.

"Familjet në nevojë do ta ndjejnë më shumë se askush rritjen e çmimit të bukës, pasi beteja e përditshme e tyre është për bukën e gojës. Në fund të fundit, Edi Rama i bleu me çdo çmim e çdo formë qytetarët më 25 Prill, pikërisht për të rimarrë mbrapsht gjithçka, deri 'frymën' e qytetarëve të këtij vendi. Ne të gjithë e dimë se si Edi Rama përdori çdo mekanizëm, nga paratë e tërmetit e deri tek administrata e shtetit, për të manipuluar vullnetin e qytetarëve, ne të gjithë e dimë që Edi Rama është në karrigen e kryeministrit sepse pushtetin absolut e vuri në dispozicion të blerjes se votës", thotë Pampuri mes të tjerash.

 

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kamberi: Nëse protestat 'shuhen', Vuçiç do e çojë Serbinë në diktaturë

Kamberi: Nëse protestat 'shuhen', Vuçiç do e çojë Serbinë në diktaturë