Deputeti i PD Eno Bozdo në prezantimin e projektligjit “Për mekanizmin e reagimit të krizave të furnizimit dhe çmimit të lëndëve djegëse’”, për kalimin me procedurë të përshpejtuar, tha se Shqipëria duhet të bëjë ndërhyrje ligjore për uljen e taksave që rëndojnë sot në çmimin e naftës. Bozdo tha se Shqipëria sot nuk ka asnjë rezervë dhe se qytetarët sot blejnë naftën më shtrenjtë se gjithë vendet e rajonit, krahasuar me Kosovën dhe Maqedoninë. Ky propozim për kalimin ne seancë të këtij projektligji me procedurë të përshpjetuar, u rrëzua me 77 vota nga PS.
“Shqipëria nuk zotëron asnjë gramë naftë rezervë të sigurisë strategjike; kryeministri pretendon të kundërtën. Jemi ndoshta i vetmi vend që s’kemi një rezervë të tillë, edhe pse legjislacioni e ka me detyrim. Qeveria nuk e ka vënë ujin në zjarr dhe kjo ndodh gjithmonë. Në këtë pikë, lutemi që kriza mos të thellohet dhe mos të marrë ndonjë urdhër për lirimin e rezervave të naftës, që dihet të jenë 90 ditë, ndërsa sot janë 0 ditë. Të gjitha vendet e tjera të rajonit i kanë këto rezerva.
Projektligji ofron mundësinë, hap derën për ndërhyrje ligjore në raste krizash, që i lejon qeverisë të shoqërojë uljen e taksave që rëndojnë në çmimin e naftës, si ajo e qarkullimit që qytetarët e paguajnë dy herë, ose ndryshe taksa e karbonit, duke e bërë çmimin e naftës shumë të shtrenjtë. Nëse i eliminojmë këto taksa, do të mund të krahasohemi me Maqedoninë dhe Kosovën. Këto vende pa det e tregtojnë naftën 30-40% më lirë.
Një tjetër mekanizëm që sjell projektligji është ai që të implementohet modeli i akcizës së lëvizshme që përdoret sot nga Italia. Çdo tepricë e TVSH-së që vjen nga rritja e krizës, që derdh më shumë para të pamerituara në arkë, shkon për të ulur akcizën në të njëjtën masë. Ky mekanizëm merr në dorë menaxhimin e rezervës.
Ky projektligj kërkohet me urgjencë, sepse jemi i vetmi vend që s’kemi marrë asnjë masë konkrete për amortizimin e çmimit të naftës. Kjo ngjan me përballimin e krizës së Covid. Bordi është vullnet politik i kryeministrit”, tha Bozdo.
Lajmi kryesor:
LIVE - Kuvend/ Rrëzohen nismat e PD, refuzohet interpelanca me kryeministrin Rama! Balla: Me dhunë s’i miratojmë, nuk e hamë presionin











