Rritja e çmimit të plehrave kimike dhe naftës po godet fort fermerët në Shqipëri, duke rritur ndjeshëm kostot e prodhimit dhe duke sjellë dy pasoja direkte: braktisjen e tokës nga fermerët dhe rritjen e çmimeve për qytetarët.
Të dhënat e Report TV konfirmuan se brenda muajit mars, plehra kimike si ureja dhe nitrati janë shtrenjtuar me rreth 1400 lekë për kuintal, ndërsa DAP-i me 1100 lekë. Kështu natyrshëm lind pyetja: si do të ndikojë kjo situatë tek fermeri shqiptar dhe çfarë duhet të bëjë qeveria që tu vijë në ndihmë?
Eksperti i bujqësisë, Eduard Sharka, thotë se kjo rritja e kostove po ul interesin e fermerëve për të punuar tokën, duke sjellë pasoja më të gjera për ekonominë.
Në një intervistë për emisionin ‘Sot Live në Shqipëri’ ai kërkoi ndërhyrje nga shteti, duke përfshirë vendosjen e çmimeve tavan për inputet bujqësore, heqjen e TVSH-së për të lehtësuar kostot, si dhe rritjen e subvencioneve për fermerët. Sipas Sharkës, një pjesë e rritjes së çmimeve lidhet me zhvillimet ndërkombëtare, por nuk përjashtohet edhe spekulimi në treg.
“Shteti ka në dorë të ndërhyjë dhe është një ndërhyrje e nevojshme sepse bujqësinë duhet ta shikojmë në këndvështrimin e duhur. Është një sektor specifik ku rritja e kostot të prodhimit për shkak të rritjes së çmiit të naftës, imputeve, punimeve, con në humbjen e interesit të fermerëve për të punuar tokën. Kjo është me pasoja për ekonominë kombëtare dhe shoqërinë. Për ta shmangur këtë është e nevojshme të ndërhyhet. Përveç rritjes faktike ka edhe një spekulim nga tregtarët e fushës sepse çmimi u rrit të nesërmen e fillimit të luftës. Pra duhet një monitorim i tregut. Në këtë rast instrumenti është vendosja e çmimit tavan. Task forca e ngritur për monitorimin e çmimeve të karburantit duhet të monitorojë edhe çmimet e inputeve bujqësore. Vendosja e çmimit tavan është një instrument i ligjshëm dhe qeveria mund ta përdorë. Një tjetër instrument është heqja 10% të TVSH-së që merr nga imputet bujqësore për të lehtësuar kostot e fermerit që të mos e braktisin bujqësinë. Një instrument tjetër është rritja e subvencionit, dhe zbutur kostot. Një instrument tjetër është ndërhyrje afatgjatë nëpërmjet investimit për industrinë e prodhimit të plehrave bazë" tha ai
Ai thekson se Shqipëria varet nga importi i plehrave kimike, duke e bërë sektorin të ndjeshëm ndaj krizave. Për këtë arsye ai propozon rikrijimin e kësaj industrie.
"40% e këtyre plehrave vijnë nga Jordania, një pjesë nga Rusia dhe Ukraina. Kjo industri duhet rikrijuar në Shqipëri, qoftë me fondet Ipard, qoftë me kredi të butë apo me garanci sovrane, duhet të nxiten ivnestitorët që të investojnë në këtë sektor strategjik. Qeveria duhet të kthejë vëmendjen dhe të investojë sepse është garanci për vazhdimin e efektivitetit në bujqësi. Rëndimi i kostove si pasojë e krizave aktuale jep pasoja negative në bujqësi. Do të kemi më pak prodhime që do jenë më të shtrenjta. Në tregun tonë mbizotërojnë prodhimet e importit pastaj kur ke varësi prej tyre ke rritje çmimesh dhe humbje të sovraniteti ushqimor. Vendet e rajonit vendosën çmime tavan, vendosin politika më të mira fiskale dhe rrisin subvencionet” tha ai.
Nëse situata vijon, Sharka paralajmëroi ulje të prodhimit vendas dhe rritje të mëtejshme të çmimeve, çka sipas tij shton varësinë e vendit tonë nga importet.
Komente












