Ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, deklaroi se qeveria po shqyrton mundësinë e riaktivizimit të Bordit të Transparencës për të kontrolluar çmimet e hidrokarbureve në vend. Ajo kujtoi se gjatë vitit 2022, kur shpërtheu lufta në Ukrainë, bordi u aktivizua kur çmimi i naftës arriti në rreth 220 lekë për litër.

“Në kohën e krizës së Ukrainës ne i bëmë ndryshimet dhe u futëm në regjim kur çmimi kishte vajtur në 220 lekë. Unë s’po them që Bordi do aktivizohet kur çmimi të shkojë 220 lekë. Në varësi edhe të situatës gjeopolitike, do të shikojmë kur do të ndërhyjmë. Tani po bëjmë një monitorim ditor. Po shohim çmimet e bursës dhe tabelave",- tha Ibrahimaj  në një intervistë për "Repolitix" me Denis Mingën në Report Tv.

Ministrja iu përgjigj edhe deklaratave të deputetit Erion Braçe, i cili ka pretenduar se tregu i hidrokarbureve në Shqipëri funksionon si kartel që përcakton çmimet. 

"Në situata të ndryshme kemi parë që çmimet janë të ndryshme. Ka kompani që kanë pika shumice dhe pika pakice, ka kompani që kanë vetëm shumicë ose vetëm pakicë. Operojnë në tregje të ndryshme dhe janë konkurrentë të njëri-tjetrit",- tha Ibrahimaj.

Ibrahimaj shpjegoi gjithashtu arsyet pse çmimi i naftës në Shqipëri u rrit me shpejtësi pas sulmeve amerikano-izraelite në Iran dhe mbylljes së Ngushticës së Hormuzit. Sipas saj, rritja është e lidhur drejtpërdrejt me zhvillimet në bursat ndërkombëtare të energjisë. Ajo sqaroi se, edhe pse kompanitë tregtare janë të detyruara të mbajnë rezerva karburanti, këto rezerva përdoren çdo ditë për furnizimin e tregut, ndërsa çmimi i karburantit përcaktohet në bazë të bursës ditore. Çmimet ndërkombëtare publikohen rregullisht dhe mbi bazën e tyre Dogana kryen zhdoganimin e karburantit, duke përfshirë edhe të gjitha detyrimet fiskale që rëndojnë mbi këtë produkt.

"Në gjykimin tim ka disa javë prej fillimit të luftës, më që ka pasur një mungesë të furnizimit me naftë të rafinuar me nënprodukte të naftës, e cila ka sjellë ndikime në bursat ndërkombëtare. Çmimi i bursave ndërkombëtare është rritur ndjeshëm, është reflektuar ky çmim në vendin tonë. Ka disa faktorë që e ndikojnë çmimin. Pavarësisht se kompanitë tregtare kanë një rezervë të detyrueshme të cilën duhet ta garantojnë që e kanë në vend, ajo që ndodh është rezerva përdoret në mënyrë ditore dhe zgjat në mënyrë ditore, dhe çmimi i karburantit matet me bursën ditore. Këto çmime janë të publikuara, Dogana bën zhdoganimin e karburantit në bazë të këtij çmimi duke shtuar të gjitha detyrimet e taksave që u ngarkohen karburanteve",- tha Ibrahimaj.

Sipas Ibrahimajt, gjatë tre javëve të fundit kompanitë shqiptare kanë vazhduar të furnizohen nga tregjet ndërkombëtare, ku çmimet janë rritur. Për këtë arsye, qeveria ka ngritur edhe një task-forcë për të verifikuar nëse kompanitë kanë respektuar detyrimin për rezervat dhe nëse ka pasur raste abuzimi me çmimet. Në rast se konstatohen shkelje, autoritetet do të bëjnë rivlerësim të kontabilitetit të kompanive dhe do të vendosin penalitetet përkatëse.

Ibrahimaj shtoi se Qeveria po monitoron ndryshimet në çmimet e ushqimeve dhe të energjisë elektrike, pas nisjes së luftës në Iran.

Këtë të mërkurë çmimi i naftës në pikat e karburanteve me pakicë luhatet, shkon nga 192 lekë për litër deri në 201 lekë për litër, mbi 25 lekë më shtrenjtë se para 1 jave.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:58
Lufta/ Ibrahimaj për Report TV: Po monitorojmë çmimet e shportës, nëse kriza zgjatet mund të ketë rritje

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, është shprehur se Qeveria po monitoron ndryshimet në çmimet e ushqimeve dhe të energjisë elektrike, pas nisjes së luftës në Iran.

Në emisionin ‘Repolitix’ me gazetarin Denis Minga në Report TV, Ibrahimaj tha se deri në këto momente nuk ka ndryshime drastike të çmimeve të ushqimeve apo të energjisë elektrike.

Ajo tha gjithashtu se Qeveria po vëzhgon me vëmendje situatën dhe në rast të ndryshimeve të ndjeshme të çmimeve janë të gjitha alternativat mbi tavolinë, edhe ndërhyrja në treg.

“Aktualisht nuk ka asgjë të jashtëzakonshme te çmimet e ushqimeve. Ne po monitorojmë situatën për çdo lëvizje. “Në rastet e çmimeve të ushqimeve është më e vështirë që Qeveria të përcaktojë një çmim fiks, sepse ka variacione të ndryshme. Në këtë moment që flasim nuk ka pasur një ndryshim thelbësor as në çmimin e energjisë elektrike.

Të gjitha çmimet, edhe çmimi i rritur i karburanteve ka reflektuar çmimin e rritur të bursave. Nuk mund të shprehem në këtë moment për çfarë ne i kemi në tryezë të gjitha alternativat dhe i monitorojmë me kujdes në bazë ditore. Jemi në komunikim ditor që të vlerësojmë gjithë komponentët. Do bëjmë ndërhyrje që do të shkojnë në më të mirën e zhvillimit ekonomik”, tha Ibrahimaj.

Ndërsa lidhur me informalitetin në vend, Ibrahimaj pranoi se nuk është zhdukur, por shtoi se është reduktuar ndjeshëm, sidomos te ‘puna në te zezë’ që sipas ministres është minimizuar.

“Informaliteti ndër vite është reduktuar. A është zhdukur? Jo nuk është zhdukur. Por mund ta them me plotë gojë se ka disa forma të informalitetit. Informaliteti në punë, pra puna e zezë është minimizuar. Ka shumë pak raste që punojnë të pasiguruar. Ne mund të kemi informalitet në paga. Ne jemi në monitorim të vazhdueshëm”, shtoi më tej Ibrahimaj.

Ora 21:47
Ministrja Ibrahimaj për Report Tv: Plan për ngritjen e një kompanie shtetërore për tregtimin e karburanteve dhe ligj për një rezervë shtetërore! I prezantojmë brenda vitit

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, është shprehur se qeveria po harton një plan për ngritjen e një kompanie shtetërore të tregtimit të karburanteve.

Komentet Ibrahimaj i bëri në emisionin ‘Repolitix’ me gazetarin Denis Minga në Report TV, ku tha se një kompani shtetërore e naftës do të bënte të mundur sigurimin e më shumë rezervave në raste krize dhe mos-abuzimin me çmimin e tregtimit të karburantit.

Ajo tha gjithashtu se Qeveria ka një plan për miratimin e një ligji që do të mundësojë krijimin e një rezerve shtetërore të karburanteve, që do të shërbejë në raste krizash.

“Ne jemi akoma duke hartuar planin për ngritjen e një kompanie të tillë dhe do të dalë me një prezantim të asaj që kjo kompani do të bëjë. Është në planin tonë që përmes këtij instrumenti të bëjmë të mundur edhe një garanci më shumë të transparencës dhe eficencës në treg. Ne edhe në kuadër të procesit të integrimit, do të kemi në plan që të miratojmë një ligj që definon rezervën shtetërore, që do të jetë në pronësi të shtetit për përballimin e krizave. Po studiojmë kush janë modelet më të mira dhe do prezantohen brenda vitit”, tha mes të tjerash Ibrahimaj.

Ora 21:28
Mbyllja e 'Hormuzit' rrezik për furnizimin me naftë në Shqipëri? Ibrahimaj për Report Tv: Kompanitë kanë rezerva për një muaj dhe kontrata afatgjata me furnitorët

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, është shprehur se qeveria po monitoron rritjen e çmimit të naftës në Shqipëri, pas nisjes së luftës në Iran.

Në një intervistë për emisionin ‘Repolitix’ me gazetarin Denis Minga, Ibrahimaj tha se gjatë vitit 2022, kur nisi lufta në Ukrainë, Bordi i Transparencës u aktivizua kur çmimi shkoi në 220 lekë për litër.

Ndërsa për situatën aktuale, duke lënë të kuptohej se Bordi do të ngrihej kur çmimi i naftës të shkonte pak a shumë në të njëjtin nivel, ministrja Ibrahimaj tha se do të shihet me vëmendje shpejtësia e rritjes së çmimit dhe situata gjeopolitike, para se të merret një vendim.

“Në kohën e krizës së Ukrainës ne i bëmë ndryshimet dhe u futëm në regjim kur çmimi kishte vajtur në 220 lekë. Unë s’po them që Bordi do aktivizohet kur çmimi të shkojë 220 lekë. Në varësi edhe të situatës gjeopolitike, do të shikojmë kur do të ndërhyjmë. Tani po bëjmë një monitorim ditor. Po shohim çmimet e bursës dhe tabelave.

Në momentin që shpejtësia rritet dhe sinjalet nga politika ndërkombëtare janë për një vijim të kësaj shpejtësisë së rritjes, ne do të marrim masat për të hyrë në këtë regjim. Në këtë regjim Bordi i Transparencës përcakton çmimin, ka marzhe të përcaktuara maksimale që mund t’i shtohen kostos. Ne për hir të së vërtetës marzhet i kemi vënë minimaliste. Nëse çmimet që Bordi do të vendosë, ka një penalitet dhe nëse ripërsëritet, shkohet deri në pezullim të licencës. Shqetësimi fillestar që ne kishim ishte verifikimi i rezervave. Sepse në një periudhë krize ti duhet të garantosh që ke produkt”, tha mes të tjerash Ibrahimaj.

Lidhur me rezervat e naftës që kompanitë kanë aktualisht, Ibrahimaj tha se ligji parashikon që ato të mbajnë rezerva për 1 muaj. Sipas Ibrahimajt, mbyllja e Ngushticës së Hormuzit nuk përbën rrezik për furnizimin me naftë në Shqipëri.

“Në një takim që kishim me përfaqësues të kompanive dhe shoqatën e hidrokarbureve na u garantua rezervat janë. Parashikimi është që kompanitë kanë detyrim që të mbajnë një rezervë një mujore. Dhe kanalet e tyre të furizimit i kanë garantuar se nuk do të ketë një mungesë të karburantit në treg, por vazhdimësi të furnizimit. S’ka një frikë për ndërprerje të furnizimit. Kompanitë kanë kontrata afatgjata me furnitorin, që u garantojnë furnizimin”, tha Ibrahimaj.