Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, ka reaguar pas rritjes së vazhdueshme të çmimit të naftës në Shqipëri, duke kërkuar miratimin me procedurë të përshpejtuar nga Kuvendi të propozimit të PL-së për uljen e çmimit të naftës.

Teksa e cilësoi situatën alarmante, Xhixho tha se çmimi i naftës sot ka shkruar në 214 lekë për litër dhe po rëndon përditë e më shumë qytetarët.

Çmimi i lartë i naftës sipas Xhixhos vjen për shkak të taksave, që sipas saj zënë 60 % të çmimit.

Xhixho në emër të PL-së ka propozuar pezullimin e Taksës së Qarkullimit dhe Taksës së Karbonit. Kjo masë sipas saj do të çonte në uljen e menjëhershme të çmimit të naftës.

Reagimi i Xhixhos:

Të miratohet me procedurë të përshpejtuar projektligji i propozuar nga Partia e Lirisë për uljen e çmimit të naftës!

Situata është emergjente: rritja e pandalshme e çmimit të naftës po rëndon çdo ditë mbi qytetarët. Sot, çmimi ka arritur rreth 214 lekë për litër.

Çdo rritje e naftës përkthehet menjëherë në rritje të çmimit të bukës, qumështit, vajit, orizit dhe të gjitha produkteve ushqimore. Po ashtu, ndikon drejtpërdrejt në transport dhe në çdo shërbim.

Arsyeja është e qartë: TAKSAT, të cilat zënë rreth 60% të çmimit të naftës.

Për këtë arsye, kemi propozuar:

Pezullimin e Taksës së Qarkullimit

Pezullimin e Taksës së Karbonit

Një masë konkrete që sjell ulje të menjëhershme të çmimit të naftës dhe lehtësim real për qytetarët dhe bizneset.

Ky projektligj duhet të futet me urgjencë me PROCEDURË TË PËRSHPEJTUAR, sepse situata nuk pret dhe qytetarët nuk mund të mbajnë më këtë barrë!

Sot çdo deputet është përballë një zgjedhjeje të qartë: me qytetarët apo me interesat e ngushta financiare të kryeministrit dhe njerëzve të tij.

R.Xh/SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 17 Mars, 11:47

    Shqipëria shpall Iranin shtet sponsor të terrorizmit, si e vlerësoni?