Bizneset kërkojnë nga shteti të merren masa për të përballuar pasojat që po sjellë në ekonomi çmimi i lartë i karburantit.

“Rritja e kostove të prodhimit dhe shërbimeve të gjitha sektorët, rritjen e çmimeve për konsumin final, ulja e fuqisë blerëse të familjeve dhe dobësim të ndjeshëm të konkurueshmërisë së bizneseve në tregjet rajonale dhe ndërkombëtare. Andaj ky efekt po reflektohet drejtpërdrejt në uljen e ritmit të aktivitetit ekonomik, në rritjen e pasigurisë dhe në shtyrjen e vendimeve për investime të reja”, shprehet Besim Beqaj Forumi Ekonomik Mbarëshqiptar.

Në konferencë për mediat Organizatat e biznesit mbarëshqiptare drejtuan 6 kërkesa, nga ulja e taksave për naftën e deri tek një paketë subvencionesh, sidomos në sektorin e bujqësisë, industrisë, dhe transportit.

“Kërkojmë rishikim të përkohshëm dhe fleksibël të barrës fiskale. Besojmë që transporti, bujqësia, industria prodhuese, shërbimi dhe turizmi janë më të ndikuara dhe kërkojnë masa konkrete, lehtësuese për të mundur që të jenë konkurrentë në tregjet tona”, thekson Beqaj.

“Është më mirë që t'i jepet mbështetje eksporteve dhe bujqësisë, sepse një vend i cili nuk eksporton është i varur nga importet dhe ju po e shihni vetë të gjithë ne që jemi këtu dhe familjet tona se sa të shtrenjtë po i blejmë ushqimet, sa të shtrenjtë po i bëjmë udhëtimet”, thotë Filip Gjoka nga sektori i bimëve medicinale.

Çdo e ardhur shtesë për shkak të rritjes së çmimeve thonë bizneset duhet të përkthehet në një paketë mbështetëse për sipërmarrjen.

“Ne besojmë që teprica e taksave e cila është duke ardhur si rezultat i rritjes së çmimeve nuk i bën mirë qeverive tona ta mbajë atë për vete, por ta distribuojë atë në ekonominë”, tha Beqaj.

“Qeveria duhet të dali në një paketë fiskale përkatëse, lehtësuese”, tha Ilir Pilku, nga industria e përpunimit të qumështit.

Me shifra ata treguan diferencën e ndjeshme të cmimeve mes karburantit në Shqipëri dhe atij në vendet e rajonit.

“Çmimi i benzinës në Maqedoni është 1.31€ në Kosovë ka çmim të ndryshëm prej 1.27 deri 1.39 euro. Serbia ka 1.63, Shqipëria ka 2.07 euro. Ndërsa nafta në Maqedoni është 1.47, Kosova 1.4 deri 1.55, Serbia 1.85, Shqipëria 2.23 kjo është një absurditet. Prandaj mendoj që është ë momenti i fundit që qeveria shqiptare të merr me seriozitet dhe të shohë këtë dallim ë të jashtëzakonshëm”, tha Nebi Hoxha, sipërmarrës nga Maqedonia e Veriut.

Nëse nuk merren masa, bizneset shprehen se pasojat do të jenë të mëdha, ulje ekonomike, rritje çmimesh, rënie investimesh dhe largime masive nga puna.

“Ne të gjithë duhet të presim edhe qeveritë, edhe qytetarët, edhe bizneset rritje të çmimeve e cila do të përshkallëzohet, investimet e cilat do të frenohen, vendet e punës të cilat do të rrezikohen dhe ekonomia do të përballet, me pasoja të rënda dhe afatgjate”, thotë Beqaj.

Çmimi i naftës vetëm në muajin Mars u rrit me 16%, ndërsa benzina me 10%, duke bërë që kostot e transportit dhe të sipërmarrjes të shtohen menjëherë.

GJASHTË KËRKESAT NGA SHOQATAT E BIZNESEVE

1. Rishikimi i barrës fiskale

Është e domosdoshme rishikimi i përkohshëm dhe fleksibël i barrës fiskale mbi karburantet. Struktura aktuale e çmimit përfshin një peshë të konsiderueshme taksash, e cila rëndon mbi biznesin dhe konsumatorin. Një ndërhyrje e targetuar do të ndihmonte në stabilizimin e tregut.

Masa të tilla duhet të jenë në linjë me praktikat e vendeve të Bashkimit Evropian, të cilat në periudha krize kanë aplikuar politika fiskale lehtësuese për të zbutur ndikimin mbi ekonominë dhe qytetarët.

2.Transparenca në përcaktimin e çmimit

Mungesa e transparencës në përcaktimin e çmimeve nga strukturat përkatëse mbetet shqetësuese. Kërkojmë publikim të rregullt të strukturës së çmimit; sqarim të faktorëve ndikues (tregjet ndërkombëtare, taksat, marzhet). Transparenca është thelbësore për rikthimin e besimit.

3. Forcimi i kontrollit të tregut

Institucionet duhet të garantojnë konkurrencë të ndershme përmes: monitorimit aktiv të operatorëve; hetimit të çdo rasti të mundshëm abuzimi apo marrëveshjeje të fshehtë si dhe luftës kundër informalitetit.

4. Mbështetje për sektorët më të ekspozuar

Sektorët si: transporti, bujqësia dhe agropërpunimi, industria prodhuese dhe fasoneria shërbimet dhe turizmi janë ndër më të goditurit dhe kërkojnë mbështetje konkrete. Instrumentet lehtësuese janë të domosdoshme për të ruajtur konkurrueshmërinë dhe për të shmangur transferimin e plotë të kostove te konsumatori.

5. Masa afatmesme dhe afatgjata

- Krijimi i rezervave strategjike të naftës për të garantuar sigurinë energjetike në raste krize;

- Diversifikimi i burimeve të energjisë dhe reduktimi i varësisë nga importet;

- Investime në energji alternative dhe rritje të efikasitetit energjetik;

6. Duhet të zhvillohet dialog i hapur, i rregullt dhe zhvillimor mes qeverive dhe biznesit, në mënyrë që masat kundër krizës energjetike të jenë reale, të zbatueshme dhe në funksion të ruajtjes së vendeve të punës, prodhimit dhe investimeve duke garantuar stabilitetin ekonomik dhe social ne hapësirën mbareshqiptare.

Deklarata është nënshkruar nga 12 organizata të biznesit, mes tyre Forumi Ekonomik Mbarëshqiptar, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Aleanca Kosovare e Bizneseve, Shoqata e Ndërtuesve, Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar, Shoqata Kombëtare e Transportit të Udhëtarëve të Shqipërisë, Shoqata Shqiptare e Turizmit, Shoqata e Industrisë Ushqimore Shqiptare, Shoqata e Industrisë së Përpunimit të Qumështit, Shoqata e Bimëve Medicinale, PRO-Eksport Albania dhe Shoqata e Grave Profesioniste, Afariste dhe Zejtare.

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë