Bizneset shqiptare shitën jashtë vendit në muajin e kaluar mallra me vlerë 365 milionë euro, një rritje e ndjeshme në krahasim me prillin e vitit të kaluar kur eksportet ishin 314 milionë euro. Referuar të dhënave të Institutit të Statistikave edhe në raport me marsin eksportet janë rritur me 6.8%, duke vijuar trajektoren pozitive rritëse prej 3 muajsh.
Të dhënat tregojnë se rritja e eksporteve në prill është mbështetur kryesisht nga energjia, mineralet dhe industria e materialeve të ndërtimit, ndërsa sektorë si tekstilet vijojnë të përballen me vështirësi. Konkretisht eksportet e lëndëve djegëse u rritën me 9.8%, të materialeve të ndërtimit me +6.6% dhe po ashtu pozitivisht kanë ndikuar edhe prodhimet bujqësore të sezonit, pasi eksportet e “Ushqime, pije, duhan” u rritën +1,4 pikë përqindje.
Kurse eksportet e tekstileve ranë me 1.8% në raport me vjet, e përkthyer në vlerë sektori i manifakturës shiti 87 milionë euro në prill, nga 93 milionë euro vjet.
Në muajin e kaluar u përmirësuan edhe importet vlera e të cilave arriti në 828 milionë euro nga 793 milionë euro vjet. Edhe tek importet rritja më e madhe është regjistruar tek lëndët djegëse me +2.5%, për shkak të çmimeve të larta të hidrokarbureve të ndikuara nga lufta në Lindjen e Mesme. Po ashtu kemi blerë më shumë se vjet ushqime +2.1% dhe tekstile e këpucë.
Ndërsa si periudhë 4-mujore sipas INSTAT eksportet ishin në vlerën 1.3 miliardë euro, importet 2.9 miliardë euro dhe deficiti tregtar është 1.6 miliardë euro.
Komente










