Rritja e depozitave në euro nuk ndalet, arritën në gati 6.5 miliardë euro për prillin

Rritja e depozitave në euro nuk ndalet, arritën në gati 6.5 miliardë euro për prillin

Foto ilustruese

Rritja e depozitave në euro nuk u ndal as në muajin prill. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, depozitat bankare në monedhën europiane arritën afër vlerës së 6.5 miliardë eurove, në rritje vjetore me 16.7%. Vetëm gjatë muajit prill, këto depozita u rritën me 73 milionë euro, ndërsa që nga fillimi i vitit rritja e tyre ka arritur në 180 milionë euro.

Shifrat tregojnë se rritja e depozitave në euro paraqitet e shpërndarë me ritme të ngjashme, si mes bizneseve, ashtu edhe mes individëve. Kjo tregon se zgjerimi depozitave në monedhën europiane ka bazë të gjerë dhe reflekton prurje të shtuara të euros në ekonominë shqiptare, por edhe një prererencë në rritje për t’i mbajtur kursimet në këtë monedhë. Rritja paraqitet veçanërisht e lartë në segmentin e depozitave me afat, me pothuajse 26% më shumë krahasuar me një vit më parë. Për vite me radhë, normat minimale të interesit bënë që publiku të mos kishte më nxitje t’i mbyllte paratë në depozita me afat.

Por, rritja e shpejtë e normave të interesit nga banka qendrore prej vitit të kaluar ka sjellë rritje edhe të normave të interesit për depozitat. Kjo ka sjellë një rritje të shpejtë edhe të vlerës depozitave me afat në euro. Llogaritë rrjedhëse dhe depozitat pa afat vazhdojnë të dominojnë strukturën e depozitave bankare në euro, me 59% të totalit. Megjithatë, ritmi i rritjes së tyre paraqitet më i ngadaltë, 11.7% me bazë vjetore. Nga ana tjetër, depozitat në lekë po rriten me ritme shumë të ngadalta. Në fund të prillit, rritja vjetore e stokut të depozitave në monedhën vendase ishte vetëm 3.5%, ndërsa vlera e tyre paraqitet madje në rënie të lehtë që nga fillimi i vitit.

Rritja e depozitave në euro po e rizhvendos gradualisht edhe kreditimin drejt monedhës europiane. Gjatë vitit 2022 dhe pjesën e parë të vitit 2023 kredia në euro po rritet me ritme më të larta se ajo në lekë. Rritja e depozitave në euro është një tregues i një tendence për rritje të euroizimit të ekonomisë shqiptare. Efektet e prurjeve të larta valutore dhe rrtija e masës monetare në euro po shfaqen gjithnjë e më të forta edhe në kursin e këmbimit valutor. Gjatë muajit maj, rënia e euros ka thyer rekorde të reja historike. Më datë 31 maj, monedha europiane ra për herë të parë edhe poshtë pragut të 110 lekëve dhe në harkun e një viti ka humbur më shumë se 9% të vlerës monedhës vendase.

Banka e Shqipërisë e shpjegon rritjen e ofertës së euros dhe nënçmimin e saj historik kryesisht me përmirësimet domethënëse në bilancin e pagesave, sidomos falë zgjerimit të të ardhurave nga turizmi dhe nga eksportet e tjera të shërbimeve, por edhe nga vlerat e larta të investimeve të huaja direkte. Viti 2022 shënoi një rritje prej 42% të eksporteve shqiptare, të udhëhequra nga rritja e të ardhurave të turizmit, çka i hapi rrugën reduktimit të deficitit tregtar dhe atij të llogarisë korrente të vendit. Ky i fundit zbriti nga niveli 7.8% i PBB-së në vitin 2021, në nivelin 6% në vitin 2022.

Së bashku me rritjen e shpejtë të investimeve të huaja direkte dhe qëndrueshmërinë e tregjeve të brendshme financiare, këto i hapën rrugë forcimit të kursit të këmbimit të lekut gjatë vitit,” tha të mërkurën Guvernatori Gent Sejko, në raportimin vjetor në Kuvend. Rritja e flukseve hyrëse dhe Zhvlerësimi i lekut kundrejt euros ka ndihmuar në zbutjen e pjesshme të presioneve inflacioniste të ekonomisë shqiptare, ndërsa ka sjellë përfitime edhe për huamarrësit në monedhën europiane, duke filluar nga qeveria shqiptare. Nga ana tjetër, rënia e euros po dëmton sektorët eksportues të mallrave dhe shërbimeve në ekonomi, ashtu si edhe familjet përfituese të remitancave./Monitor

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Sulmin në ditën e Krishtlindjes Zelensky e quajti çnjerëzor, reagon Moska: Ishte sukses! Ne i arritëm objektivat

Sulmin në ditën e Krishtlindjes Zelensky e quajti çnjerëzor, reagon Moska: Ishte sukses! Ne i arritëm objektivat