Rritja e pagave, deputetët bien dakord pas debateve! Përfitojnë 130.330 punonjës! Komisioni i Ligjeve miraton paketën, pritet shqyrtimi tek ‘Ekonomia’

Komisioni i ligjeve miratoi paketën ligjore për rritjen e pagave të 130 330 punonjësve të administratës publike. Vendimi Iu shoqërua me debate për shkak të kërkesës që në listën e përfituesve të rritjes, të hyjnë edhe deputetët. Kjo pikë pas diskutimeve gjeti konsensus dhe ligji do të kalojë në komisionin e ekonomisë ku propozohet ndryshimi I koefiçientit dhe rritja e pages për deputetët. Drafti vjen në zbatim të vendimit të Gjykatës Kushtetuse për rishikimin e hireakisë së pagave, pas shqetësimit të ngritur nga magjistratët.

Delina Ibrahimaj, Ministre e Financave dhe Ekonomisë shpjegoi që ligji ka efekt që prej datës 1 prill 2023.

“Nga ligji përfitojnë 250 funksionarë politikë, që pagën e kanë të lidhur me atë të presidentit. Paga e presidentit rritet në 425 000 lekë, nga 257 000 që është aktualisht. Koeficientët, që lidhen me kuvendin dhe qeverinë, ato janë përjashtuar pa ndryshuar nivelin aktual të pagave, për ta parë në një moment të dytë. Grupet e prekura indirektë janë administrata qendrore dhe vendore. Kostoja totale e kësaj politike 39 mld lekë në 1 janar 2025”-tha Ibrahimaj.

Por, kundërshtitë nuk munguan nga deputetët opozitarë dhe të mazhorancës. Sipas tyre, ligji e deformon hiearkinë e pagave me mosrritjen e tyre për deputetët,

“Unë konstatoj se nuk ruhet kjo hireaki. Ajo që më vret syrin janë disa paga, komisionerët e shërbimit civil, KQZ, Autoriteti konkurrencës, Këshilli drejtues i RTSH, etj,  e koeficentit e kalojnë pagën bazë të prokurorit dhe gjyqtarit. S’besoj se këto bëjnë një punë më të dobishme se gjyqtari e prokurori. Po ashtu në raport me deputetin, janë shumë më lart, nga hireakia s'mund të jetë kështu”- argumentoi deputeti i PS- Fatmir Xhafaj.

“Ekuilibri hierakik nuk ruhet në piramidën e pagave. Do i sugjeroja komisionit të ekonomistë të rishinte raportin e pagave”- shtoi deputeti socialist, Klevis Xhoxhi.

Në mbështetje e argumentimit të Xhafajt, u shpreh edhe deputetja e PD-së, Dhurata Çupi e cila tha se Ibrahimaj nuk kishte respektuar hierarkinë e pagave.

“Mbështes edhe unë atë që thotë z. Xhafaj, s’keni qenë e kujdeshme të zbatoni vemdimin e GJK, por edhe hireakinë e pagave dhe respektin e ndaj institucionit ku ju raportoni. Mendoj se rritja e pagave duhet të jetë më e madhe”-tha ajo.

Ndërsa ministrja, Ibrahimaj tha se pagat për magjistratët dhe titullarët e institucioneve të pavarura do të jenë më të larta sepse u është garantuar nga ligjet e veçanta.

“Për nivelin e pagave të magjistratit dhe enteve të pavarura, në fakt do e kenë paga më të larta sesa titullarët e institucioneve të pavarura, pasi në ligjet e tyre të veçanta kanë të caktuara shtesa me pagë të caktuara me ligj”-theksoi ministrja.

Debate pati edhe për pensionet, ku opozita u shpreh e shqetësuar për dështimin e sistemit.  Por Ibrahimaj, paralajmëroi se shumë shpejt do të ketë edhe një reforme në sistemin e pensioneve. Paketa e rritjes së pagave, parashikon shtim me 20-40% në fund të 2024, me synimin që paga mesatare të rritet nga 530 euro në 930.

B.V/KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

5 këshilla si të shtroni tryezën për Krishtlindje

5 këshilla si të shtroni tryezën për Krishtlindje