Ekonomia shqiptare po ecën në mënyrë të kënaqshme, ndërkohë që mjedisi ndërkombëtar ende vazhdon të krijojë pengesa. Kjo ka qenë tema tjetër e deklaratave të kreut të bankës Qendrore në konferencën e djeshme për shtyp.
 
Zhvillimet
Stimuli monetar nuk do të ndryshojë përgjatë vitit 2016, lajmëroi guvernatori i Bankës së Shqipëri, Gent Sejko, në një konferencë për shtyp pas mbledhjes së djeshme të Këshillit të Mbikëqyrjes, duke sinjalizuar se norma bazë e interesit këtë vit do të qëndrojë në nivelin 1.25%. Ai tha se inflacioni ka shënuar rritje progresive, duke arritur në 1.2 për qind në qershor, si pasojë e rritjes së çmimeve të ushqimeve dhe qirave.
Ai shtoi se rritja ekonomike në tremujorin e parë është përmirësuar, duke arritur në 2.9%, e udhëhequr nga sektorët e shërbimeve dhe ndërtimit. Sipas parashikimeve të Bankës së Shqipërisë, rritje e përafërt në të njëjtat nivele do të vazhdojë të jetë edhe në tremujorin të dytë të vitit. Ekonomia reflektoi politikën monetare lehtësuese, pasi ekonomia u rrit prej konsumit dhe investimeve private, tha Sejko. Por shkëmbimet tregtare me jashtë nuk e kanë favorizuar rritjen ekonomike. Eksportet po vuajnë koniunkturën e çmimeve të ulta në tregjet ndërkombëtare.
Ndërkohë, pohoi guvernatori, politika fiskale po ruan konsolidimin me ritme më të larta se planifikimet e fillimit të vitit.
 
Bankat
Sa i përket sektorit bankar, Sejko vuri në dukje se normat e interesit kanë shënuar kuotat më të ulta historike dhe janë lehtësuar kostot e borxhit. Nga ana tjetër, ecuria e kredisë ka shfaqur tendenca rritjeje. Pa efektin e  fshirjes, kjo rritje është 3%. Kredia në lekë është rritur në masën 6%, ndërsa ajo në valuta nuk ka ndryshuar. Por, kredia bankare mbetet e zbehtë në krahasim me pritjet e Bankës së Shqipërisë, për shkak të kërkesës së ulët dhe kushteve të shtrënguara të bankave.
 
Reforma

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë përshëndeti edhe miratimin e paketës kushtetuese të reformës në drejtësi, e cila, sipas tij, do të ketë një ndikim të madh pozitiv në ekonominë e vendit. "Çdo destabilizim politik do të kishte ndikim negativ në ekonomi dhe e kundërta. Miratimi i reformës me 140 vota është pozitiv”, tha ai. Duke shtuar se reforma në drejtësi do të ndikojë pozitivisht edhe në rritjen e kreditimit, pasi do të rritë garancitë në respektimin e kontratave.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com