Në këtë rezultat dallojnë akcizat, që kanë sjellë 41.6 për qind më shumë të ardhura në buxhet se një vit më parë, tatimi mbi të ardhurat personale, që ka shënuar rritje në masën 28.6 për qind, ai mbi fitimin në masën 21.4 për qind, etj. Po kështu, rritje e ndjeshme është shënuar krahasuar me një vit më parë edhe në kontributet e grumbulluara për efekt të sigurimeve shoqërore, në masën 16.8 për qind dhe në ato për sigurime shëndetësore, +8 për qind.
Tek Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, që njihet me inicialet TVSH, shtesa ka qenë 4.1 për qind. Të ardhurat buxhetore në dy muaj ishin kështu 60.2 miliardë lekë, krahasuar me 52.6 miliardë në vitin 2015. Ministria e Financave ka paraqitur edhe një krahasim me planin. Sipas këtij krahasimi, të ardhurat totale janë realizuar afërsisht 586 milionë lekë më shumë se plani 2-mujor i vitit 2016, ndërkohë që të ardhurat nga “Tatime dhe Dogana”, përfshirë kontributet nga Sigurimet Shoqërore, janë realizuar në masën 103% krahasuar me planin ose 1.3 miliard lekë më shumë.
Të ardhurat nga akciza janë realizuar 12.05% më shumë se plani, por të ardhurat nga renta minerale janë realizuar në vlerën 327 milion lekë, -20.63% krahasuar me 2 mujorin parë tëvitit 2015 dhe -42% krahasuar me planin, të ndikuara nga rënia drastike e çmimit të naftës bruto në tregun ndërkombëtar.
Të ardhurat neto nga TVSH-ja janë realizuar në masën 100% e planit, kurse të ardhurat nga Tatimi mbi Fitimin dhe të Ardhurat Personale janë realizuar përkatsisht 125% dhe 103%.
Por, mbetet problem çështja e shpenzimeve, që paraqesin dobësi, si në sasi, ashtu edhe në destinacionin e tyre. Shpenzimet më të rëndësishme, që kontribuojnë në ekonomi dhe punësim, në fakt janë 50 për qind më të ulta se një vit më parë, duke kaluar nga 3.6 miliardë lekë në dy muajt e parë të vitit të kaluar, në 1.8 miliardë lekë këtë vit. Kjo, në një kohë kur shpenzimet operative e të mirëmbajtjes, jo vetëm që nuk janë ulur, por madje janë rritur në masën 23.7 për qind.
Në total, shpenzimet rezultojnë gati 14 për qind më të ulta krahasuar me vitin 2015. Niveli i ulët i shpenzimeve publike dhe tejkalimi me 586 milionë lekë në të ardhurat e planifikuara është shoqëruar me një sufiçit prej 9.9 miliardë lekësh në fund të shkurtit, e për rrjedhojë, një pozitë më shumë të favorshme buxhetore. Një vit më parë buxheti kishte deficit 4.7 miliardë lekë, pra sivjet është arritur një performancë tri herë më e mirë nga periudha dymujore 2015. Por, ndërkohë që është deklaruar zyrtarisht se janë paguar të gjitha borxhet e prapambetura për subjektet, të trashëguara nga qeveria ’Berisha’, opinioni është në pritje të shohë vërshimin e fondeve drejt investimeve.
Vetëm se një gjë të tillë ende e pengon borxhi publik, që ka kaluar “stekën” e 70 përqindëve na raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto të vendit. Dhe, teksa qeveria shqiptare në fund të vitit që shkoi pastroi mbi 60 miliardë lekë detyrime të prapambetura, borxhe të reja po duken në sfond. Fondi Monetar Ndërkombëtar gjatë Deklaratës në mbyllje të Misionit për Konsultimet për Nenin IV dhe shqyrtimin e shtatë të Marrëveshjes së Zgjeruar, vuri në dukje se, borxhet e prapambetura të pushtetit lokal tashmë janë një rrezik i ri fiskal.
FMN duke ju referuar të dhënave të Ministrisë së Çështjeve vendore ka zbuluar disa detyrime që mund të jenë të prapambetura, prej rreth 0,6 për qind të PBB-së, sipas të dhënave deri në mes të vitit 2015. Sipas të dhënave të qeverisë, borxhi i prapambetur i zbuluar nga një proces auditi në njësitë e reja vendore kap shumën e 65 milionë eurove.
Borxhet
Interesi mësatar 5.31%, në nivelin më të ulët historik
Ndonëse borxhi publik ka arritur majat më të larta, së paku interesat janë në nivelet minimale historike. Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, në fund të vitit 2015, borxhi publik preku vlerën e 1.043 trilionë lekë, ose afërsisht sa 72.2% e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Ndërkohë, interesi mesatar i borxhit të brendshëm zbriti në 5.31%, më i ulëti i regjistruar ndonjëherë. Interesi mesatar i borxhit ka ardhur në rënie të vazhdueshme që prej vitit 2009, kur preku edhe nivelin më të lartë historik, me 8.95%.
Rënia e interesave të borxhit është ndihmuar padyshim nga politika monetare lehtësuese, gjendja e lartë e likuiditetit në sistemin bankar, por, në fund të vitit të kaluar, edhe nga vendimi i qeverisë për të ulur huamarrjen e brendshme. Ulja e interesave të borxhit kompenson pjesërisht rritjen me ritme të shpejta të barrës së borxhit në vitet e fundit, por nga ana tjetër, favorizon edhe një proces tjetër që qeveria shqiptare ka ndërmarrë prej vitesh, atë të zgjatjes së maturitetit mesatar të borxhit publik.
Maturiteti mesatar i letrave të borxhit të qeverisë ka arritur në rreth 700 ditë, ndërkohë që në fund të vitit 2012 ishte rreth 360 ditë. Zhvendosja e borxhit drejt afateve të gjata të maturimit ul rrezikun e rifinancimit, pasi interesi i investitorëve mund të ndryshojë në periudha të ndryshme. Fakti që mbi 86% e stokut të letrave të borxhit janë me interesa fikse i jep mundësinë qeverisë të sigurojë interesa të qëndrueshme, pavarësisht nga luhatjet e tregjeve. Rritja e maturitetit mesatar të borxhit të brendshëm është bërë në një periudhë të favorshme, duke arritur njëkohësisht zgjatjen e maturitetit të borxhit, por edhe uljen e interesit mesatar.
Fondi Monetar
Ndërkommbëtarët këmbëngulin për konsolidimin fiskal
Pas vizitës së misionit të FMN-së në Shqipëri, FMN publikoi deklaratën përmbyllëse ku kërkon që konsolidimi fiskal të vazhdojë për të ulur dobësitë fiskale dhe për të siguruar qëndrueshmërinë e borxhit. Bilanci primar pritet të përmirësojë me rreth 2¼ për qind të PBB-së në vitet 2014-2016, duke arritur një suficit primar këtë vit.
“Pas kësaj, autoritetet duhet të vazhdojnë me objektivin e tyre të uljes së borxhit publik nën 60 për qind të PBB-së nga 2019, e cila kërkon ulje me rreth 1 për qind të PBB-së çdo vit”. Për të ankoruar pritjet afatgjata, autoritetet duhet të miratojnë një rregull fiskal mbështetur nga një këshilli fiskal i pavarur. Për më tepër, menaxhimi i borxhit duhet të zgjasë më tej pjekurinë e borxhit publik dhe të diversifikuar bazën e investitorëve, duke ulur rreziqet që dalin për financimin e nevojave, të cilat mbeten të larta.
FMN bën thirrje që autoritetet shqiptare të përshpejtojnë punën për kadastrën fiskale, me qëllim të aplikimit të tatimit nbi pronën në deri në fund të vitit 2017. Fondi vuri në dukje gjithashtu se qeveria duhet të pezullojë përjashtimet e tjera tatimore apo trajtimet preferenciale të taksave dhe duhet të përpiqet për të hequr përjashtimet ekzistuese.
Stafi i FMN vuri në dukje se Shqipëria gradualisht po shërohet nga një ngadalësim i zgjatur rritjes ekonomike. Rritja e Investimeve të Huaja Direkte në projekte të mëdha që kanë të bëjnë me energjinë pritet gjithashtu nxisë rritjen në afat të shkurtër.
Redaksia Online
(E.Ç./Shqiptarja.com)