'Rrjedh në gjak, e kemi prekur baltën që fëmijë', babë e bir në Poçeri, si e ka trashëguar familja Fushaj artizanatin në 5 shekuj

Një ‘oaz’ artizanal të fton drejt Farkës së Madhe. Poçeria mbahet ende gjallë nga një grusht familjesh. Fushajt, janë ndër mjeshtrit më në zë të Tiranës e përtej saj, dhe e trashëgojnë zanatin prej 5 shekujsh.

“Unë jam Fiqiri Fusha, poçar! E kam prekur baltën që fëmijë, e prej asaj kohe nuk i jam ndarë këtij zanati. E kemi të trashëguar brez pas brezi, që 500 vite më parë kur erdhëm në Tiranë, e të parët nisën të merren me këtë punë”, thotë poçari Fiqiri Fusha.

Poçeria Fushaj ka krijuar historinë e vet e është vizituar prej figurave kyçe në periudha të ndryshme. Nga Mehmet Shehu gjatë Luftës Antifashiste, tek personalitetet e ditëve të sotme. Ndër më të fundit që ka parë nga afër procesin e punës ka qenë aktorja Rajmonda Bulku pak muaj më parë. Edhe për personazhet e njohur shqiptar, tavat e dheut mbeten më të kërkuarat...

“Më herët më e kërkuara ka qenë vorba, ku shqiptarët brenda a jashtë kufijve e mernin për të zier groshët. Ndërsa tani kryeson tava e dheut. Po ashtu ne prodhojmë vazo, amfora e të tjerë”, shton më tej.

Porositë, siç rrëfen vit pas viti shënojnë rënie.

“Kanë ardhur në rënie, por kryesisht klientët tanë janë nga restorantet, emigrantët që jetojnë jashtë, apo të pasurit”, rrëfen poçari.

Nga përzgjedhja e baltës që kryesisht e gjejnë në Fushë Krujë, tek përzierja me shtufin, pastrimi e pjekja në furrë, procesi për të pasur enën e dëshiruar prej balte është i gjatë dhe e gjithë puna realizohet në mënyrë artizanale. Me kujdesin e duhur që ena t’u rezistojë temperaturave, e jetëgjatësia e saj t’i kalojë 3 dekada, apo në rastin më të mirë të shënojë një shekull. Kundrejt kësaj pune, shpërblimi monetar është minimal e nuk e justifikon lodhjen.

“Tani më këtë artizanat vetëm mbijetohet, puna ka rënë. Bëhet më e vështirë dita-ditës”, shton Fusha.

Nga fëmijëria kur e nisi zanatin, thotë se shumë pak ka ndryshuar, përpos lehtësirave të transportit, e zbehjes së prodhimtarisë që kërkon edhe vëmendje institucionale.

“Mbështetja nevojitet për ne artizanët. Ne kemi një nga profesionet më të vjetër në botë, gjithçka e prodhojmë me dorë, ndaj dhe shteti duhet që të kujdeset që zanati ynë të mos humbasë”, rrëfen ai.

Për të siguruar jetëgjatësinë e poçarisë brenda familjes, Fiqiriu e ka trashëguar zanatin edhe tek i biri. I rritur në një ambient poçarësh, Erlindi tenton të krijojë enën e tij të parë prej balte që në moshë të hershme.

“Enën e parë e kam krijuar që në moshën 4-5 vjeçe. Jam rritur duke parë babanë, vëllezërit e gjyshërit që punonin në poçari. E tanimë mund të them se kam arritur të marë diçka prej mjeshtërisë së secilit prej tyre”, thotë Erlindi, i biri i Fiqiri Fushës.

Ky është portreti në qeramikë i gjyshit të tij poçar, i realizuar prej Erlindit. I shoqëron gjatë orëve të gjata të punës në poçeri. Ai është një prej studentëve më premtues në Universitetin e Arteve. Vijon vitin e parë master duke lëvruar disa gjini të arteve pamore e kryesisht skulpturën. Thotë se drejt kësaj rrruge e çoi pikërisht puna me qeramikën…

“Nuk do të shkëputes ha në të ardhmen nga asnjëra. Edhe pse ishte puna me baltën, qeramikën që më çoi drejt skulpturës e Fakultetit të Arteve të Bukura”, thotë Fusha. 

A.M./KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni vendimin e Partisë Socialiste evropiane për të përjashtuar Ilir Metën nga Kongresi pas aleancës me Berishën?



×

Lajmi i fundit

Komuniteti Politik Europian, Rama nga Praga: Të bashkuarit, rruga e vetme për të kaluar këtë periudhë krize! Europa në prag të një lufte të mundshme të Tretë Botërore

Komuniteti Politik Europian, Rama nga Praga: Të bashkuarit, rruga e vetme për të kaluar këtë periudhë krize! Europa në prag të një lufte të mundshme të Tretë Botërore