Rrjet i ri ujësjellës në Rrëshen, përfitojnë 16 mijë banorë/ Balluku: Garanton furnizim 24 orë me ujë

Rrjet i ri ujësjellës në Rrëshen, përfitojnë 16 mijë banorë/ Balluku: Garanton furnizim 24 orë me ujë

Në qytetin e Rrëshenit dhe zonat përreth shumë shpejt do të marrë zgjidhje problemi i furnizimit me ujë të pijshëm. Ndërtimi i rrjetit të ri shpërndarës, i cili pritet të përmbyllet brenda muajit korrik, garanton furnizim 24 orë me ujë të pijshëm për afro 16 mijë banorë të kësaj zone.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizime dhe Infrastrukturës së Mbetjeve, Alqi Bllako dhe kryetarin e Bashkisë Mirditë, Ndrec Dedaj ndoqën nga afër ecurinë e punimeve.

Drejtori Bllako bëri të ditur se ky investim përfshin ndërtimin e një depoje të re, vendosjen në funksion të dy pompave si dhe ndërtimin e rrjetit të ri shpërndarës prej 12 kilometrash duke bërë të mundur që çdo abonentët të lidhet me këtë rrjet për të shmangur në këtë mënyrë edhe abuzimet.

“Janë 12 kilometra rrjet i brendshëm që rinovohen tërësisht fal këtij investimi. Gjithashtu ndërtohet një depo e re 1 mijë metra kub. Do të rinovojmë pothuajse tërësisht stacionin e pompimit me dy pompa të reja të cilat do të pompojnë gati 40 litra në sekondë dhe do të ulin koston e energjisë me mbi 50 përqind. Projekti është drejt përfundimit dhe brenda muajit korrik do të jetë tërësisht funksional”, u shpreh Bllako.

Për kryebashkiakun e Mirditës, Ndrec Dedaj, investimi në rrjetin e ujësjellësit ishte i domosdoshëm për banorët e Rrëshenit.  “Ishte një investim  i domosdoshëm, që nga viti ’68-të nuk është vënë dorë në këtë ujësjellës. Ky investim do t’i mundësojë qytetit të Rrëshenit 24 orë ujë“, tha Dedaj. Kreu i Bashkisë Mirditë nënvizoi gjithashtu se ka përfunduar projekti edhe për furnizimin me ujë të pijshëm të Rubikut dhe aktualisht është duke u punuar për projektin e Repsit, në mënyrë që edhe këto dy qendra urbane të kenë furnizim të pandërprerë me ujë të pijshëm.

Nga ana e saj, ministrja Belinda Balluku theksoi se ky investim ndikon drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve duke u siguruar atyre jo vetëm 24 orë furnizim me ujë të pijshëm por edhe me cilësi. Ministrja e Infrastrukturës bëri të ditur se depoja e re e ndërtuar përmbush të gjitha kushtet sanitare teksa solli në vëmendje edhe faktin se në këtë rrjet nuk ishte investuar që prej vitit ’68-të.

“Ky është një investim i shkëlqyer sepse ndikon direkt në cilësinë e jetës së qytetarëve dhe është shumë i rëndësishëm fakti që nuk është vetëm Rrësheni por edhe Rubiku dhe Repsi, domethënë mbulojmë gjithë zonën. Edhe kjo depo e re me të gjitha kushtet sanitare që duhet të ketë dhe të gjitha parametrat, për të ofruar shërbim mbas kaq vitesh, pasi që në vitin '68 nuk ka pasur një ndërhyrje të thellë”, nënvizoi Balluku.

Aktualisht kanë përfunduar punimet në stacionin e pompimit dhe shtrirjen e tubacionit kryesorë ndërkohë që janë drejt fundit punimet për ndërtimin e rezervuarit si dhe po punohet për lidhjen e abonentëve me rrjetin kryesor. Linja e re e stacionit të pompimit në depo do të mundësojë eliminimin e defekteve dhe lidhjet abuzive, dyfishimin e presionit të nevojshëm nga 25 në 50 litra/ sekondë si dhe kursen energji elektrike duke i ardhur në ndihmë rritjes së performancës së UK Mirditë.

G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi/ PS dhe PD ndajnë nga 4 mandate deputetësh në Shkodër

Sondazhi/ PS dhe PD ndajnë nga 4 mandate deputetësh në Shkodër