Ketë të martë, në ditën e 33 të protestës, banorët kanë shkuar sërish në zonën e kantierit, edhe pse më shumë se 20 burra e djem të fshatit janë në komisariat të arrestuar, të vetëdorëzuar një ditë më parë pasi ndaj tyre rëndojnë akuzat e "Shkatërrimit të pronës" dhe "Plagosje e rëndë’.
Banorët shprehen të vendosur të vijojnë qëndresën e tyre. Ata thonë se në bashkëbisedim që kanë bërë, biznesmeni Bashkim Ulaj u ka ofruar kushte aspak te favorshme.
“Gruaja ime është brez i dytë këtu. Më vjen keq, i kam shërbyer 47 vite shtetit shqiptar me uniformë. Më vjen keq që shoh skenë të turpshme prej 1 mua nga policia, nga shokët, familjarët tonë, nga uniforma që supozohet me i mbrojt këta banorë. Shteti po i del zot një individi pa e ditur cila është e vërteta”, tha një banor.
“Janë zhvilluar 3 takime dhe marrëveshja u krijua e njëanshme. Donin të bënin marrëveshje për 1/10 të pronës. Na u ofrua që të merrnim 20% të ndërtimit. Por një pikë e rëndësishme ishte se kjo marrëveshje do të ishte që pas 5 viteve kur të përfundojnë ndërtimet, 20% do e merrte ai që ka certifikatën e pronësisë. Këtë e ka Fatmir Shpellza. Kush më garanton mua që për 5 vite unë do të marr certifikatën e pronësisë nga gjyqet?”, tha një tjetër banore.
Ndërkohë policia ka arrestuar 7 banorë të Rrjollit pas përplasjeve të dhunshme të 28 shkurtit me rojet private të “Breçani Security” të kontraktuar nga Ulaj për ruajtjen e punonjësve dhe të kantierit të ndërtimit.
Para një muaji, botuesi Bashkim Ulaj, qe gëzon statusin e investitorit strategjik nisi punën për ndërtimin e “Blu Borgo”-s në një sipërfaqe prej 146 hektarësh. Ky truall është objekt konflikt prej vitesh, pasi banorët pretendojnë se ua ka grabitur tokat me dokumente false, një ish-zyrtar që më pas ia ka shitur Ulajt. Të vendosur, banorët e Rrjollit shprehen se nuk lejojnë ndërtimin e resortit derisa drejtësia të vendosë për pronat.
Komente











