Rruga e gjatë e Shqipërisë për në Katar/ Dy fitore në grup (patjetër ndaj Polonisë) të dërgojnë në play-off, por për në Botëror ka edhe dy pengesa të mëdha

Rruga e gjatë e Shqipërisë për në Katar/ Dy fitore në grup (patjetër ndaj Polonisë) të dërgojnë në play-off, por për në Botëror ka edhe dy pengesa të mëdha

Futbollistët festojnë golin e Brojës ndaj Hungarisë

Ta themi që në fillim që Shqipëria është në një pozitë shumë shumë të mirë në grupin e saj kualifikues dhe ëndrra Botëror mbetet gjallë. Do të ishte hera e parë për Shqipërinë në një Kupë Bote dhe kjo e bën historik këtë moment. Fitorja ndaj Hungarisë ishte shumë e rëndesishme, e domosdoshme që të kemi fatin në dorën tonë dhe ajo erdhi. Na duheshin tri pikët në Budapest dhe ato i morëm falë "ëngjëllit" Armando Broja që edhe njëherë tjetër u tregua vendimtar dhe tregoi se sa vlen. Jemi të dytët në grupin tonë kualifikues me 15 pikë në 7 ndeshje duke koleksionuar 5 fitore dhe dy humbje.

Nuk e kemi garën me Anglinë që është 4 pikë larg nesh dhe me shumë mundësi do e sigurojë direkt si vend i parë biletën për në Katar. Pas ndeshjes së të shtunës nuk e kemi garën as me Hungarinë që është 5 pikë më pak se kuqezinjtë dhe me një kalendar shumë më të vështirë në 3 ndeshjet e mbetura. Atëherë garën e kemi vetëm me rivalin e së martës në mbrëmje në "Air Albania", Poloninë e Lewandoëskit. Polakët janë në vendin e tretë në grup me 14 pikë një pikë më pak se Shqipëria por me një kalendar më të favorshëm se ne në dy ndeshjet e nëntorit. Gjithsesi përpara se të bëjmë llogaritë për dy ndeshjet e fundit në grup që luhen në nëntor duhet të themi një gjë. Për të mbajtur gjallë ëndrrën Botëror dhe vendin e dytë në grup të martën ndaj Polonisë duhet fitore, fitore dhe vetëm fitore. Çdo rezultat tjetër do bënte që fatin të mos e kishim më në dorën tonë duke llogaritur këtu që në nëntor në Londër ndaj Anglisë do jetë e vështirë të fitosh pasi në ndeshjen ndaj Shqipërisë anglezët me shumë gjasë vulosin kualifikimin.

Për të shkuar në Katar në Kupën e Botës Shqipëria fillimisht duhet të mbaj vendin e dytë në grup që do të thotë faza play-off dhe më pas të jetë fituese e grupit të saj në play-off.

Por si ruhet vendi i dytë në grup. Llogari e thjeshtë në letër por e vështirë në fushë. Shqipëria ka edhe tre ndeshje për të luajtur në grupin kualifikues me Poloninë dhe më pas në nëntor ndaj Anglisë në Londër e Andoras në Tiranë. Vendi i dytë "blindohet" me 6 pikë në këto tre ndeshje ku një tripikësh duhet ta sigurojmë patjetër ndaj Polonisë rivalit direkt dhe një tjetër shanset janë ndaj Andoras në ndeshjen e fundit në grup.

Dakord, u sigurua play-off por si shkohet më pas në Katar. Edhe këtu Shqipëria dhe Reja me djemtë e tij duhet të kalojnë dy pengesa të mëdha.

Zona europiane dërgon në Kupën e Botës në Katar 13 skuadra. 10 kualifikohen direkt dhe janë 10 fitueset e grupeve pra ato që e mbyllin në vendin e parë. Ndërsa për 3 vendet e tjera të mbetura do të jetë një "luftë" mes 12 ekipeve që do të përballen në play-off. Faza play-off e Kupës së Botës që ndeshjet do ti zhvillojë në mars të vitit tjetër do të përbëhet nga 12 ekipe. 10 ekipe janë vendet e dyta të grupeve kualifikuese dhe 2 ekipe do të jenë nga më të mirat e Ligës së Kombeve. Këto 12 ekipe do të ndahen në tre grupe me nga 4 skuadra dhe tre fitueset e grupeve do të shkojnë në Botëror. Nëpërmjet shortit 12 ekipet do ndahen në tre grupe. Në çdo grup do të ketë dy ndeshje gjysmëfinale që do të jenë me tek ndeshje dhe më pas fitueset e gjysmëfinaleve po me tek ndeshje do luajnë finalen. Kush e fiton finale  shkon në Katar.

E thënë më thjesht për Shqipërinë. Kuqezinjtë e kapën vendin e dytë në grup por për të shkuar në Katar do të duhet të fitojnë edhe dy ndeshje të tjera të fazës play-off ndaj ekipeve të tjera që kanë mbyllur në vend të dytë grupet respektive ose ndaj dy ekipeve që do zgjidhen si më të mirat e Ligës së Kombeve. Që e gjitha kjo do të thotë se rruga për në Katar do të jetë e gjatë por absolutisht jo e pamundur. Pasi në një moment qe sigurojmë vendin e dytë në grupin tonë më pas në play-off do të kemi kundërshtarë ekipe po të vendeve të dyta që edhe mund të kalohen. Momentalisht në vendet e dyta në grupet kualifikuese janë Portugalia, Suedia, Zvicra, Ukraina, Çekia,Skocia, Norvegjia Rusia dhe Maqedonia e Veriut.

Me dy fitore në grup llogaritur patjetër atë me Poloninë shkon në play-off por për në Katar të duhen edhe dy fitore të tjera në grupin e play-off që do shortohemi dhe do ndeshemi me ekipet e tjera të renditura në vendet e dyta.

Nëse Shqipëria nuk e arrin vendin e dytë në grup ka edhe një mundësi për të shkuar në play-off si një nga dy ekipet më të mira të Ligës së Kombeve pasi ne jemi fituesit e grupit tonë në Ligën C por kjo është më e vështirë të ndodhi.

Shqiptarët anë e kënd Botës pas fitores ndaj Hungarisë ëndërrojnë Botërorin por rruga është shumë e gjatë. Ka vështirësi të mëdha, ekipe të forta dhe duhet edhe fat por e pamundur nuk është. Për të kaluar pengesën e parë në një rrugëtim me 4 pengesa për në Botëror na duhet të mposhtim së pari Poloninë dhe këtë duhet ta bëjmë patjetër. Ndryshe ëndrra Botëror mund të sfumohet që të martën në "Air Albania".

M.Q./B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • florand sela: 13/10/2021 21:15

    ti dënoni me gjob se ato që do paguajmë në fifa i paguan taksapaguesi dhe jo gjith populli, se spaguajn të gjithë!!

    Përgjigju
  • Velipoj: 10/10/2021 17:01

    Me ba me u mobilizu si ateher me Grekun edhe Polonin e munim!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kamberi: Nëse protestat 'shuhen', Vuçiç do e çojë Serbinë në diktaturë

Kamberi: Nëse protestat 'shuhen', Vuçiç do e çojë Serbinë në diktaturë