Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi dhe drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ami Kozeli, kanë inspektuar ecurinë e punimeve për rrugën Kombinat-Ndroq-Plepa, me synimin për përfundimin e të gjithë aksit deri në Durrës.

Sipas ministrit Karakaçi, 5 kilometrat e parë deri në Pezë kanë përfunduar dhe janë marrë në dorëzim nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.

Ndërkohë, ARRSH ka finalizuar kontratat për ndërtimin e 9 kilometrave të tjerë, ndërsa segmenti prej 10 kilometrash deri në Plepa është financuar dhe procedura e konkurrimit pritet të hapet deri në mesin e nëntorit.

Karakaçi theksoi se përfundimi i këtij aksi do të krijojë një alternativë të rëndësishme për qarkullimin drejt Durrësit dhe jugut të vendit, veçanërisht gjatë sezonit turistik.

Sipas tij, rruga do të lehtësojë gjithashtu aksesin për zonat bujqësore dhe do të ndikojë në rritjen e vlerës së pronave përgjatë itinerarit.

“Po marrim të gjithë hapat e nevojshëm për të përmbyllur rrugën Kombinat-Plepa. Tashmë 5 kilometërshi i parë që të çon deri në Pezë është i përfunduar dhe tashmë e ka marrë në dorëzim Autoriteti Rrugor Shqiptar. Lajmi i mirë është që ditën e djeshme Autoriteti Rrugor Shqiptar ka finalizuar kontratën për vijimin e 9 kilometrave pasues. Ndërsa, po ashtu, që është element i rëndësishëm për shkak të rëndësisë që ka ky segment rrugor është që dhe 10 kilometërshi që të çon deri në Durrës, në Plepa, tashmë është i financuar. Autoriteti Rrugor Shqiptar po përmbyll gjithë dokumentacionin e nevojshëm që brenda mesit të muajit nëntor të hapë procedurën e konkurrimit. Pra kemi një segment tashmë Kombinat-Plepa, i cili është i financuar. 9 kilometrat vijues tashmë janë lidhur ditën e djeshme nga Autoriteti Rrugor Shqiptar kontratat dhe 10 kilometrat pasues që të çojnë deri në Durrës janë të financuar dhe brenda mesit të muajit nëntor hapim procedurën konkurruese.

Pse është i rëndësishëm ky segment dhe ne në fakt e kemi vënë në fokus që gjatë këtij viti të kemi mbyllur kontraktimin e gjithë segmentit që shkon deri në Durrës? Sepse së pari, është një rrugë alternative që të çon deri në Durrës, shumë e përdorur sidomos gjatë sezonit turistik. E dyta, këtu kemi një zonë bujqësore dhe është edhe më e thjeshtë dhe më e shpejtë tashmë aksesi me qytetet kryesore, Tiranën dhe Durrësin. Por, po ashtu, kjo është një zonë piktoreske, dhe bëjmë edhe rritjen e vlerës së pronës për gjithë këtë zonë dhe këtë segment. Ami, disa informacione çfarë përmban, e di që ka disa vepra arti, disa ura të cilat janë të rëndësishme që qytetarët dhe banorët na kanë ngritur disa herë shqetësim. Kemi dhe një kontratë te ura e Beshirit, e cila po ashtu shqetësim i vazhdueshëm dhe që kemi tashmë një kontratë të lidhur nga Autoriteti Rrugor Shqiptar”, tha mes të tjerash ministri Karakaçi.

Nga ana tjetër, drejtori i ARRSH-së, Ami Kozeli, bëri të ditur se rruga do të jetë e kategorisë C1, me gjerësi 12.5 metra dhe dy karrexhata të plota.

Projekti parashikon gjithashtu ndërtimin e urës së re të Beshirit mbi lumin Erzen, paralelisht me urën ekzistuese.

Ura e re do të ketë gjatësi 179 metra dhe gjashtë hapësira, ndërsa kontrata për ndërtimin e saj është lidhur në korrik të këtij viti dhe ka afat 12 muaj.

Kozeli njoftoi se punimet për urën kanë nisur me piketimet dhe lirimin e sheshit të ndërtimit, ndërsa kontratat për dy segmentet e tjera të rrugës kanë afat zbatimi 24 muaj.

“Sikurse e thatë edhe ju ministër, kjo është një rrugë e një rëndësi të veçantë, veçanërisht për shfryrjen e trafikut drejt jugut edhe drejt qytetit të Durrësit. Kjo do të jetë një rrugë e kategorisë C1, me një gjerësi 12.5 metër. Do jenë dy karrexharatë të plota me gjerësi 3.75 metër, ndërkohë që do ketë edhe dy bankina të asfaltuara nga 1.5 dhe dy bankina të pa asfaltuara nga 1 metër të gjëra. Po është e vërtetë, në korrik të këtij viti kemi lidhur dhe një kontratë për ndërtimin e urës së re të Beshirit, do jetë një urë e re mbi lumin Erzen, paralel me urën ekzistuese. Kjo do jetë një urë me gjatësi 179 metër me 6 hapësira dritë, ku katër janë me 30 metër njëra nga tjetra, ndërkohë dy me 29.5.

Në Këshillin Teknik të Autoritetit Rrugor Shqiptar ne kemi marrë dhe masat e nevojshme për të bërë një rakordim midis rrugës ekzistuese dhe urës së re të projektuar, ndërkohë që aty ka nisur praktikisht puna, pasi janë bërë gjithë piketimet e nevojshme, është bërë lirimi i sheshit të ndërtimit dhe kontraktori është në punë për të vijuar. Kjo kontratë është 12 mujore, ajo e urës së Beshirit është 12 mujore, ndërkohë që dy kontratat që ju cituat janë me gjatësi 24 muaj dhe Autoriteti Rrugor, sikurse dhe këtë kontratën e parë, do e mbylli në kohë, nuk parashikojmë të kemi vështirësi në mbylljen në afat të kontratës”, tha drejtori i ARRSH-së, Ami Kozeli.

Ministri Karakaçi kërkoi që puna të nisë sa më parë për 9 kilometrat e kontraktuar dhe që, pas hapjes së garës për segmentin e fundit, kontratat të lidhen në fillim të janarit, me synimin për të siguruar vijimësinë e projektit deri në Plepa.

“Ju do vazhdoni punën për të gjithë segmentet pasuese. Është e rëndësishme që puna të nisë sa më parë për dy kontratat që tashmë ne i kemi lidhur ditën e djeshme, që janë rreth 9 kilometra. Besoj që brenda fillimit të nëntorit do të fillojë mobilizimi i kantierit, pasi më sqarove që ka filluar edhe piketimi i rrugëve në kantier dhe është shumë e rëndësishme që të ecim dhe me segmentin vijues 10 kilometra që në qoftë se ne e shpallim brenda mesit të nëntorit, ne duhet të kemi diku nga fillimi i janarit kontratat të lidhura edhe për ato. Është një gjë shumë e rëndësishme pasi i japim përmbylljen e gjithë këtij segmenti”, përfundoi Karakaçi.