Nga janari i vitit 2021 bizneset me xhiro deri 10 milionë lekë në vit nuk kanë paguar TVSH. Premtimi ishte se një lehtësi e tillë do të mbetej në fuqi deri në 2029-ën.
Por qeveria ka vendosur të bëjë një hap pas, duke e ulur pragun nga 10 milionë në 5 milionë lekë në vit. Nga 1 janari i 2027-ës, të gjitha bizneset me xhiro mbi 5 milionë lekë do të paguajnë TVSH-në, e parashikuar tanimë prej 21%.
Në relacionin që shoqëron këtë vendim që do të miratohet në qeveri, thuhet se kufiri i regjistrimit të bizneseve për TVSH, në Shqipëri është më i larti në të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Ulja e kufirit minimal të regjistrimit synon rritjen e formalizimit të aktivitetit ekonomik dhe krijimin e një kuadri fiskal më gjithëpërfshirës dhe transparent, nëpërmjet formalizimit të mëtejshëm të zinxhirit të transaksionit të mallrave dhe shërbimeve, si dhe zgjerimit të mëtejshëm të bazës së tatimpaguesve”, thuhet në relacion.
Nga kjo ulje e pragut preken 17.516 tatimpagues që do të futen në skemën e TVSH-së, e praktikisht do të nisin ta paguajnë.
“Përfshirja e subjekteve në regjimin normal të TVSH-së mundëson deklarimin e transaksioneve të shitjeve dhe blerjeve nga të gjitha palët e përfshira në transaksion, duke mundësuar gjithashtu kryqëzimin e këtij informacioni në funksion të mirëadministrimit të tatimit”, thuhet në relacion.
Buxheti i shtetit pritet të përfitojë 4.5 miliardë lekë të ardhura shtesë.
Barrë e rritur fiskale dhe për bizneset e mëdha me xhiro mbi 14 milionë lekë. Tatimi mbi të ardhurat për korporatat apo thënë më thjeshtë, tatimi mbi fitimin, nga 15% aktualisht shkon në 17% prej vitit që vjen.
Shoqata ProEksport Albania thotë se rritja e tatimit vetëm e rëndon edhe më shumë gjendjen e sipërmarrjes, ndërsa nuk është parashikuar asnjë masë lehtësuese.
Rritje e fortë dhe për dividentin. Sipas propozimit, pjesa e fitimit neto që një shoqëri u shpërndan aksionarëve, rritet në 15 përqind, nga 8 përqind që është në fuqi nga viti 2019.












Komente
Komento