Ministria e Financave ka kallëzuar penalisht për "shpërdorim detyre" dhe "shkelje të barazisë në tendera", ish- ministrin Ridvan Bode dhe ish-zv/ministrin e Financave, Shefredin Shehun.

Burime pranë organit të akuzës bëjnë të ditur se kallëzimi penal është depozituar pranë prokurorisë së Tiranës nga drejtues të Ministrisë së Financave dhe në brendësi të saj pretendohet se ish-ministri Bode dhe zëvendësi i tij kanë abuzuar gjatë tenderit për ndërtimin e Rrugës së Kombit.

Sipas burimeve nga prokuroria mësohet se Ministria e Financave dyshon se shkeljet janë bërë gjatë procedurës së tenderit për kredinë prej 230 milion euroshe që nevojitej për të përfunduar në buxhetin e ndërtimit të rrugës së Kombit Durrës-Kukës- Morinë.


Dhe, pikërisht në sajë të shkeljeve të konstatuara, dyshohet se ish-Ministri Bode dhe ish- zv/ministri Shehu i kanë shkaktuar shtetit një dëm prej 60 milionë eurosh.

Sipas padisë, e cila është dorëzuar në Prokurori, kjo kredi është marrë në dy banka me 13 përqind interes. Kjo është shkelje sipas ekspertëve aktualë të Financave shqiptare, pasi ky konsiderohet interes mjaft i lartë dhe dëmi i shkaktuar tek buxhetit i shqiptarëve është 60 milion euro.

Tashmë dokumentacioni është në duart e prokurorisë dhe pritet të nisin verifikimet paraprake të akuzës. Ky është kallëzimi i dytë që qeveria Rama bën për ish-Ministrat e qeverisë Berisha. Nën akuzën ekzekutive ka vënë dhe Arben Imamin, ish-Ministër i Mbrojtjes.

ATSH