TIRANË- Detajet nga rruga Milot- Fier ka qenë në fokus të intervistës së zhvilluar në "Repolitix" në Report Tv, ku ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku ka dhënë detaje nga ky projekt. Është koncesion i pastër, ka sqaruar Balluku, pra që shteti shqiptar nuk do të paguajë asnjë qindarkë nga buxheti i shtetit, teksa ka zbuluar se në garë ka shfaqur interes edhe kompania amerikane që “Bechtel-Enka” ka bërë rrugën e Kombit. Ajo ka zbuluar se nuk ka pranuar që të nënshkruhet një marrëveshje me këtë kompani, sepse ka kërkuar që të bëhet me lekët e shtetit, por që qeveria nuk i ka këto kapacitete. Në këtë garë, Balluku ka theksuar se është më tepër për kompanitë e huaja, pasi ato shqiptare nuk e kanë një kapacitet financiar prej 1.2 mld euro.

"Ne kemi një tendencë ndaj investitorëve europian, do donim shumë që ata që investonin të jenë të stabilizuar, kjo është një garë ndërkombëtare. Shifra e investimit është shumë e madhe dhe e pamundur për investitorët shqiptar. E destinuar për të pasur konkurrent të fortë që kanë fuqi ekonomike për ta përballuar. Në dijeni time, nuk më rezulton një fuqi financiare për ta përballuar këtë rrugë nga kompanitë shqiptare. Kjo shifër është një injektim i huaj që do të vijë në Shqipëri. Ajo është një rrugë e studiuar nga ndërkombëtarët dhe që duhet të bërë, lidh Ballkanin Perëndimor dhe këto fonde nuk ekzistojnë. Është koncesion i pastër, s'kemi të bëjmë me PPP. Nëse koncesionari do të dëshirojë të punojë me nënkontraktorë shqiptar, do jetë nder për ne. Ka treguar interes dhe për këtë rrugë, por në mënyrën se si ata operojnë, ku lloj formati nuk operojnë. Ato duan fonde të buxhetit të shtetit të ndërtojnë. Do doja të kishim kompani amerikane garuese, por ndoshta edhe për shkak të largësisë. Kërkonin 1.2 mld euro për ta ndërtuar këtë rrugë. Na kanë bërë të qartë që nuk operojnë në autostrada. Ne e kemi të pamundur që të financojmë një vepër kaq të madhe. Ky ka qenë argumenti dhe vendimmarrja pse kemi zgjedhur këtë instrument", tha Balluku.

Ministrja ka listuar edhe kriteret që duhet të plotësojë kompania fituese, ku më e rëndësishme është ajo e garancisë financiare që do të japë, me anë të së cilës do të parandalohet që rruga të mbetet vetëm në "letër", pra që fitohet gara, por nuk ka kapacitete për të bërë investimin. Ajo ka sqaruar se fillimish do të bëhet rruga dytësore, e cila do të jetë papagesë dhe më pas autostrada e re.

"Mbi të gjitha, kriteri që do jemi shumë rigoroz është kriteri financiar. Kemi identifikuar shumë projekte të mbetura kanë ardhur si rezultat i mungesës së fondeve për të ushqyer investimit. Se nuk kanë pasur mundësi fianciare, ne kërkojmë garanci. Çmimi sa më i ulët i tarifës së rrugës, dizanji dhe cilësia e rrugës. Në këtë lloj instrumenti financiar është në interes të kompanisë në 35 vite të jetë e një cilësie të mirë. Edhe do e mirëmbajnë. Nuk angazhohen fondet në buxhetin e shtetit, sjell ndërtimin e një korridori të rëndësishëm që lidh Shqipërinë me Malin e Zi dhe Greqisë. Të gjitha rrugët e shpejtësisë me pagesë, do të kenë rrugë alternative. Do të ketë të drejtë e zgjedhjes që do të ketë një rrugë pa pagesë. Aktualisht nuk kemi një rrugë paralele, për këtë arsye në gjurmë ekzistuese ka shumë, do ketë zgjerim, korsi paralele, mbikalime. Këtu investimi është më i komplikuar. Do bëhen rrugët dytësore të parat, pra ajo nacionale nga të cilët qytetarët do të kalojnë papagesë dhe më pas do të nis ndërtimi i autostradës së re", tha Balluku.

Ajo ka përsëritur se gara do të mbyllet në fund të shtatorit, teksa faza e parë është parashikuar që të mbyllet në vitin 2024 dhe në total në vitin 2026.

"Gara mbyllet në fund të shtatorit, më pas fillon vlerësimi, ku flitet për detaje të shumta teknike dhe financiare dhe besoj se deri në fund të këtij viti lidhet kontrata, pastaj nis dizenjimi i planit. 2024 faza e parë dhe në 2026 total", tha Balluku.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 23:10
Bëri 'gafë' në Kuvend? Balluku sqaron pagesën për rrugën Milot- Fier

Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku ka sqaruar edhe atë që u komentua në Kuvend nga disa media si "gafa". Ajo ka sqaruar se pagesa për rrugën Milot-Fier do të shkojë 0.075 euro, ose 7.5 në 100 km.

"Të gjitha rrugët e shpejtësisë që do të ndërtohen me pagesë, do të kenë rrugë alternative. Qytetari të ketë të drejtën e zgjedhjes, mes pagesës minimale 0.075 euro për km, ose rrugën nacionale pa pagesë. Shkon 7.5 euro në 100 km, ky është kriter, mund të vijë gara dhe të ulet ky çmim. Është minimale se flitet për 100 km shpejtësie dhe të ndërprerë në segmente. 0.075 euro për km, sepse se ka dalje. Nuk ka një shumë totale, as ajo shuma abuzive 17.5 euro vajtje ardhje si biletë avioni dhe çudira të tilla është autostradë që do caktohet dhe do paguhet për km. Nëse akseson 30 km do paguash aq rrugë ke bërë shumëzuar me 0.075 euro për km", tha Balluku.