Kjo është gjendja e rrugës nacionale Rrëshen-Burrel, një aks që prej vitesh ka pësuar dëmtime të shumta, duke vështirësuar qarkullimin e automjeteve.

Me gjatësi 31 km, rruga është ndërtuar 13 vite më parë, por më pas është lënë pa mirëmbajtje.

Tashmë ka pësuar shembje të trasesë për shkak të erozionit dhe gropa të shumta në gjithë gjatësinë. Kjo situatë është kthyer në shqetësim të përditshëm për qindra banorë, të cilët flasin për dëmet në automjete.

“Shumë e keqe është rruga. Me makina nuk përballohet. Duhet 30 minuta për të bërë 10 kilometra. Kjo rrugë është në këtë gjendje prej kohësh dhe po dëmton automjetet tona.”- tha një shofer i asaj zone.

Kryetari i Bashkisë Mirditë, Albert Mëlyshi, thotë se ky aks rrugor është në varësi të Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe ka bërë disa here kërkesa për rikonstruksuion.

“Është një nga problemet kryesore që ka e gjithë zona. Kemi pasur disa herë kontakte me institucionet dhe na është thënë se në projektbuxhetin afatgjatë 2025–2029 është përfshirë për t'u rishikuar dhe për të investuar. Por, realisht, këto kanë mbetur vetëm fjalë dhe nuk janë konkretizuar në vepra apo investime.”- tha Mëlyshi.

Rehabilitimi i saj nga ARRSH-ja mbetet domosdoshmëri, pasi lidh bashkitë Mat dhe Mirditë me 30.853 banorë në total.