​Infrastruktura rrugore shërben si arteria kryesore e gjallërisë së një komuniteti duke qenë parakusht i domosdoshëm për zhvillimin ekonomik, social dhe demografik të çdo zone që aspiron për përparim. 

Në këtë kontekst, segmenti rrugor që lidh Sllovën me Kalisin nuk përfaqëson thjesht një ndërhyrje teknike në terren por një domosdoshmëri jetike për ruajtjen e lidhjeve historike, familjare dhe ekonomike të dy fshatrave që ndahen nga lumi Veleshicë. Kalisi thuajse vazhdimisht lidhjet tregtare dhe jo vetëm i ka pasur me Peshkopinë dhe me asfaltimin e këtij segmenti qyteti do të ishte shumë pranë tyre duke afruar edhe shërbime. 

Zhvillimi i kësaj zone është ngushtësisht i lidhur me këtë infrastrukturë pasi pa një rrugë funksionale, potenciali i plotë i krahinës mbetet i pashfrytëzuar dhe i izoluar nga qarqet kryesore ekonomike ndërsa gjendja aktuale e këtij segmenti e karakterizuar nga amortizimi i theksuar paraqet një pengesë serioze për prosperitetin e zonës.  

​Aktualisht banorët detyrohen të përshkojnë itinerare alternative si ai përmes Kalasë së Dodës i cili e zgjatë kohën e udhëtimit në mënyrë joproporcionale duke arritur deri në një orë e njëzet minuta ose të përshkruaj segmentin aktual i cili ka problematika serioze qoftë për respektin e pjerrësisë, por edhe fakti që mundëson kryesisht makina 4x4. 

Projekti i propozuar për asfaltimin e segmentit të drejtpërdrejtë me një gjatësi prej gjashtë deri në tetë kilometrash ofron një zgjidhje efikase që do të shkurtonte kohën e udhëtimit me dyzet minuta duke kthyer kohën e humbur në një burim të vyer për familjet, sipërmarrjen dhe zhvillimin e përgjithshëm lokal. 

Ndërtimi i kësaj rruge tejkalon konceptin e thjeshtë të infrastrukturës pasi përbën një investim strategjik në dinjitetin e njerëzve, në historinë tonë të përbashkët dhe në garantimin e një të ardhmeje më të qëndrueshme për brezat e ardhshëm.  

​Ndikimi negativ i infrastrukturës së amortizuar i manifestuar përmes gropave, erozionit dhe mungesës së sistemeve të kullimit sjell kosto të larta për mirëmbajtjen e automjeteve, humbje të konsiderueshme kohe dhe rreziqe konstante për sigurinë e qytetarëve. 

Përkundrazi, realizimi i këtij projekti është jetik për zhvillimin pasi përmirësimi i aksesueshmërisë do të shërbejë si një katalizator për tërheqjen e vizitorëve duke vënë në pah potencialin turistik të krahinës i cili është çelësi për gjallërimin ekonomik të zonës. 

Lehtësimi i transportit do të reduktojë kostot për fermerët duke rritur ndjeshëm konkurrueshmërinë e produkteve lokale në treg dhe duke nxitur rritjen e prodhimit, ndërsa aksesi i shpejtë për shërbimet e emergjencës si autoambulancat dhe mjetet zjarrfikëse është thelbësor për mbrojtjen e jetës dhe pronës së qytetarëve. 

Krijimi i kushteve moderne të jetesës mbetet hapi themelor për të ofruar perspektivë për rininë dhe për të ndalur procesin e zbrazjes demografike duke mbajtur gjallë jetën në fshat.  

​Në funksion të këtyre argumenteve i bëjmë thirrje institucioneve qendrore dhe vendore si dhe të gjithë aktorëve përgjegjës që të shqyrtojnë me përparësi këtë projekt të rëndësisë jetike. Ky nuk është thjesht një kërkesë për asfalt por një thirrje për mundësi, për zhvillim dhe për respektimin e të drejtave të qytetarëve për një jetë me dinjitet.