Historia ka dëshmuar vazhdimisht se krizat ndërkombëtare rrallëherë kanë qenë vetëm periudha shkatërrimi. Paradoksalisht, ato kanë shërbyer si katalizatorë të ndryshimeve të mëdha politike, ekonomike dhe strategjike. Pas çdo krize të madhe kanë lindur institucione të reja, aleanca të reja dhe ekuilibra të rinj ndërkombëtarë.
Luftërat Napoleonike prodhuan Kongresin e Vjenës dhe konceptin modern të ekuilibrit të fuqive; dy Luftërat Botërore sollën krijimin e Kombeve të Bashkuara dhe arkitekturës euroatlantike; ndërsa Lufta e Ftohtë ndërtoi sistemin e sigurisë kolektive që ka dominuar për më shumë se shtatë dekada.
Prandaj, edhe tensionet që po jeton sot bota nuk duhen parë vetëm përmes prizmit të rrezikut. Ato përfaqësojnë gjithashtu një moment reflektimi për mënyrën se si do të organizohet rendi ndërkombëtar në dekadat që vijnë.
Sot sistemi ndërkombëtar ndodhet në një fazë të pazakontë tranzicioni.
Lufta në Ukrainë, konflikti në Lindjen e Mesme, rivaliteti strategjik midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, rikthimi i garës për armatime, krizat energjetike dhe revolucioni teknologjik nuk janë zhvillime të izoluara. Ato përbëjnë pjesë të së njëjtës tablo, ku fuqitë e mëdha po konkurrojnë për të përcaktuar rregullat e rendit të ardhshëm ndërkombëtar.
Megjithatë, është ende herët për të folur për një rend të ri botëror të konsoliduar. Më shumë se një rend i ri, po jetojmë një periudhë përpjekjesh intensive për ta ndërtuar atë. Rregullat që kanë dominuar marrëdhëniet ndërkombëtare pas vitit 1991 po sfidohen, por ende nuk janë zëvendësuar nga një arkitekturë e re globale.
Në këtë kontekst ka marrë një rëndësi të veçantë rikthimi në pushtet i presidentit amerikan Donald Trump. Personaliteti i tij politik ka ndarë opinionin publik ndërkombëtar, por një element mbetet i padiskutueshëm: ai ka ndryshuar mënyrën e komunikimit të politikës së jashtme amerikane.
Ndryshe nga presidentët e mëparshëm, Trump përdor një gjuhë të drejtpërdrejtë, shpesh provokuese, ku pragmatizmi zë vendin e diplomacisë tradicionale. Për të, aleancat nuk janë të shenjta në vetvete; ato duhet të justifikohen vazhdimisht nga interesi konkret amerikan.
Kjo filozofi është reflektuar veçanërisht në marrëdhëniet me Europën.
Prej mandatit të tij të parë, Trump ka kritikuar vazhdimisht vendet europiane për nivelin e pamjaftueshëm të investimeve në mbrojtje. Sipas tij, është e papranueshme që Shtetet e Bashkuara të vazhdojnë të mbajnë barrën kryesore financiare dhe ushtarake të NATO, ndërkohë që shumë aleatë europianë përfitojnë nga garancitë amerikane pa kontribuar proporcionalisht.
Edhe në zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme, Trump nuk ka hezituar të shprehë publikisht zhgënjimin e tij ndaj disa vendeve europiane, duke vlerësuar se reagimi i tyre ndaj krizës nuk ka qenë në përputhje me pritshmëritë e Uashingtonit.
Forma e këtyre deklaratave ka qenë objekt kritikash të shumta. Por përtej stilit komunikues, debati që ai ka ngritur prek një çështje reale.
Është fakt se SHBA mbetet kontribuesi më i madh financiar dhe ushtarak i NATO-s. Po aq fakt është se për dekada një pjesë e vendeve europiane kanë ndërtuar modelin e tyre ekonomik dhe social mbi supozimin se siguria strategjike do të garantohej kryesisht nga Uashingtoni.
Megjithatë, pikërisht këtu shfaqet paradoksi më interesant i politikës së Trump.
Presioni i tij nuk e ka dobësuar Bashkimin Europian aq sa parashikonin shumë analistë. Përkundrazi, ai ka shërbyer si një stimul për një reflektim të thellë strategjik brenda Europës.
Sot Bashkimi Europian diskuton më seriozisht se kurrë autonominë strategjike, industrinë e përbashkët të mbrojtjes, rritjen e kapaciteteve ushtarake dhe koordinimin më të madh të politikave të sigurisë. Ide që një dekadë më parë konsideroheshin pothuajse utopike, tashmë janë bërë pjesë e axhendës politike të shumicës së qeverive europiane.
Një tjetër zhvillim me rëndësi historike është transformimi energjetik i Europës.
Lufta në Ukrainë tregoi se varësia e tepërt nga gazi rus nuk ishte vetëm një çështje ekonomike, por një dobësi strategjike. Diversifikimi i furnizimeve, investimet në terminale të gazit të lëngshëm, energjitë e rinovueshme dhe partneritetet me vende të tjera kanë ndryshuar ndjeshëm hartën energjetike europiane.
Në këtë aspekt, presioni amerikan dhe agresioni rus kanë prodhuar, ndonëse në mënyra të ndryshme, të njëjtin rezultat: një Europë më të pavarur në aspektin energjetik dhe më të ndërgjegjshme për përgjegjësitë e saj strategjike.
Kjo situatë sjell në vëmendje analizat e Henry Kissinger, i cili argumentonte se çdo rend ndërkombëtar mbështetet mbi dy shtylla: fuqinë dhe legjitimitetin. Nëse njëra dobësohet, edhe tjetra bëhet e paqëndrueshme. Sipas Kissingerit, aleancat nuk mbijetojnë vetëm falë interesave të përbashkëta, por edhe falë besimit politik që krijojnë ndërmjet partnerëve.
Po aq aktual mbetet edhe vizioni i Zbigniew Brzezinski, i cili në veprën e tij "The Grand Chessboard" argumentonte se kontrolli dhe stabiliteti i hapësirës euroaziatike do të përcaktonte ekuilibrin global të shekullit XXI. Në këtë këndvështrim, Ukraina nuk është thjesht një konflikt rajonal, por një nyje strategjike që ndikon drejtpërdrejt në raportet e fuqisë midis Perëndimit dhe Rusisë.
Nga ana tjetër, Samuel P. Huntington kujtonte se Perëndimi nuk është vetëm një aleancë ushtarake apo ekonomike. Ai është mbi të gjitha një komunitet vlerash, institucionesh dhe identiteti politik. Nëse ky identitet dobësohet nga përçarjet e brendshme, atëherë edhe fuqia ushtarake humbet një pjesë të efektivitetit të saj.
Në të njëjtën linjë qëndron edhe realizmi politik i Hans Morgenthau, sipas të cilit shtetet veprojnë kryesisht mbi bazën e interesit kombëtar.
Kjo logjikë shpjegon shumë prej tensioneve aktuale brenda aleancës transatlantike, por njëkohësisht tregon se bashkëpunimi mbetet i domosdoshëm kur kërcënimet bëhen të përbashkëta.
Ndërkohë, bota po hyn në një fazë të re riarmatimi.
Buxhetet e mbrojtjes po rriten pothuajse në të gjitha vendet perëndimore. Industria ushtarake po zgjerohet me ritme të shpejta. Teknologjitë e inteligjencës artificiale, hapësira kibernetike, dronët dhe sistemet autonome po ndryshojnë vetë natyrën e luftës.
Siç shkruante Carl von Clausewitz, lufta është vazhdim i politikës me mjete të tjera. Në shekullin XXI kjo formulë mbetet aktuale, por me një ndryshim thelbësor: politika po zhvillohet gjithnjë e më shumë përmes instrumenteve ekonomike, teknologjike dhe informative, ndërsa lufta nuk kufizohet më vetëm në fushën tradicionale të betejës.
Kjo shpjegon pse investimet në siguri nuk maten më vetëm me numrin e tankeve apo avionëve, por edhe me aftësinë për të kontrolluar teknologjinë, zinxhirët e furnizimit, energjinë, inteligjencën artificiale dhe informacionin.
Pacifistët kanë arsye të shqetësohen. Historia na mëson se çdo garë armatimesh mbart rrezikun e një përshkallëzimi të pakontrolluar. Por edhe pragmatistët kanë argumentet e tyre. Paqja nuk garantohet vetëm nga dëshira për paqe; ajo kërkon edhe aftësinë për ta mbrojtur atë. Historia europiane ka treguar se dobësia strategjike shpesh ka inkurajuar agresionin, ndërsa ekuilibri i fuqisë ka shërbyer si faktor frenues.
Megjithatë, sfida më e madhe e Perëndimit nuk është teknologjike, financiare apo ushtarake.
Ajo është politike.
Historia na mëson se rendet ndërkombëtare nuk shemben vetëm nga fuqia e kundërshtarëve të tyre; ato shemben kur humbasin aftësinë për të prodhuar besim, vizion dhe kohezion. Kjo ishte arsyeja e dobësimit të shumë perandorive dhe e rënies së aleancave që dikur dukeshin të pathyeshme.
Sot Perëndimi nuk përballet vetëm me Rusinë, Kinën, Iranin apo me aktorë të tjerë që sfidojnë rendin liberal ndërkombëtar. Sfida më e madhe është ruajtja e identitetit politik që ndërtoi pas vitit 1945: një bashkësi shtetesh të lidhura jo vetëm nga interesa strategjike, por edhe nga vlera demokratike, institucione të forta dhe besimi reciprok.
Nëse presioni i jashtëm arrin ta bëjë Europën më të përgjegjshme për sigurinë e saj dhe Shtetet e Bashkuara më të vetëdijshme se udhëheqja globale nuk mund të mbështetet vetëm mbi forcën ushtarake, atëherë kriza aktuale mund të shndërrohet në pikën e rilindjes së aleancës transatlantike.
Por nëse nacionalizmat, protagonizmat politike dhe interesat afatshkurtra do të mbizotërojnë mbi vizionin strategjik të përbashkët, atëherë edhe buxhetet rekord të mbrojtjes nuk do të jenë të mjaftueshme për të garantuar stabilitetin.
Në fund të fundit, pyetja nuk është nëse po jetojmë fillimin e një rendi të ri botëror. Historia nuk ndryshon brenda natës dhe as rendet ndërkombëtare nuk ndërtohen me një vendim politik. Pyetja thelbësore është nëse Perëndimi do të dijë të reformojë veten përpara se ta detyrojnë ta bëjnë këtë rrethanat.
Sepse fuqia nuk matet vetëm me ushtri më të mëdha, ekonomi më të forta apo teknologji më të avancuar. Ajo matet edhe me aftësinë për të ndërtuar besim ndërmjet aleatëve, për të prodhuar vizion afatgjatë dhe për të ruajtur legjitimitetin moral e politik që e ka dalluar Perëndimin nga modelet e tjera të organizimit ndërkombëtar.
Siç paralajmëronte Henry Kissinger, çdo rend ndërkombëtar mbijeton vetëm kur fuqia dhe legjitimiteti ecin së bashku. Kur njëra shkëputet nga tjetra, fillon procesi i erozionit të të gjithë sistemit.
Prandaj, sfida vendimtare e dekadës që po jetojmë nuk është thjesht rritja e shpenzimeve ushtarake apo modernizimi i arsenaleve. Sfida është ruajtja e unitetit politik dhe strategjik të Perëndimit në një botë gjithnjë e më shumëpolare, ku rivaliteti midis fuqive të mëdha po rikthehet si boshti kryesor i marrëdhënieve ndërkombëtare.
Historia do ta gjykojë Perëndimin jo vetëm për fuqinë që do të ndërtojë, por për urtësinë me të cilën do ta përdorë atë. Sepse, në fund, qytetërimet nuk bien kur humbasin luftën e parë; ato bien kur humbasin aftësinë për të kuptuar kohën në të cilën jetojnë dhe për t'u përshtatur me të.
Komente








