TIRANË, 14 Dhjetor/ATSH/-Rruga Tiranë-Elbasan vazhdon të jetë e bllokuar edhe gjatë ditës së diel, si pasojë e shembjes së një masivi ditën e shtunë në fshatin Ibë, një zonë ku po punohet për ndërtimin e trasesë, ku do të kalojë rruga e re.
Policia Rrugore, por edhe Autoriteti Rrugor Shqiptar theksojnë se deri në një njoftim të dytë, rruga do të jetë e bllokur dhe se të gjitha mjetet duhet të lëvizin përmes Durrësit. Rrëshqitja e vazhdueshme e dherave, sipas tyre, përbëjnë rrezik për të gjithë udhëtarët, si dhe për banorët e zonës. Ndaj ky segment i rëndësishëm është duke u mbajtur i bllokuar.
Si pasojë e kësaj situate, një ditë më parë u shemb edhe një shtyllë e tensionit të lartë, janë dëmtuar edhe disa biznese dhe rrezikohen disa banesa, që janë aty pranë, pasi formacioni i tokës është i paqëndrueshëm dhe shembja rrezikon të vazhdojë.
Gjatë stinës së reshjeve, në këtë vend rruga bllokohet vazhdimisht, si pasojë e baltës që sjellin rrëketë nga kantieri i ndërtimit, për shkak të formacionit të paqëndrueshëm të tokës që gjendet në këtë kodër.