Komisioni parlamentar i Ekonomisë dhe Financave miratoi të martën ratifikimin e letër-marrëveshjes ndryshuese të marrëveshjes Istisn’a, ndërmjet qeverisë shqiptare dhe Bankës Islamike për Zhvillim (IDB) për projektin e rrugës Tiranë-Elbasan.

Drejtore e Njësisë së Menaxhimit të Projektit Tiranë-Elbasan, Majlinda Gjonaj tha se projektligji synon ndryshimin e një aneksi të marrëveshjes së huasë për ndërtimin e rrugës Tiranë-Elbasan.

Në letrën amenduese të marrëveshjes bëhet fjalë për amendimin e njërit prej anekseve që lidhet me komponentët financiarë të saj. “Ka pasur një shtim të donatorit që ka qenë OPEK, së bashku me IDB-në dhe Abu Dabin, ndërsa ndryshimi i komponentëve financiarë vjen pas tenderimit të objekteve”, sqaroi Gjonaj.

Në hollësitë për projektin Gjonaj shpjegoi se ai është i kompozuar në tre kontrata: dy janë segmentë rrugorë dhe i treti është tuneli. “Mbas tenderimit vlerat e projektit kanë rezultuar të ndryshme nga ato që ishin parashikuar nga ato në fazën e përgatitjes së marrëveshjes.

Për këtë arsye është bërë letër-amendimi me miratimin e Bankës Islamike, ndërkohë është marrë miratimi edhe nga Këshilli i Ministrave për të bërë ndryshimin i aneksit të marrëveshjes”, sqaroi drejtoresha e projektit, Gjonaj.Duke u ndaur në zbatimin e projektit, Gjonaj tha se segmenti i parë i rrugës ishte vënë në funksionim ende pa përfunduar. Ndërsa shpjegoi se synohet që shumë shpejt të përfundojë ky segment.

Ndërkaq, reagoi edhe kryetari i Komisionit të Ekonomisë Erjon Braçe i cili theksoi se ka patur abuzime të konfirmuar në rrugën Durrës-Kukës. Në kuadër të uljes së vlerës totale të projektit, nga financimi prej 100 milionë dollarësh që mendohej të sigurohej nga fondi i Abu Dhabit për zhvillim, u akordua vetëm vlera prej 50 milionë dollarësh.

Kontributi i qeverisë dhe kreditorëve të tjerë të mundshëm, që ishte parashikuar në vlerën prej 84.3 milionë dollarësh, nevojitet të rregullohet, duke reflektuar kredinë e akorduar nga fondi i OPEC-ut prej 20.4 milionë dollarë dhe kontributi i qeverisë, prej 7 milionë dollarësh.





Redaksia Online
(g.f/shqiptarja.com)