TIRANË, 1 Dhjetor/ATSH/.- Komisioni parlamentar i Ligjeve miratoi sot ratifikimin e letër-marrëveshjes ndryshuese të marrëveshjes Istisn'a, ndërmjet qeverisë shqiptare dhe Bankës Islamike për Zhvillim (IDB) për projektin e rrugës Tiranë-Elbasan.
Milbana Treska, drejtoreshë e Borxhit në Ministrinë e Financave dhe Majlinda Gjonaj, drejtore e Njësisë së Menaxhimit të Projektit Tiranë-Elbasan, mbrojtën pr/ligjin, i cili thanë ato synon ndryshimin e një aneksi të marrëveshjes së huasë për ndërtimin e rrugës Tiranë-Elbasan.
Në letrën amenduese të marrëveshjes bëhet fjalë për amendimin e njërit prej anekseve që lidhet me komponentët financiarë të saj. "Ka pasur një shtim të donatorit që ka qenë OPEK, së bashku me IDB-në dhe Abu Dabin, ndërsa ndryshimi i komponentëve financiarë vjen pas tenderimit të objekteve", sqaroi specialistja e ministrisë së Financave.
Në hollësitë për projektin ekspertët shpjegojnë se ai është i kompozuar në tre kontrata: dy janë segmentë rrugorë dhe i treti është tuneli. "Mbas tenderimit vlerat e projektit kanë rezultuar të ndryshme nga ato që ishin parashikuar nga ato në fazën e përgatitjes së marrëveshjes. Për këtë arsye është bërë letër-amendimi me miratimin e Bankës Islamike, ndërkohë është marrë miratimi edhe nga Këshilli i Ministrave për të bërë ndryshimin i aneksit të marrëveshjes", sqaroi drejtoresha e projektit, Gjonaj./a.s//a.ke/