Banorët e Selitës në Mallakastër përballen çdo ditë me rrugë të amortizuara dhe shpesh të pakalueshme. Fermerët e kanë të pamundur të transportojnë prodhimet drejt tregjeve të qytetit. Sakaq, Kryebashkiaku i Mallakastrës premton se rikonstruksioni i rrugëve është planifikuar brenda këtij viti.

***

Në Mallakastër, rrugët e fshatrave janë tejet të amortizuara, në disa vende të pakalueshme nga autoveturat.

Sot jemi ndalur në dy akset që të lidhin Fratarin me Selitën, 14 kilometra, dhe Gjerbësin me Selitën, rreth 5 kilometra.

Banorët thonë se këto rrugë nuk kanë njohur investime prej dekadash, duke u kthyer në pengesë për lëvizjen e tyre drejt zonave urbane.

“As gomari nuk kalon këtu, jo më makinat. Duhet ndërhyrje. Unë jam e sëmurë me zemër dhe detyrohem të eci dy orë në këmbë”.

Shumë banorë janë detyruar të largohen për shkak të mungesës së infrastrukturës, shkollës dhe shërbimeve shëndetësore.

“Shumë pak kemi mbetur në fshat, rinia ka ikur. Jemi nga dy pleq për shtëpi”.

Pranvera është periudha kur banorët e zhvendosur në qytet kthehen për t’u shërbyer ullinjve dhe të mbjellave të stinës, por për shkak të amortizimit të rrugës, një pjesë e mirë e tyre po i lënë tokat djerrë.

Kryebashkiaku i Mallakastrës, Qerim Ismailaj, kontaktuar me telefon, tha se rikonstruksioni i këtij aksi është planifikuar në projektbuxhetin e 2026-ës dhe punimet pritet të nisin në muajin tetor.

Në fshatin Selitë, nga 60 familje që numëroheshin 30 vite më parë, sot kanë mbetur vetëm 20.