Rrugët e Tiranës mbeten “rrugës”
kryeqyteti mes pluhurit e smogut

Rrugët e Tiranës mbeten “rrugës”<br />kryeqyteti mes pluhurit e smogut
TIRANE - Bashkia e Tiranës ka ndaluar punimin në disa rrugë të kryeqytetit, të cilat nisën të rikonstruktohen në fillim të vitit. Mosvazhdimi i punës në këto rrugë ka bërë që banorët e kryeqytetit të jetojnë në mes të gropave dhe pluhurit.

Ndërsa banorët e lagjeve ku punimet e rrugëve po zvarriten çdo ditë e më shumë duhet të kalojnë përditë në gropat e krijuara. Për shkak të këtyre gropave, trafiku nëpër këto rrugë është rënduar së tepërmi, çka bën që automjetet të bllokohen e të mos mund të lëvizin për minuta me radhë.

Një ndër rrugët ku punimet kanë gati një muaj që janë ndërprerë është edhe bulevardi “Petro Nini Luarasi”, pranë Shkollës së Baletit. Në këtë rrugë nuk të zë syri asnjë punëtor që të jetë duke punuar.

Ndërsa në çdo metër rrugë shikon vetëm pirgje me zhavorr të lënë në mes të saj. “Këtu ka kohë që nuk punon njeri. Nuk e di pse janë ndërprerë punimet” thotë një banor i lagjes. Por,veç problemit të mosvazhdimit të punimeve në këtë rrugë nuk është ndërprerë as qarkullimi i automjeteve.

Kjo bën që trafiku në këtë segment rrugor të jetë tejet i rënduar. “Këtu është bërë një rrëmujë e vërtetë. Trafiku është i paparë. Pluhur gjithandej. Sa na mbaroi balta na filloi pluhuri, punimet janë ndërprerë” shprehet një udhëtar.

Bulevardi “Petro Nini Luarasi”, nuk është i vetmi segment rrugor në kryeqytet ku punimet janë ndërprerë. Një ndër to është edhe rruga “Brigada e VIII”. Në rrugën “Brigada e VIII”, prej kohësh qëndrojnë të “parkuar”, vetëm fadroma dhe mjetet e tjera të punës.

Ndërsa për banorët dhe personat që kanë punë pranë kësaj rruge, “Brigada e VIII” është kthyer në një vend parkimi pa pagesë. Afati i përfundimit të rrugës “Brigada e VIII”, është 6 muaj nga data e fillimit të punimeve.

Rikonstruksioni i kësaj rruge filloi në muajin janar. Kurse në rrugët e tjera siç është ajo “28 Nëntori”, në qendër të Tiranës shikon vetëm disa punëtorë që punojnë, ndërsa mjetet e tjera të punës kanë disa ditë që janë “braktisur”.

Vetëm pak ditë më parë në gazetën “Shqiptarja.com”, u publikua një shkrim ku shkruhej se Bashkia e Tiranës për të zhbllokuar punimet e mbetura pezull në shumë rrugë të kryeqytetit, si dhe për të paguar fatura të vjetra për punime të tjera publike e aktivitete kulturore, kishte nxjerrë nga fondi i saj 2 milionë e 404 mijë euro.

Ndonëse ka gati pesë ditë nga nxjerrja e këtij fondi nga Bashkia e Tiranës, nëpër rrugët e kryeqytetit punimet sërish nuk kanë vazhduar. Bashkia premtoi përfundimin e punimeve brenda afatit, por aktualisht askush nuk punon.

(Foto:Bulevardi Petro Nini)

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 18.05.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Çfare prisni nga sesioni i ri parlamentar?



×

Lajmi i fundit

U dënua për blerje votash, Gjykata e Fierit liron me kusht Fredi Belerin! I kishin mbetur edhe 6 javë për të bërë

U dënua për blerje votash, Gjykata e Fierit liron me kusht Fredi Belerin! I kishin mbetur edhe 6 javë për të bërë