Në këtë mënyrë ideja evropiane e Ballkanit, brenda së cilës gjallon dhe Ideja evropiane e shqiptarëve, qëndron në thelb të artikulimit të gjithë ideve të mëvonshme të ndërtuar gjithandej nëpër kontinent. Gadishulli Ballkanik është në fakt djepi i idesë së qytetërimit evropian. I ndodhur në kryqëzimin e rrugëve Lindje-Perëndim ai u bë shumë shpejt një nga kryeqendrat kryesore të shkëmbimit të këtyre kulturave duke reflektuar në këtë mënyrë jo vetëm diversitetin e tyre por dhe rrafshin gjeografik dhe politik ku ato u ngjizën për tu bërë një.
Është interesant fakti se së bashku me fillimin e këtij qytetërimi të shkëlqyeshëm, të cilit vazhdimisht do ti referohen dhe në shekujt e mëvonshme mendjet më të ndritura të njerëzimit, lind dhe ideja e qytetërimit evropian dhe së bashku me të merr rrugë dhe ideja e një qytetërimi mbarë evropian.
Në gjithë këtë rrugëtim që ideja e Evropës dhe qytetërimi evropian kanë evoluar duhet theksuar fakti se lindja e kësaj ideje i korrespondon dhe të gjitha fakteve dhe etapave historike që kaloi ai që ne të gjithë e quajmë qytetërim evropian dhe historia e këtyre territoreve. Kështu në ravijëzimin e tij mund të dallohen të qartë etapa proto-helenike dhe helenike, romake, krishterimi dhe mesjeta, iluminizmi, revolucioni francez dhe nacionalizmi.
Në varësi të këtyre etapave historike dhe fakteve është sendërtuar dhe ideja e qytetërimit evropian të Ballkanit duke reflektuar jo vetëm shkëlqimin e qytetërimit të tij në periudhën helenike por dhe degradimin e qytetërimit të vet në epokën e fundit të qytetërimit bizantin apo kur Ballkani shndërrohet në një territor përleshjesh midis Krishterimit dhe Islamit në kacafytjen e tyre tragjike në shekullin XV kur shfaqet për herë të parë në Ballkan, Perandoria Otomane si formacion politik por dhe entitet kulturor i veçantë nga ai evropian.
Për herë të parë sidomos në brigjet e Adriatikut lindor do të kemi dhe krijimin e qyteteve republika të cilat do të kenë një tregti të zhvilluar por dhe statuset e tyre shumë të rëndësishëm për qeverisjen e qyteteve por dhe për të rregulluar marrëdhëniet me jashtë dhe të shtetasve të tjerë me qytetet. Këto statute janë të ngjashme me ato të qyteteve italiane dhe një pjesë të madhe zë koncepti i lirisë së qytetarëve dhe administrimi kolegjial i tyre nëpërmjet një këshilli të zgjedhur të përbërë nga qytetarët më të shquar.
Po kështu familjet fisnike shqiptare fillojnë të mbajnë anale dhe kur botohen veprat e tyre më vonë si ato të Engjëllorëve p.sh një familje fisnike shqiptare nga Drishti, origjina e tyre do të jetë e lidhur gjithmonë me trashëgiminë greko-latine dhe legjenda të frymëzuara nga ngjarjet e mëparshme në rajon.[1] Ky tipar është shumë i rëndësishëm pasi përcakton përkatësinë i identitetit që këto familje fisnike ndjejnë por dhe sepse ato përfshihen në afërsinë midis tyre dhe familjeve të tjera evropiane duke përforcuar kështu idenë evropiane të rajonit që zë fill nga miti i lashtë i Evropës por që ushqehet rrugës dhe me mite të rinj.
Meshari
Kështu p.sh heroi kombëtar i shqiptarëve Gjergj Kastriot Skënderbeu(1405-1468) në letrën që i dërgon princit të Tarantit i përmend origjinën e vet, atë epirote dhe përmend një personalitet të botës antike si Pirron e Epirit.
Po kështu Gjon Muzaka në veprën e vet “Gjeonalogjia e Muzakajve”(1510) përveç burimeve të shkruara që ati zotëron dhe citon në vepër, përmend së familja e tij vjen nga Molosia, krahinë e vjetër e Epirit e lidhur shumë ngushtë me emrin e Pirros së Epirit[1].
Natyrisht që kontakti kulturor që pati Adriatiku lindor me botën perëndimore qoftë nëpërmjet shkëmbimeve kulturore në të dyja anët e Adriatikut por dhe nëpërmjet administrimit të drejtë për së drejtë të territorit si është rasti i Mbretërisë së Arbrit(1272) nën familjen e njohur fisnike franceze Anzhuinët, por dhe administrimi qyteteve nga Venediku krijuan një perceptim tjetër për idenë e Evropës dhe shtrirjen e saj, në dallim nga provincat e tjera të Perandorisë bizantine ku nuk shikojmë fenomene pasi janë më thellë në gadishull dhe nuk kanë mundësinë që të marrin pjesë në perceptime të tilla të drejtë për së drejta.
Ndaj në këtë kohë , fillimet e shekullit të XIV dhe shekullin e XV në brigjet e Adriatikut Lindor do të kemi përjetimin e një lëvizje humaniste që do të jetë shumë afër Rilindjes Evropiane.
Kjo lëvizje do të ketë një konceptim të qartë të idesë së Evropës, unitetin gjeografik dhe atë moral dhe kulturor ku për herë të parë do të ketë kontakte dhe me prurjet e reja si Polonia, Transilvania dhe deri Anglia.
Kjo gjë do të vërehet më shumë sidomos gjatë konfliktit traumatik me osmanët, konflikt që largon territoret e Ballkanit për mëse tre shekuj nga ideja e Evropës dhe projektet rreth saj.
Epopeja e madhe e Gjergj Kastriot Skënderbeut, përveçse ndikimeve gjeopolitike që pati në rajon ka meritën se solli në vëmendje të Perëndimit , nëpërmjet thirrjeve për ndihmë krijimin e aleancave dhe mobilizimin kulturor, moral dhe fetar ndaj osmanëve që po mundoheshin nëpërmjet pushtimeve të ashpra të asimilonin brenda perandorisë së tyre këto territore. Në Arbëri, ku bëhet rezistencë zbarkojnë vullnetarë dhe trupa ushtarake napolitanë, katalanë, gjermanë dhe anglezë të gjithë të përbetuar për të luftuar osmanët dhe për të mbrojtur Evropën dhe krishterimin.
Edhe pse numri i tyre nuk është i përfillshëm për të ndaluar valën e pushtimit otoman, letrat dhe kancelaritë që përfaqësojnë, idetë dhe kulturën që sjellin bëjnë të mundur që ideja e Evropës të konkretizohet nëpërmjet aleancave të ndryshme që ata i kërkojnë Papës së Romës për të udhëhequr kundër osmanëve . Vetë, udhëheqësi shqiptar, Gjergj Kastrioti, është i ndërgjegjshëm se vepron në mbrojte të Evropës në gjithë korrespodencën që ai ka me princat evropianë por dhe ata vetë nuk mënojnë ta njohin kontributin e tij në këtë përpjekje fatale.
Papa i Romës e shpall atë Atlet të Krishtit, kurse i dërguari special i Papës , kalorësi anglez John of Neëport do ti shkruajë atij se e vetmja rezistencë serioze ndaj osmanëve ishin shqiptarët dhe se po të binte kjo fortesë, atëherë shumë shpejt ata do të ishin në Itali. Librat, “Rrethimi i Shkodrës” dhe “Historia e Skënderbeut” nga Marin Barleti janë pasqyrë më e mirë sesi ideja evropiane e arbërëve shtegton përmes librave.
Barleti është humanist, por ai ishte dhe patriot;ai ishte patriot humanist. Nën nxitjen e patriotizmit dhe në emër të tij ai predikonte dhe ngrinte lart trimërinë, si virtut i parë që i duhej shqiptarit në atë kohë. Argumentet në të mirë të tij Barleti, si humanist i merr nga e kaluara e lashtë greko-romake, por si patriot i merr dhe nga realiteti historik i popullit të vet.[1]
Meshari
Shqipëria edhe pse ishte vendi i fundit që fitoi pavarësinë nga Perandoria Otomane duke pasur një histori shumë më komplekse se fqinjët e saj, pati një zgjim disi më të ngadaltë por dhe një komplisitet lidhjesh me Evropën dhe idenë rreth saj. Së pari, komiteti katolik shqiptar edhe pse më i persekutuari në vend si rezultat i luftërave të vazhdueshme Veneto-Turke apo dhe Austro-Turke kish sendërtuar një paradigmë krejtësisht evropiane përsa i përket botimeve të vet qenë shumicën ishin në latinisht por që nga shekulli XV i gjejmë dhe në shqip duke kontribuar kështu në ruajtjen e gjuhës dhe kulturë kombëtare.
Në të gjitha këto vepra të Buzukut, Bardhit, Bogdanit, Kazazit ka një rikujtim të Motit të Madh të Skënderbeut dhe të shpresë për një aleancë evropiane për të larguar otomanët nga Ballkani. Libri i parë shqip, Meshari i Gjon Buzukut, një prifti katolik nga rrethinat e Ulqinit, ka në thelb të tij, jo vetëm mesazhin universalist të Krishterimit, por edhe mesazhin e lirisë së etnosit arbër, përmes shkrimit të gjuhës vernikulare.
Karakteristikë e figurave të larta klerikale viseve të pushtuara nga osmanët, është pikërisht kjo lloj simbioze midis fesë dhe humanizmit, çka i bën krejt të veçantë këta personalitete fetare në jetën kulturore të kombit të vet. Kjo gjë ndihet sidomos në veprën e vet “Pasqyrat e të Rëfyemit”, të Pjetër Budit, ku ai sjell një moral të tërë humanist, bëhet një nga njerëzit e kulturës sonë, që ka hedhur themelet e shkencës etike në Shqipëri.
Islamizimi i popullsisë, nxori në pah një gjuhë tjetër komunikimi mes elitave të urbanizuara islamike shqiptare, pasi dhe një pjesë e madhe e popullsisë filloi të hynte dhe të merrte pjesë në qarkun kulturor lindor, ku në mes të tjerave shquan rryma e bejtexhinjve dhe literatura e sekteve të ndryshëm islamë.
Në këtë kohë në këtë pjesë të popullsisë nuk kemi një ligjërim të idesë së Evropës pasi shpesh herë dhe nëpërmjet luftërave që bënin osmanët, trupat shqiptare merrnin pjesë në këto beteja dhe nuk ktheheshin me emocione pozitive për Evropën.
Në poezinë e Hasan Zyko Kamberit, “Seferi humajun”-“Lufta Mbretërore”, fushata osmane, ku merr pjesë dhe vetë autori përshkruhet si një fushatë plaçkitëse, ku njerëzit e thjeshtë që shkojnë to, mund të pasurohen, [1]pavarësisht faktit që në poezi mbizotëron fryma e pasqyrimit të njerëzve që kthehen të zhgënjyer. Kjo poezi i kushtohet luftës turko-austriake në 1789, ku autori në moshë të thyer mori pjesë në fushatë me trupat shqiptare të Ali Pashë Tepelenës[2].
Motivet që mbizotërojnë në këtë letërsi janë motive transnacionale që përfshijnë dhe rrëfejnë solidaritetin e një kulture orientale që zinte vend që nga Persia e duke përfshirë gjithë hapësirat e pa mata të Perandorisë Otomane.
Edhe pse në këtë letërsi gjejmë vargje si të Nezim Beratit,
Divan, kush pat folurë shqip
Ajan e bëri Nezimi,
Bejan, kush pat folurë shqip,
Insan e bëri Nezimi.[3]
ku ai shprehet krenar se ka hapur një traditë të re në kulturën shqiptare duke hartuar një divan në gjuhën shqipe, sërish poezia mbetet vetëm në formën e një konstatimi dhe nuk gjejmë ndonjë afirmim të përpjekjeve pë ndriçim të popullsisë dhe të idesë së Evropës.
Ndërkohë në veprat e humanistëve shqiptarë nuk ka një paradigmë mohuese ndaj pjesës së islamizuar të popullsisë shqiptare. Kështu në ë letrën e Budit dërguar Kardinalit Godacino, nënkuptohet qartë afërsia e etnike e tij me popullsinë lokale kur shkruan për kryengritësit “më të shumtit janë të gjakut tim dhe miq të ngushtë të mij”[1].
Për më tepër , pavarësisht se në letër ka një mobilizim dhe thirrje të identitetit fetar, një kundërvënie e natyrshme në shekullin e XVI, sërish gjejmë një frazë të rëndësishme që është pararendëse e ideve të mëvonshme të zgjimit kombëtar të shqiptarëve. Islamizimi i një pjese të popullsisë ka sjellë në eksistencë një faktor të ri, të të arbërve të konvertuar, të cilët mund të mendohet se janë bërë palë me pushtuesit, por që sipas Budit, në planet e tij të kryengritje, janë gati të vdesin me armë në dorë jo vetëm të krishterët por edhe të “parët turq”[2]-emër me të cilët nënkupton parësinë e islamizuar arbëre.
Është meritë e padiskutueshme e Budit që dëshirën dhe kryengritjen e ardhshme të arbërëve nuk e ka parë vetëm si një dëshirë të një pjese të popullsisë por mesazhin e lirisë që shpërndan shërben si enë komunikuese midis gjithë popullatës arbëre, pavarësisht ndasive fetare. Pjetër Budi, si me të drejtë ka vënë në dukje Profesor Selman Riza, është pararendësi i letërsisë së lëvruar shqipe si në prozë ashtu dhe në poezi. Si për nga risia e temave dhe gjinisë, ashtu për nga aftësia kompozicionale, gjithashtu për nga fuqishmëria e shprehjes Pjetër Budit kurrsesi nuk mund t’i mohohet cilësia jo vetëm e të parit lëvrues, frymëgjatë të poezisë letrare shqiptare, por njëherazi edhe e të parit poet shqiptar, të pajisur me një ndjeshmëri fetare-kombëtare të pasionuar.
Rrethin vicioz të mospërdorimit të gjuhës shqipe vetëm si përkthime por në një krijimtari të mirëfilltë letrare e kapërcen Pjetër Bogdani me veprën e vet “Rrethi Profetëve”. Në parathënien që shoqëron veprën e tij Bogdani shkruan se “lutesha që të më shtampohej libri, ashtu si kur të kthenja prej dheut si në në të kësha nji qirij ndezun ndorë për të ndritur atë të vobek dhe të Arbënit”.[1]Ideja e ndriçmit të popullsisë, aq e njohur në Evropë me Iluminizmin përftohet nga Bogdani si pjesë e vetëdijes intelektuale, tipar i mëvonshëm që e hasim dhe në Rilindjen Kombëtare.
Pjesa tjetër ortodokse e popullsisë ashtu si dhe në rastin rumun dhe bullgar u influencua nga elitat greke por dhe kontribuoi në Iluminizmin grek nëpërmjet Voskopojës, akademisë së saj dhe prelatëve ortodoksë.
Emrat e Kavaliotit, Daniel Moskopolit shënjuan jo vetëm kulturën regjionale të Voskopojës por dhe atë greke pasi u shkruan në atë gjuhë. Gjithsesi duhet theksuar se përdorimi i gjuhës greke shprehte dhe mentalitetin ekumenist të epokës, ku ajo shikohej si një transmetuese e vlerave bizantine dhe në planet e iluministëve ballkanikë zinte një vend të veçantë si gjuha që do të bashkonte të gjitha popullsitë e Ballkanit.
Pikërisht në këtë kohë kemi një përpjekje për një zhvillim kulturor të shqiptarëve ku si paradigmë zhvillimi u morën veprat dhe autorët e Iluminizmit grek, pasi dhe një pjesë e këtij zgjimi kulturor erdhi nga figura që ishin formuar në shkolla kulturore greke dhe ishin personalitete të kulturës ekumenike ortodokse. Gjatë kësaj epoke, sidomos pas forcimit të pushtetit të Ali Pashë Tepelenës, në fillimet e shekullit të XIX dhe rritjes së pranisë diplomatike në Janinë, ku dy përfaqësues të shquar, njëri i Francës republikane Fransua Pukëvil dhe tjetri i Mbretërisë Angleze, Ëilliam Martin Leake ishin dy personalitete shumë të kulturuar që kontribuuan shumë në nxitjen dhe lëvrimin e kulturave vendase.
Të frymëzuar të dy nga Filohelenizmi dhe ringjallja e interesit për trashëgiminë greko-romake, ata nuk do të qëndronin indiferent edhe ndaj kulturës shqiptare pasi një pjesë e madhe e botës antike që ata adhuronin shtriheshin në territoret shqiptare.
Kështu Pukëvili do të ishte nxitësi kryesor i Marko Boçarit të shkruante në 1809 një fjalës greqisht-shqip nga bisedat me familjen e shquar të Boçarëve, të shpërngulur në Korfuz.
Kjo situatë do të ndryshonte disa vite më vonë ku ashtu si dhe në Evropë etnitë ballkanike do përqafojnë nacionalizmin si platformë ideologjike në rrugën e krijimit të shteteve të tyre por trashëgimia dhe influenca e kësaj kulture ekumeniste të rajonit do jetë e dukshme jo vetëm në zgjimet kombëtare por dhe në dëshmitë e udhëtimit që na kanë lënë udhëtarët e huaj në shekullin e XIX.
Pikërisht nga kjo elitë dhe përfaqësuesi i saj Naum Veqilharxhi do të vijë dhe artikulimi i idesë së tij në “Letrës Enciklike Për Të Gjithë Të Pasurit E Të Mësuarit Ortodoksë Shqiptarë”, ku ai do tu kërkojë shqiptarëve që të hyjnë në “në radhën e kombeve të qytetëruara” duke nënkuptuar Evropën. Por suksesi më i madh i idesë evropiane mes shqiptarëve do të jetë përqafimi i saj nga komunitetit mysliman shqiptar çka përbën një rast unikal në dallim nga komunitetit e tjera myslimane në Ballkan.
Edhe pse kjo ide mund të gjendet e vagullt në projektin konstitucional të federatës Panilirike që Karamahmud Pashë Bushatlliu kishte ndërmend të formonte si një shtet të përbashkët mes shqiptarëve myslimanë, atyre katolikë dhe malazezve ortodoksë të përmendur nga shënimet e udhëtimit të konsullit francez Francois Pouqeuville, apo dhe në dëshirën e në fund të zotërimit të Ali Pashë Tepelenës që i kërkoi Meternikut, kancelarit të Austrisë një kushtetutë të shkruar, gjithsesi duhet pranuar fakti se pas reformave të Tanzimatit dhe lindjes së idesë kombëtare për shqiptarët kjo ide fillon të dallohet më tepër. Ideologë të saj janë vëllezërit Frashëri, Hasan Tahsini, Ismail Qemali etj të cilët ndikojnë jo vetëm në atdheun e tyre por dhe në vetë Perandorinë Otomane për të artikuluar këtë ide.
Ideja për Evropën ashtu si dhe në vendet e tjera ballkanike do të eci paralelisht me zgjimin kombëtar ku arsimimi në gjuhën kombëtare dhe evokimi i figurës së Skënderbeut do të përbëjnë dy nga shtyllat e këtij zgjimi.
Tekstet shqip të abetareve dhe copëzave të këndimit të hartuara nga rilindasit shqiptar e pozicionojnë Shqipërinë në Evropë duke shprehur dhe konsideratat e larta për qytetërimin evropian. Pranimi i Skënderbeut si hero kombëtar të tyre do të ishte një nga hapat e para të shqiptarëve për afirmimin e kësaj ideje pasi princi tyre mesjetar kish qenë në ballë të koalicioneve anti-osmane për të shpëtuar Evropën. “Jakë o dritë e bekuar që lind andej ku perëndon” do të shkruante Naim Frashëri duke shprehur qartë jo vetëm adhurimin e tij për Perëndimin por dhe influencën e kulturës evropiane, sidomos asaj franceze që kish influencuar aq shumë në botëkuptimin e tyre.
Poema e gjatë në vargje “Istoria e Skënderbeut” e Naim Frashërit është testamenti politik i Rilindjes Kombëtare, ku kundërvënia me otomanët pasqyrohet me tone epike dhe lidhjet e Shqipërisë me Evropën përforcohen dhe rikujtohen përmes betejave të arbërve.
Kjo qasje drejt Europës përmes librit shqip, si një nga mjetet që ndikon dhe në modernizmin dhe lindjen e nacionalizmit mes një popullsie, do të përcillej gradualisht edhe te shtresat e tjera të popullsië derisa me konsilidimin e shtetit shqiptar do të bëhej ligjërim dominant i ligjërimit publik shqiptar.
Biblografi:
Historia e Letërsisë shqiptare. Akademia e R.P.S.SH:1983. Tiranë.
Kronika e Gjon Muzakës në P.Xhufi. Nga Paelologët te Muzakajt. Shtëpia Botuese 55, Tiranë, 2009
O.J.Schmitt, Skënderbeu, Tiranë, 2008
P.Petta, Despoti d’ Epiro e principi di Macedonia, Lecce, 2000.
S.Riza.”Pesë autorët më të vjetër në gjuhën shqipe”
Zija Xholi. “Pesë mendimtarët më të vjetër të kulturës sonë kombëtare”.Akademia e Shkencave e Shqipërisë. Tianë:2003.
Pjeter Budi
Redaksia Online
XH.K/shqiptarja.com