TIRANË- Për herë të parë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky do të vizitojë Shqipërinë, ndërsa Ukraina ndodhet në luftë me Rusinë që prej shkurtit 2022. Tirana do të jetë mikpritëse e një samiti për Ukrainën, ku padyshim fokusi do të vendoset tek lufta dhe mbështetja ndaj Ukrainës do të jetë fokusi i takimit mes Zelenskyt dhe liderëve të Ballkanit Përendemor, por nuk do të mungojnë as liderë të BE-së dhe zyrtarë të lartë të Brukselit.

Burime për Report Tv dhe Shqiptarja.com bëjnë me dije se samiti për Ukrainën në Tiranë do të mbahet më datë 28 shkurt, informon gazetarja Raziela Myslimaj. Ka qenë vetë kryeministri Edi Rama që paralajmëroi nga Shkupi samitin dhe vizitën e Zelensky në Tiranë. 

Shqipëria ka treguar mbështetjen e vazhdueshme për Ukrainën dhe integritetin territorial të saj. Shqipëria dhe SHBA ishin bashkëpenëmbajtëse të çështjes së Ukrainës në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Ndërkohë, Zelensky me një dekret të Posaçëm nderoi Edi Ramën me “Urdhrin e Princit Jaroslav i Urti, shkalla e parë”, për mbështetjen pa kufi që Shqipëria ka treguar ndaj Ukrainës.

Një ditë më pas, 29 shkurt, kryeqyteti do të presë liderët e Ballkanit Perendimor, ku fokusi do të jetë rrugëtimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt BE, si edhe zbatimi i Planit të Rritjes Ekonomike, i cili synon të zgjerojë përfitimet e Tregut Unik të Bashkimit Evropian në rajon përpara anëtarësimit formal, me synim kontributin pozitiv në rritjen ekonomike dhe përshpejtimin e konvergjencës socio-ekonomike me BE-në.

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç ka konfirmuar pjesëmarrjen e tij në këtë samit. Kosova gjithashtu po përgatitet, por nuk ka ende një konfirmim zyrtar nga ana e kryeministrit Albin Kurti për udhëtimin drejt Tiranës. Për herë të parë në këtë samit, Maqedonia e Veriut do të përfaqësohet nga një kryeministër shqiptar, Talat Xhaferri.