Samit në Tiranë për Ukrainën, vjen dhe Zelensky! Rama nga Shkupi: Darka me Kurtin e Vuçiç shumë pozitive

Tirane- Tirana do të jetë dhe mikpritëse e një samiti për Ukrainën ku pritet të jetë i pranishëm dhe presidenti i Ukrainës. E deklaroi kryeministri Edi Rama në konferencën për median me gazetarët shqiptarë të cilët kishin shkuar në Shkup për të ndjekur zhvillimet e samitit të liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësuesve të lartë të administratës amerikane e të BE-së në Shkup, për Planin e Ri të rritjes ekonomike.

Besoj është e rëndësishme të them sot këtu me ju është se po përgatisim një samit në Tiranë për Ukrainën dhe do të kemi të pranishëm Presidentin Zelenskyy, ndërkohë që paralelisht me të do përpiqemi që në atë hark kohor të kemi edhe takimin tjetër të liderëve të rajonit me përfaqësuesit e sotëm dhe që janë ata që do të ndjekin këtë proces të Komisionit Europian dhe administratës amerikane për të bërë një bilanc të këtij muaji nga sot deri në fund të shkurtit dhe për të vazhduar të punojmë me ritmin e përshpejtuar që diktohet edhe nga proceset që janë sot në Europë, sepse ka zgjedhje të reja dhe parlament të ri dhe në do të kapim datat dhe mundësisht të mbyllim këtë paketë, duke bërë ne punën tonë, brenda afateve që ka kjo administratë që është sot në pushtet"

Rama tha se liderët e vendeve të Ballkanit duhej të kishin bërë më shumë sa i takon integrimit. 
 

“Sot nëse ne do të kishim bërë të gjitha gjërat që duhej të kishim bërë, sot do të ishim gati. Nuk jemi gati se kemi humbur kohë e harxhuar energji duke u marrë me terminologji.  jo po ky proces është tjetër dhe ai tjetër…që janë rezultat i mungesës së vizionit të përbashkët të 6 vendeve... ' deklaroi Rama. 

Rama iu përgjigj dhe interesit të gazetarëve për darkën me Vuçiç e Kurtin mbajtur mbrëmë.  

 

 Pyetje:  Mbrëmë keni pasur një takim informal. Nuk ju kemi parë juve së bashku me zotin Kurti dhe zotin Vuçiç bashkë që nga sulmi i Banjskës. U bënë shumë kohë. A kishit mundësi që të gjitha ato deklarata që keni mbajtur, qëndrime ndaj zotit Kurti apo një takim me zotin Kurti për shkak se e keni  folur edhe ju prej kohësh, e thatë prapë në Lezhë që në Shkup mund të takohemi e mund të bisedojmë?

Edi Rama: "Mos hyni në trajtimin e këtyre marrëdhënieve si marrëdhënie të natyrës personale. Këtu nuk ka asgjë personale dhe në fakt, është hera e parë që unë jam në një darkë së bashku me të dy, me Albinin dhe me presidentin Vuçiç dhe nuk më rezulton se ndodhi ndonjë gjë tjetër, përveçse u bë një komunikim pozitiv mes të gjithëve. Ashtu sikundër, ajo që më rezulton është që ky format dhe këto kërkesa që ka sot Bashkimi Europian nga të gjithë ne për të na dhënë mundësinë që ne të marrim shumë më tepër mbrapsht në aspektin ekonomik dhe në aspektin financiar, flasin vetë për atë që më ka rënë goja gjithë këto vite, që ne duhet të integrohemi brenda për brenda rajonit që të jemi gati kur të duhet të bëjmë një hap më tej në Bashkimin Europian dhe sot, nëse ne do të kishim bërë të gjitha gjërat që mund të kishim në kuadrin e Procesit të Berlinit dhe duke shfrytëzuar dhe mekanizmin e  Ballkanit të Hapur si një mekanizëm pune për të vënë në jetë ato direktiva të Procesit të Berlinit, sot do të ishim gati, por nuk jemi gati sepse kemi humbur kohë dhe kemi harxhuar shumë energji, duke u marrë me terminologji, duke u marrë me “Jo, po ky procesi është tjetër, ai procesi është tjetër”, e të tjerë gjëra, që në fakt janë rezultat i mungesës së vizionit strategjik të përbashkët të të gjithë anëtarëve të një komuniteti prej 6 vendesh dhe mungesa e dëshirës për të ndarë çështjet e brendshme me këtë çështje të madhe që është sa e brendshme aq edhe e përbashkët sepse Bashkimi Europian na e ka bërë shumë të qartë që nëse nuk jemi bashkë, atëherë kush do të bëhet shkak do të penalizohet. Do të penalizojë vetveten sepse nuk do të përfitojë dot.

Në këtë aspekt, unë besoj që kjo që ka ndodhur këto 24 orë shumë pozitive, qoftë darka e mbrëmshme dhe qoftë dhe dita e sotme, kjo duhet t’i thotë diçka të gjithë atyre që në vend se të merren me përmbajtjen kur bëjnë komente, kur bëjnë kritika, kur bëjnë analiza, kur bëjnë gjyqe publike, qoftë si individë në rrjete sociale, qoftë si zëdhënës të publikut nëpër klube mediatike, të kuptojnë se e vërteta është që asgjë e keqe nuk ndodh nga të takuarit dhe nga të folurit dhe në fund të ditës, paqja dhe bashkëpunimi është në interes të të gjithëve, ndërkohë që konflikti dhe ndasia është vetëm në interes të politikanëve për një kohë të shkurtër, jo për një kohë shumë të gjatë.

Vendet e Ballkanit Perëndimor u bashkuan sot (22 janar 2024) në Shkup për bashkëpunim rajonal dhe ekonomik. Në këtë takim si nikoqir ishte kryeministri i Maqedonisë, Dimitar Kovaçevski, ndërsa mysafir ishin kryeministri i Kosovës Albin Kurti, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, kryeministri i Malit Zi, Milojko Spajiç, drejtori i përgjithshëm për fqinjësi dhe zgjerim, Gert Jan Koopman dhe Xhejms Obrajan si zv.ndihmës sekretar i SHBAve për Europ dhe Euro Azi.

Takimi i kushtohej planit për rritje për Ballkanin Perëndimor e i miratuar nga Komisioni Europian. Qëllimi ishte të ndërmerren aksione konkrete për rritje të bashkëpunimit rajonal mes shteteve të Ballkanit Perëndimor ndërsa nga Komisioni Europian për këtë janë ndarë gjithsej 6 miliard euro, prej të cilave 2 miliard grante dhe 4 miliard si kredite.

Pyetje: Nga paketa 6 miliardë euro që është për periudhën 2024 -2027, 2 miliardë janë për grante dhe 4 miliard janë për kredi. Për çfarë projektesh do të synojë Shqipëria dhe pse?

Kryeministri Edi Rama: Është shumë herët për të folur për këtë. Unë besoj që e rëndësishme ne të bëjmë këtë pjesë dhe nga ana tjetër po kaq e rëndësishme është të kuptohet që pjesa më e rëndësishme e këtij procesi nuk janë këto miliardat, janë shumë patjetër të rëndësishme për ne, por është integrimi në tregun e brendshëm europian. Për shembull me integrimin në tregun e brendshëm europian vetëm nga ndryshimi i regjimit të transaksioneve financiare që bëjnë qytetarët - sepse ju e keni parasysh sa shumë bashkëqytetarët tanët janë jashtë dhe bëjnë transaksione financiare, çojnë para për familjet e tyre, çojnë para për sipërmarrjet e tyre të vogla etj, etj. - Vetëm nga kjo në këtë proces, parashikohet që qytetarët shqiptarë mund të kursejnë mbi 20 milion euro në vit, vetëm nga këto. Kështu që, janë shumë e shumë gjëra të tjera që do t’i ndihmojnë shumë ekonominë, do t’i ndihmojnë shumë bizneset. Për të mos folur për miliona të tjera që bizneset e këtij rajoni shpenzojnë ndërkohë që janë jashtë konkurrencës me të tjerët pasi të tjerët për të njëjtat gjëra nuk ka nevojë të bëjnë shpenzime të tyre sepse shfrytëzojnë mekanizmat që janë brenda tregut Bashkimit Europian dhe brenda vetë Bashkimit Europian, brenda vetë Komisionit Europian.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:20
Takimi me Ndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit në Shkup, Rama: Marrëdhëniet me SHBA-të janë më të afërta dhe më produktive se kurrë

1705861753_ediramajamesobrien.PNG

I pyetur për takimin me Ndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit, James O’Brien në Shkup, kryeministri Edi Rama tha se pati diskutime për Shqipërinë dhe për rolin e saj në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Ai shtoi se marrëdhëniet me SHBA-të nuk kanë qenë kurrë në nivel më të afërt dhe më produktive sesa në periudhën aktuale.

“Kemi folur për të dyja, edhe për Shqipërinë edhe për rajonin natyrisht, sepse për të dyja mund të flisnim dhe flasim gjithmonë dhe besoj që marrëdhëniet tona me Shtetet e Bashkuara nuk kanë qenë ndonjëherë më të mira, nuk kanë qenë ndonjëherë më të afërta, nuk kanë qenë ndonjëherë më produktive, ashtu si kundër besoj që dhe roli ynë në rajon nuk ka qenë ndonjëherë më i qartë sesa pikërisht në këtë moment kur është dhënë një tjetër shembull që të gjithë duhet të jenë në tryezë, të gjithë duhet të punojnë bashkë. Nuk është e nevojshme, do të ishte e dëshirueshme. Por nuk është e nevojshme që kur të ulesh në një tryezë me një grup njerëzish, mos të kesh asnjë problem me asnjërin, mund të kesh shumë gjëra me të cilat nuk je dakord dhe për të cilat përpiqesh dhe bën betejën tënde në instancat dhe hapësirat e duhura, por kur flitet për një gjë kaq të mirë, kaq pozitive, kaq shumë të nevojshme për të gjithë popujt tanë, për të gjitha vendet tona, atëherë tryeza është i vetmi vend ku trajtohen çështje që lidhen me rritjen ekonomike, që lidhen me rritjen e mirëqenies, që lidhen me përshpejtimin e të gjithë fazave që na bashkojnë përfundimisht me Bashkimin Europian”- u shpreh Rama mes të tjerash.

Ora 14:10
Plani ekonomik i BE, Rama: Duhet integrim brenda për brenda rajonit, kemi humbur kohë!

 

Pas samitit në Shkup, kryeministri Edi Rama në një konferencë për gazetarët shqiptarë komentoi takimin, ndërsa tha se plani ekonomik i BE është një format i duhur pasi fillimisht vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të integrohem brenda për brenda vetes. Rama tha se kanë humbur kohë për këtë proces dhe janë shumë mbrapa, pasi nuk kanë bërë gjitha angazhimet në kuadër të Procesit të Berlinit e Ballkanit të Hapur.

Rama tha se BE e ka bërë të qartë se nëse nuk janë bashkë vendet e Ballkanit Perëndimor, ai që do pengojë këtë proces do penalizohet.

“Ky format këto kërkesa që ka sot BE, nga të gjithë ne, për të na dhënë mundësinë që të marrim shumë më tepër mbrapsht në aspektin ekonomik, flasin vetë për atë që më ka rënë goja. Duhet të integrohemi brenda për brenda rajonit që të jemi gati kur të duhet të bëjmë një hap më tej në BE. Nëse do i kishim bërë gjitha gjërat që mund të kishim bërë në kuadër të procesit të Berlinit, apo Ballkanin e hapur sot do ishim gati. Nuk jemi gati se kemi humbur kohë, kemi harxhuar energji duke u marrë me terminologji, jo po ky procesi është tjetër, ai tjetër. Gjëra që në fakt janë rezultat i mungesës së vizionit strategjik të përbashkët dhe mungesa e dëshirës për të ndarë çështjet e brendshme me këtë çështje të madhe. BE e ka bërë të qartë se nëse ne nuk jemi bashkë, kush do bëhet shkak do penalizojë veten se nuk do përfitojë dot”, tha Rama.

S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Të shtëna me armë zjarri në Durrës, nuk raportohet për të lënduar! Shkak sherri mes dy personave në lokal, dyshohet se u përdor 'Shotgun'

Të shtëna me armë zjarri në Durrës, nuk raportohet për të lënduar! Shkak sherri mes dy personave në lokal, dyshohet se u përdor 'Shotgun'