RUBIK - Situata e rëndë në shkolla përvijon ngjarje të rënda që mund t'u kushtojë jetën nxënësve. Rasti i radhës ka ndodhur dje në shkollën 9-vjeçare të qytetit të Rubikut, kur një nxënëse 14-vjeçare A.Prenga, është sjellë me urgjencë në spitalin e Rrëshenit, pasi kishte humbur ndjenjat nga një goditje në kokë brenda klasës ku zhvillohej mësimi.

Autor i goditjes në kokë të vajzës, ka qenë një shoku i klasës, por që prindër të irrituar këmbëngulin, se ai nuk duhet të ishte në atë klasë për shkak të moshës madhore në raport me nxënësit e tjerë, të kësaj klase, por edhe për shka të sjelljeve problematike gjatë zhvillimit të mësimit.

Ndërkohë kanë njoftuar se do të protestojnë. Bëhet fjalë për nxënësin B.Legisi, për të cilin thuhet se edhe pak ditë më parë ka tentuar të ndezë zjarrin në mes të klasës, edhe pse kjo klasë i përket klasës së 9-të, pra jo më shumë se 15 vjeçare. Me të ndodhur ngjarja, vajza është transportuar në urgjencën e spitalit Rrëshen, ku edhe ka marrë ndihmë mjekësore.

Burime pranë spitalit konfirmojnë, se vajza ka pasur të vjella të forta dhe humbje të ekuilibrit nga goditja e marrë në kokë, ndërkohë që po mbahet në observacion për ndonjë reagim të mundshëm të organizmit. Mësohet, se vajza e dëmtuar është nxënësja me e mirë e shkollës, me rezultate shumë të larta në mësime, ndërsa agresori i saj në mes të klasës njihet si nxënës problematik, por që ka vijuar i pa trazuar nga drejtoria e shkollës.

Shkrimi u publikua sot në gazetën Shqiptarja.com(print), 22 shkurt 2013
(ad.ti/shqiptarja.com)