Rubrika “Në Librari” përgatitur nga gazetarja Anila Dedaj vjen këtë fundjavë me katër tituj të rinj.
Autor: Liridon Mulaj
Shtëpia Botuese: “Onufri”
Çmimi: 1000 lekë
Titulli: “Provinca”
“Provinca” e tij, në grackën e një fati të përbashkët të periferisë shqiptare, drejt shpopullimit e mungesës së zhvillimit e ngacmon shkrimtarin Liridon Mulaj për të shkruar, një roman jo autobiografik, por ‘fiction’, duke marrë elementë nga mjegullnaja që ka përfshirë vendin e tij të lindjes. E shkruan romanin përgjatë dy viteve, ndonëse reflektimi siç thotë është i gjatë, e vjen si një lloj elegjie për provincat a qytezat shqiptare, ku mes dramave, ndodh “të thyejnë qafën” ëndrrat e fëmijëve. Siç ngjau me personazhin e tij Vilmondin, të riun që ëndërronte të bëhej poet në një habitat të vrazhdë.
"Dhe ku më mirë se sa në provincën ku kam lindur mund t'i merrja këto spunto. Shkoja dhe vija dhe shikoja një lloj degradimi, që sa herë e vizitoja shtohej e shtohej. Ndërkohë ata njerëz më më ngjanin si të ngecur në një kurth, në një kënd të botës nga i cili nuk dilnin dot. Kjo stepje, kjo lloj plogështie që kishte atje më bëri të shkruaj një roman që e titullova "Provinca", sepse në provincë , pavarësisht hapësirës gjeografike të vogël, zhvillohen ngjarje shumë të mëdha", thotë shkrimtari Liridon Mulaj.
Autor: Raimonda Belli Gjençaj
Shtëpia Botuese: “Dituria”
Çmimi: 1000 lekë
Titulli: “Koha në mes”
Ngjarje e personazhe që krijojnë sfonde historike shqiptare, të shtrira në mbi dy shekuj. Shkrimtarja Raimonda Gjençaj vjen me një rrëfim të mprehtë në romanin “Koha në mes”. Nga ‘Koha e gjyshërve’ tek ‘Koha e saj’, historia rrjedh në mënyrë kronologjike me personazhe, histori dramatike që vendosin në qendër jetën e një familje të pasur, që pas marrjes së pushtetit nga regjimi komunist konsiderohet e deklasuar. Një libër që autorja e sheh, edhe si një mënyrë, që shoqëria të kërkojë falje, për ato që ndodhën gjatë diktaturës.
"Romani trajton historinë e një familje me 6 breza duke filluar nga fundi i viteve 1800 dhe pastaj vjen deri në vitin 2013. Sigurisht që romani ka një sfond të ngjeshur historik, por me ngjarje kulmore, që unë i kam gjykuar që ia vlenin ti përmendja në roman, sepse natyrisht që jeta e një populli dhe një vendi ka dhe shumë ngjarje të tjera, por unë kam zgjedhur ato që përcaktonin ndonjëherë edhe fatet e personazheve, historinë e tyre, vazhdimësinë, dramat ose tragjeditë që shkonin deri në zgrip po nuk ndodhnin...“Koha në mes” është ajo që zë pjesën kryesore dhe nuk është ai fraksioni i kohës kur njeriu merr ato vendimet e vogla por është ai fraksioni i gjatë kohor, janë 50 vite që ne jetuam midis mbarimit të Luftës së Dytë Botërore dhe ndryshimit të regjimit. Kjo është koha që ka ngrënë më shumë kohën e romanit , ku zhvillohet edhe jeta e personazheve. Dy njerëz, dy intelektual të spikatur për kulturën por që kanë ardhur nga kjo familja që gjithmonë secilit i është dashur të caktoj limitet e saj dhe me këtë frymë ata edukojnë edhe familjet e tyre", thotë autorja.
Autor: Grup Autorësh
Botim i Ministrisë së Kulturës dhe IKTK
Titulli: “Monumentet” & Revista Arkeologjike
Numri 61 i revistës “Monumentet” vjen si tregues i vazhdimësisë së një tradite të nisur prej fillimviteve ’70. Me emrat më të mirë të fushës, si Pirro Thomo, Gjerak Karaiskaj e të tjerë studiues, preken disa momente kyçe të restaurimit si ai i Kullës C në Kalanë e Durrësit, konservimi e studimi, por edhe plane rregullues përmes zërave si arkitekti Armando Vokshi.
Po ashtu Ministria e Kulturës, pas kërkesave të vazhdueshme, boton numrin e parë të Revistës Arkeologjike. Një grup studiuesish me autorë si Mariglen Meshini, Agron Islami deri tek Eduart Shehi, sjellin studime e analiza që vënë në dukje veprimtarinë arkeologjike në fushën e arkeologjisë parandaluese, qoftë nga subjektet publike ashtu edhe nga profesionistë të licensuar.
"Ky numër i revistës "Monumentet" në ndryshim edhe me numrat e tjerë lidhet edhe me vetë faktin që ka ndodhur pas tërmetit të vitit 2019, ku disa nga tematikat e trajtuara ë këtë revistë prekin pikërisht këtë temë dhe ndërhyrjet që kanë të bëjnë me disa monumente të caktuara në këtë revistë janë si rrjedhojë e dëmtimeve që ka lënë tërmeti i vitit 2019. Tematikat janë të ndryshme, kryesisht thelbi është konservim dhe restaurim. Si vazhdueshmëri e një procesi që do të jetë gjithnjë e më shumë duke u intensifikuar duke marrë parasysh dhe vazhdueshmërinë e punës sonë të përditshme por edhe kompleksitetin që përditshmëria na sjell në çdo aspekt të fushës mbi gjini të ndryshme, ura, kala, rrënoja arkeologjike, banesa popullore etj. Ndërsa risia është tek Revista Arkeologjike, këtu paraqitet edhe aktivitetti i Institutit të Trashëgimisë Kulturore gjatë vitit dhe Drejtorisë së Shërbimit Arkeologjik, por edhe Drejtorisë së Shërbimit Arkeologjik dhe institucioneve të tjera, falë bashkëpunimit mes specialistëve. është edhe një pasqyrim i gjithë punëve shkencore, sepse misioni i Institutit, apo Ministrisë së Kulturës nuk është thjesht ai i monitorimit , por edhe i botimeve të të gjitha proceseve të çdo muaji që bazohen mbi një kalendar të mirëpërcaktuar nga rrethanat përditshmëritë por edhe nga emergjencat ", thotë drejtori i Institutit të Trashëgimisë Kulturore Eugen Kallfani.