Rubrika ‘Në librari’/ ‘Një takim’ shqip me esetë mahnitëse të Kunderës! Botimi që zgjon kujtimin për atdhetarin Riza Drini e ‘Butrinti’ në një qasje të re, si shpirt i kombit

Rubrika “Në Librari” vjen këtë fundjavë me tri tituj të rinj

Titulli: “Një takim”
Autor: Milan Kundera
Shtëpia Botuese: “Dituria”
Çmimi: 1000 lekë

Saverina Pasho dhe Mirela Kumbaro sjellin në shqip përmbledhjen me ese të Milan Kunderas “Një takim”. Me aftësi të jashtëzakonshme narrative, shkrimtari, prej emrave më të rëndësishëm të letërsisë bashkëkohore, kthehet në retrospektivë, duke i shpalosur lexuesit dashuritë e tij të kahershme, në letërsi, kinematografi a muzikë. Ai ndan kujtime për romancierët,  bën analiza të romaneve, duke vlerësuar edhe autorë të polemizuar, si Malaparte dhe romanin “Lëkura”, të cilin e konsideron si një libër të përsosur, apo më tej Celine.  Me nota biografike, letrare, lexime, lajme e kujtime, merr nxitjen më tej nga të tjerë vepra të Rabelais, Markez, Dostojevski, një pikturë e Bacon apo muzikë e Janacek, duke iu kundërvënë harresës, e rivlerësuar artin cilësor. Një libër me ese, që shërben edhe si referencë për lexuesin a shkrimtarin që kërkon të zbulojë, ndikimet artistike, miqësitë e kujtime personale të autorit.

Titulli: “Një jetë për Shqiptarinë”
Autorë: Genc Drini & Ardian Muhaj
Shtëpia Botuese: “Ars & Academics”
Çmimi: 1200 lekë

Intelektual, atdhetar, nacionalist, mik e bashkëpunëtor i figurave si Mid’hat Frashri apo Fan Noli,  jeta e Riza Drinit vjen përmes botimit “Një jetë për Shqiptarinë”. Nga krijimi i shkollave shqipe në vitet ’20, rikthimi në atdhe e detyrat e larta, tek përfshirja në politikën e Ballit e kontributi për lirinë e vendit, libri nxjerr patriotin nga harresa,  duke sjellë në vëmendje gjithçka ndodhi me të gjatë regjimit komunist, kur u persekutua e iu konfiskua pasuria.

Titulli: “Butrinti – Aty ku errësohet dhe ndriçohet historia e vërtetë e Epirit ”
Autorë: Sazan Guri & Stefan Pinguli
Botim i Akademisë “Rrënjët tona”
Çmimi
: 10000 lekë

Fakte, figura, opinione dhe teori Sazan Guri dhe Stefan Pinguli, sjellin botimin “Butrinti” duke synuar të hedhin dritë mbi historinë e vërtetë të Shqipërisë.  Botimi tenton të sqarojë ndër të tjera, ku errësohet e ku ndriçohet historia e vërtetë e Epirit, edhe nga vetë elementët e Fondacionit Butrinti që sot administron Parkun Kombëtar. Sazan Guri, e konsideron Butrintin, si pjesë të shpirtit të kombit të tij, e ky botim pasqyron, ndër të tjera bazuar në referenca, aspekte historike, arkeologjike, krahasimore, siç thotë ai për të ruajtur kujtesën e një populli.

SI.E./LR/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë