Rubrika “Në Librari” vjen këtë fundjavë me tri tituj të rinj.
Titulli: “Dita e kukuvajkës”
Autore: Leonardo Sciascia
Shtëpia Botuese: “Dituria”
Çmimi: 1000 lekë
I konsideruar si romani më i famshëm i italianit Leonardo Sciascia, një prej shkrimtarëve më të rëndësishëm të gjysmës së dytë të shekullit XX-të, “Dita e Kukuvajkës”, vjen në shqip me përkthimin skurpuloz të Edon Qesarit. Gjithçka nis me vrasjen e një sipërmarrësi në Siçili në vitin 1947, bazuar në një ngjarje reale të kronikës së zezë. Për herë të parë shkrimtari denoncon duke trajtuar përmes letërsisë fenomenin e mafies.
"Janë së paku dy planet e rëndësishme të këtij libri. Ka një plan që ju e përmendët. Është një roman i verdh, një roman policor, i cili e bën leximin e tij gati të dëfryeshëm. Shpeshherë lexuesi ndjen se përfshihet në rolin e atij që është kryepersonazhi dhe që është hetuesi i një krimi. Nga ana tjetër ka një plan që e bën lexuesin të mendueshëm, pra e shtyn drejt një reflektimi. Është një libër politik, është një libër që për herë të parë përmend publikisht një nocion që deri në atë kohë nuk përmendej, ose deri në atë kohë konsiderohej një fyerje për italianët nëse përmendej. Nocioni i mafjes dhe jo vetëm kaq, nocioni i ngërthimit, i gërshetimit midis mafjes dhe qeverisjes. Midis jetës kriminele dhe një jete politike të caktuar. Të dyja këto dimensione, të dyja këto lexime, pra një dëfrim nga njëra anë në zbulim të një krimi dhe nga ana tjetër një thellim për atë që është krimi kur gërshetohet, përzihet me politikën, dhe kjo e bën me siguri një kryevepër të letërsisë bashkëkohore", shprehet përkthyes Edon Qesari.
Titulli: “100-vjetori i themelimit të Muzeut Kombëtar, 1922-2022”
Autorë: Elsa Saka & Dorian Koçi
Botim i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave
Çmimi: 800 lekë
Për një shekull Muze Kombëtar, studiuesit Elsa Saka dhe Dorian Koçi sjellin të faktuar historikun e tij. Në këtë botim, pjesë e kolanës “Përmbledhje dokumentesh” të Drejtorisë së Arkivave autorët pasqyrojnë përpjekjen për themelimin e tij në 1922-shin, intelektualët e autoritetet që kontribuuan dhe projektet që e shoqëruan prej zanafillës, kur At Shtjefën Gjeçovi, shprehu nevojën për një ndërtesë të hijshme që të kishte emrin “Muze Kombëtar”. Si u grumbulluan artefaktet e Muzeut, dhe si pretendohet të pasurohet më tej ky aset historik, botimi “100-vjetori i Muzeut Kombëtar”, u vjen në ndihmë studiuesve e dashamirësve të trashëgimisë.
"Ky botim '100-vjetori i themelimit të Muzeut Historik Kombëtar është bazuar në të gjitha dokumentet që ndodhen në Arkivin Shtetëror duke iu referuar dokumenteve të kohës. Është një temë që nuk është lëvruar shumë dhe është i pari që nis me një vendim të Kongresit të Lushnjës, ku qeveria e asaj mori vendiminin për krijimin e MHK, duke mundësuar ndërtimin e saj përmes një ndërtese njëkatëshe në rrugën "Avdi Bej Toptani", duke u vendosur nën drejtimin eMinistrisë së Arsimit. Sa i përket mbledhjes së objekteve muzeale, kontribuan jo vetëm institucionet e rëndësishme të kohës, por dokumentet tregojnë se dhe pse Shqipëria ndodhej në kushte të vështira social-politike dhe ekonomike, kjo nuk pengoi që kontribuuesit më të mëdhenj në pasurimin e Muzeut të ishin shqiptarët, patriotët e mëdhenj, që dolën dhe jashtë mundësive për transportin e objekteve muzeale për të pasuruar Muzeun tonë Kombëtar. Objekte këto që u transportuan nga qytete të ndryshme drejt Tiranës, me karroca apo mjete të tjera rrethanore", shprehet bashkautorja Elsa Saka.
Titulli: “Fletoret e mbrëmjes”
Autor: Agim Pipa
Shtëpia Botuese: “Lena”
Si sfinksi i gjërave të thjeshta, apo njohës i të jashtëzakonshmes në jetën e të zakonshmëve, udhëtar që shkel trojet shqiptare, besimplotë si murgu në Manastir se do të gjejë atdheun në gjuhë a doke, gazetari Agim Pipa, sjell me “fletoret e Mbrëmjes” të kuruar lirizmin në poezi. Besnik i leximit, e sqimatar i të shkruarit siç bën Konica në “Lutjen e shkrimtarit”, autori përkujdeset që vargjet e tij t’i përçojnë lexuesit më të mirën e humanizmit, dijes, gjendjeve shpirtërore e eksperiencave jetësore. Ndonëse e lëvron poezinë që në moshë të kahershme, vargjet e moderatorit, nuk botohen për ndikime dekadente në komunizëm. Por, ai nuk resht së shkruari. Në Konkursin e Poezisë Mesdhetare, dy vite më parë, diplomohet si poet i vlerave universale, që ‘ngrënë krye’ edhe në “Fletoret e mbrëmjes”…
'Ky titull vjen pasi se çdo ditë nis mëngjesin, kur unë hap dritaren dhe mbush dhomën me oksigjen, dhe mbyllet me mbrëmjen në të cilën njeriu mediton shumë. Mediton të gjitha ngjarjet e ditës, hapat, gjurmët, jo vetëm të vetes, por dhe të miqve që e rrethojnë. Por, gjithashtu dhe të botës që i rrethon. Poezia për mua është një tempull që i falem çdo ditë. Lirshëm shpirti, zemra, metaforat që bëjnë poezinë dhe gjithçka ka lidhje me lirinë, paqen, dashurinë, por dhe me punën që bëjmë, si koleg në "ReportTv". Është e vërtëtë që leximi ka ndikuar shumë fort edhe në shkrimin e poezisë. Kjo që nga fëmijëria kur lexoja Naim Frashërin, Ndre Mjedën, Migjenin e Fatos Arapin, e më pas Hygoin, Balzakun e të tjerë korifenj të letërsisë e poezisë sidomos Louis Aragon, Zhak Prever, Paul Eluard. Poezia është një univers i madh që duhet t'i falesh çdo ditë", thotë autori Agim Pipa.