Ruçi-delegacionit gjerman: Çelim
negociatat me BE në fillim të 2018

Ruçi-delegacionit gjerman: Çelim<br />negociatat me BE në fillim të 2018<br>
Sot kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, ka zhvilluar takim me delegacion nga Bundestagu gjerman, të kryesuar nga Jörn Ëunderlich, anëtar i Bundestagut.

Në këtë takim, Kryetari i Kuvendit vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Gjermanisë, duke shprehur mirënjohjen e thellë për mbështetjen e shtetit gjerman për Shqipërinë në fushën e shtetit të së drejtës, çështjeve sociale, punësimin e të rinjve, trajnimin profesional, forcimin e administratës publike, si dhe në luftën kundër korrupsionit.

Në vijim biseda u përqendrua tek çështjet e bashkëpunimit parlamentar. Kryetari i Kuvendit përmendi disa nga arritjet në kuadër të veprimtarisë parlamentare, konkretisht për implementimin e Reformës në Drejtësi, ngritjen e Komisionit Ad Hoc për Reformën Zgjedhore, si dhe miratimin e ligjit për pakicat kombëtare. Ruçi vuri në dukje se “këto hapa thelbësorë, në përmbushje edhe të rekomandimeve për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, janë miratuar me konsensusin e forcave politike parlamentare”. Në këtë kontekst, Kryetari i Kuvendit u shpreh se “institucionet shqiptare janë duke hedhur të gjitha hapat e nevojshme për plotësimin e rekomandimeve me qëllim që në fillim të vitit 2018-të, të kemi hapjen e negociatave”, duke shprehur besimin për mbështetjen e Gjermanisë në këtë drejtim.

Gjatë bashkëbisedimit, Kryetari i Kuvendit, Ruçi dhe Jörn Ëunderlich ndanë mendime të përbashkëta lidhur me bashkëpunimin shumë të mirë dhe aktiv ndërparlamentar midis vendeve tona, ku Grupet e Miqësisë kanë luajtur dhe do të vijojnë të kenë një rol të posaçëm. Dy bashkëbiseduesit po ashtu ndanë mendime vlerësuese për rolin e Shqipërisë si faktor stabiliteti në rajon, duke vënë në dukje faktin se, procesi i integrimit i ka dhënë vendeve të Ballkanit Perëndimor një shtysë për një komunikim më vizionar, të drejtpërdrejtë dhe investime të përbashkëta në nivel rajonal.

Nga ana e tij, Jörn Ëunderlich shprehu urimet për zgjedhjen e Ruçi si Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë. Pasi nënvizoi rëndësinë që kanë për Shqipërinë zbatimi i rekomandimeve për anëtarësimin e vendit në BE, Ëunderlich u shpreh optimist për sinjalet pozitive që japin arritjet e parashtruara nga Ruçi në drejtim të hapjes së negociatave, duke vënë në dukje mbështetjen e Gjermanisë në këtë drejtim.

Në vijim të takimit, Ëunderlich e informoi Kryetarin e Kuvendit lidhur me një projekt rajonal të bursave parlamentare për të rinjtë dhe rëndësinë e shtrirjes së tij në disa vende të rajonit. Dy bashkëbiseduesit theksuan rëndësinë e njohjes dhe angazhimit të të rinjve në procesin e integrimit europian, përmes edukimit të vlerave demokratike, institucionale europiane.


Redaksia Online
Xh.F Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit