Burime për Shqiptarja.com bëjnë me dije se në mbledhjen e sotme të grupit parlamentar socialist, kreu i këtij grupi, Gramoz Ruçi u ka kërkuar deputetëve që t’i përmbahen rendit të ditës.
“Opozita ka axhendën e saj, ne kemi tonën. Duhet të bëjmë kujdes që ditën e enjte, sidomos gjatë seancës, ne t’i përmbahemi rendit të ditës. Opozita është para protestës dhe do të tentojë ta kanalizojë diskutimin sipas interesit të saj në funksion të ditës së shtunë, ndaj ju kërkoj të mos bini preh e provokimeve. Gjatë diskutimeve mos replikoni dhe debatoni për gjëra që nuk lidhen me rendin e ditës”- mësohet të ketë thënë Gramoz Ruçi.
PD ka njoftuar se në 18 shkurt do të nisë një valë të madhe proteste, të cilën, sipas ligjërimit publik paraprak, nuk do ta ndalë deri në largimin e qeverisë.
Opozita nuk i ka bërë ende me dije detajet e këtij grumbullimi kombëtar, por ka thënë se mos garantimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme dhe dështimi ekonomik janë arsyet kryesore të kësaj proteste që mendohet se do të jetë nisja e një sërë të tillash, përpara zgjedhjeve të 18 qershorit.
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com