Ruçi: Ndërtojmë 'diga mbrojtëse' nga pandemitë! Shqipëria do dalë vendi më i sigurt në planet, politika për 'thithjen' e investitorëve

Kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi tha se mjekët janë heronj ndaj të cilëve falenderimet e sinqerta nuk duhet të jenë vetëm me fjalë, por me vepra mbështetëse ndaj tyre. Kreu i Kuvendit i bëri thirrje deputetëve të nisin punën nëpër komisionet parlamentare për nisma konkrete në mbështetje të sistemit të shëndetësisë.

"Shqipëria është një vend i vogël dhe jemi aq modest sa të mos i japim mend njerëzimit dhe as t’u imponohemi fuqive dhe ekonomive të mëdha të globit. Por disa mësime nga pandemia, me të cilën jemi ende në luftë, për vete duhet t’i nxjerrim.

Ja cilat janë disa prej tyre:

E para, jetën dhe shëndetin duhet t’i përkushtohemi më shumë dhe të mos i marrim si të mirëqena. Jeta na është dhënë për ta gëzuar dhe saj duhet t’i shërbejmë me veprimin e qytetarëve dhe investimin e shoqërisë. Prandaj shëndetësia duhet të përbëjë më shumë se deri tani, një prioritet të qeverisjes dhe investimit tonë politik e kombëtar.

E dyta, shoqëria, forcat politike, Kuvendi, Qeveria e institucionet duhet të korrigjojmë disa prioritete të zhvillimit, mënyrën sesi e konceptojmë dhe e zhvillojmë raportin midis rritjes ekonomike dhe shëndetit. Politikat tona duhet ta bëjnë të qartë se shëndeti i popullsisë është qëllimi madhor i rritjes ekonomike dhe jo një ushqyes dhe në shërbim të saj. Të zhvillojmë ekonominë për të garantuar shëndetin e qytetarëve dhe jo të vemë shëndetin në funksion të rritjes.

E treta, brenda sistemit shëndetësor, duhet të korrigjojmë disa prioritete. Shëndeti publik dhe mbrojtja nga epidemitë duhet të mbështeten me më shumë  burime, kujdes dhe investime shtetërore. Shëndeti publik duhet të jetë përparësi absolute dhe jo një aneks i politikave tona shëndetësore. Sa më shumë të investojmë në shëndetin publik, aq më pak do të na kërkohet të investojmë për shërbimet e tjera mjekësore e spitalore. Fuqizimi i shëndetit publik e atij parësor dhe parandalimi i epidemive duhet të jenë elemente thelbësorë të racionalizimit të sistemit shëndetësor dhe atij spitalor. Kjo kërkon ndërgjëgjësimim më të madh të publikut e qytetarëve, mobilizimin e burimeve më të mëdha financiare dhe parapërgatitje efikase kundër epidemive.

E katërta, kjo situatë duhet të na udhëheqë drejt ripërcaktimit të statusit të mjekëve, infermierëve e profesionistëve të shëndetit. Si të gjithë ju, edhe unë kam përjetuar me emocione atë që pa frikë mund ta quaj heroizëm të punonjësve të mjekësisë dhe jam ndier i detyruar e borxhlli për atë që duhej të kishim bërë për ta. Ne e kemi për detyrë që vlerësimi ynë për për forcën e punës në mjekësi të mos mbetet në kufijtë e një faleminderit, sado e sinqertë qoftë ajo, por të konkretizohet në më shumë investime për shëndetësinë dhe më shumë incentiva financiare për ta.

E pesta, kjo situatë ka shtruar emergjencën e përmirësimit të edukatës shëndetësore, epidemiologjike e parandaluese të popullsisë. Kundër epidemisë, secili duhet të bëhet mjek i vetvetes. Por detyra jonë është të krijojmë kushtet dhe hartojmë programet shkollorë që çdo qytetar të bëhet i tillë. Ashtu si shtruam nevojën e edukimit anti-sizmik pas tërmetit të 26 nëntorit.

E gjashta, situatën pas kësaj pandemie globale mund ta shndërrojmë në një oportunitet kombëtar. Shanset janë që të dalim nga kjo pandemi si një ndër vendet e sigurta  të planetit. Kjo mund të sjellë një qasje të re të vendeve të zhvilluara për të investuar në Shqipëri dhe ne duhet të mendojmë për politika agresive për tërheqjen e këtyre investimeve.

Këto mendime si edhe propozimet tuaja ju ftoj të bëhen objekt reflektimi i punës së komisioneve dhe të “përkthehen” në akte ligjore apo përmirësime të tyre. Në këtë mënyrë do të ndërtojmë disa “diga mbrojtëse” të shëndetit të popullatës nga epidemitë e rreziqet e natyrave të ndryshme. tha Ruçi.


Lajmi kryesor:

Seancë historike! Deputetët me maska, në rresht e ulur në lozha, qeveri-opozitë votojnë masat mbi COVID, vetëm Hajdari kundër ndryshimit të Kodit Penal


G.M./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja