Ruçi: Kemi lënë pas problemet me Greqinë. Presidenti i OSBE: Shqipëria shumë afër BE

Ruçi: Kemi lënë pas problemet me Greqinë. Presidenti i OSBE: Shqipëria shumë afër BE

Takimi i Gramoz Ruçit ne Kryesine e Kuvendit

Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi zhvilloi një takim me Presidentin e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së George Tsereteli, dhe Sekretarin e Përgjithshëm Roberto Montella, të shoqëruar nga Kryetari i Prezencës në Tiranë, ambasadori Bernd Borchardt. Kryetari Ruçi informoi bashkëbiseduesit mbi punën që po bëhet për përmirësimin e procesit zgjedhor, në zbatim të rekomandimeve të ODIHR-it.

Ndryshe nga herët e tjera, komisioni i reformës zgjedhore ka filluar punë në fillim, jo në fund të legjislaturës, për t’u dalë përpara sfidave të zgjedhjeve të ardhshme lokale dhe parlamentare. Reforma zgjedhore është në proces dhe komisioni i reformës po punon në gjashtë shtylla kryesore, të cilat kanë të bëjnë me: përdorimin e teknologjive të reja në procesin e votimit; votimin e emigrantëve; shmangien e praktikave të shitblerjes së votës; regjistrin e votuesve dhe regjistrin civil; mospërdorimin e administratës në procesin zgjedhor; si edhe çështje që kanë të bëjnë me rekomandimet kryesore të OSBE-ODIHR-it, si roli i medias në fushatë dhe financimi i partive politike.

Në lidhje me trajtimin e minoriteteve, ligji "Për mbrojtjen e pakicave kombëtare në Republikën e Shqipërisë" është miratuar nga Parlamenti në tetor 2017, pas një konsultimi të gjerë publik dhe hyri në fuqi në nëntor 2017. Aktet nënligjore janë duke u hartuar në bashkëpunimin edhe me Komisionerin e Lartë për Minoritet Etnike dhe do të miratohen së shpejti.

Gramoz Ruçi

Kryetari Ruçi vuri në dukje edhe rolin konstruktiv të Shqipërisë për sigurinë dhe stabilitetin rajonal dhe marrëdhëniet e mira me fqinjët, tolerancën dhe bashkekzistencën fetare, si vlera të spikatura për të cilat vendi ynë shërben si një model në rajon e më gjerë.

Ne kemi lënë pas problemet e trashëguara me Greqinë dhe po ecim drejt zgjidhjeve përfundimtare për të gjitha këto probleme. Marrëdhënie shumë të mira kemi edhe me Maqedoninë dhe vendet e tjera të rajonit.

Shqipëria dhe shumë shtete anëtare të OSBE kanë kërkuar që Kosova të jetë pjesëmarrëse në diskutimet që zhvillohen në forumet e Organizatës për Kosovën. Shqipëria nxit dialogun Serbi-Kosovë dhe vetë ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm për dialogun me Serbinë. Vizita e Kryeministrit Rama në Serbi ka ndikuar mjaft pozitivisht në përparimin e marrëdhënieve midis të dy vendeve.

Shqipëria ofron kontributin e saj në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, duke ndërmarrë hapa konkret për parandalimin e shkaqeve të radikalizmit, përfshirjen e kurrikulave për tolerancën fetare në tekstet shkollore, forcimin e rolit të shkollës si kontribues të kohezionit shoqëror, si edhe përgatitjet për të ngritur Qendrën Rajonale Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm.

Gramoz Ruçi

Ruçi vlerësoi edhe bashkëpunimin shumë të mirë të Kuvendit me Asamblenë Parlamentare të OSBE-së si edhe rolin konstruktiv të Shqipërisë në këtë Organizatë. Presidenti Tsereteli vlerësoi përparimet që janë bërë në Shqipëri vitet e fundit. Konstatoj mjaft zhvillime pozitive, nënvizoi ai.

Ka një dinamizëm ekonomik, njerëzit kanë shpresë dhe optimizëm. Shqipëria ndodhet shumë afër Bashkimit EVropian. Gjithashtu, Shqipëria është një anëtar shumë aktiv i OSBE-së, edhe pse është një vend i vogël. Është vështirë të dallohesh midis 57 shteteve anëtare, por Shqipëria dallohet për kontributin e saj të spikatur në kuadër të veprimtarisë së Organizatës. Vlerësojmë kontributin e Shqipërisë, si nëpërmjet delegacionit parlamentar, ashtu edhe nëpërmjet rolit në misionet vëzhguesve të Organizatës. Në vlerësojmë arritjet e deritanishme dhe do të vazhdojmë të mbështesim Shqipërinë në zbatimin e reformës në drejtësi, të reformës zgjedhore, luftën kundër korrupsionit, krimit dhe trafikut të drogës. Në përballimin e këtyre sfidave do të kini vazhdimisht mbështetjen e OSBE-së. Asambleja Parlamentare e OSBE-së është forumi më i madh dhe unik për zhvillimin e dialogut politik dhe ne i jemi mirënjohës Shqipërisë për kontributin në këtë aspekt. Ne vlerësojmë gjithashtu kontributin e Shqipërisë në përballimin e sfidave të luftës kundër terrorizmit dhe migracionit të paligjshëm në rajon e më gjerë.

George Tsereteli

 

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

‘Bilanci’ politik i 2024, Valteri: Berisha ka monopolizuar PD! Kulluri: Ndiqet nga militantët! Hoxha: Viti i SPAK

‘Bilanci’ politik i 2024, Valteri: Berisha ka monopolizuar PD! Kulluri: Ndiqet nga militantët! Hoxha: Viti i SPAK