TIRANË- Kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi i ka dërguar një letër presidentit Ilir Meta, ku i kërkon që të propozojë një emër për kreun e Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Në letër, Ruçi i ka kujtuar kreut të shtetit se Kuvendi ka muaj që po pret një emër për kreun e KLSH-së, duke theksuar se duhet të respektohen afatet. 

"Siç jeni në dijeni, kjo vakancë është krijuar në datë 15 dhjetor 2018 me përfundimin e mandatit të Kryetarit të KLSH, Bujar Leskaj, emëruar nga Kuvendi i Shqipërisë. (...) Duke qenë se prej korrikut të 2019, kuvendi i Shqipërisë nuk ka marrë nga Presidenti i Republikës asnjë propozim për pozicionin e Kryetarit të KLSH, do t'ju lutesha z. president të dërgonit sa më parë që të jetë e mundur propozimin tuaj për Kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit", shkruhet në letër.

Pas letrës ka reaguar Presidenti përmes zëdhënësit të tij Tedi Blushi. "Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta ka marrë një letër pak ditë më parë nga Kryetari i Kuvendit, z.Gramoz Ruçi për çështjen e KLSH.

Presidenti Meta e ka respektuar me përgjegjshmëri maksimale detyrimin kushtetues duke propozuar tre kandidatura mjaft dinjitoze dhe të kualifikuara për të garantuar pavarësinë e KLSH. Presidenti Meta si gjithmonë do të përmbushë detyrimet e Tij kushtetuese për të garantuar pavarësinë e institucioneve".

Në krye të KLSH-së aktualisht është Bujar Leskaj. Atij i ka mbaruar mandati, por u rikthye sërish në detyrë me një procedurë e cila është cilësuar e paligjshme nga disa aktorë politikë.

Letra e Kuvendit drejtuar Presidencës