Bujar Leskaj rikthehet në krye të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Një lëvizje surprizë, kjo që mesa duket do të trazojë sërish ujërat e politikës, në një kohë që Bujar Leskaj, u largua nga pozicioni i kryetarit të KLSH, edhe pse ligji ja lejonte të qëndronte deri në ardhjen e zëvendësuesit të tij.

Në muajin dhjetor, pas përfundimit të mandatit 7-vjeçar Bujar Leskaj u largua nga ky pozicion, duke ja deleguar kompetencat zëvendës kryetares Lindita Lati (Milo). Por sot me një tjetër vendim, të nxjerrë po nga vetë Bujar Leskaj, ai shfuqizon vendimin për dhënien e kompetencave tek zëvendëskryetarja dhe rikonfirmon rikthimin e tij në detyrë, ndërkohë që prej fundit të vitit të shkuar, Presidenti dhe Kuvendi nuk kanë gjetur dakordësinë për një kandidaturë për tu zgjedhur në këtë post.

Në argumentet e largimit, në vendimin e 22 dhjetorit të 2018, Leskaj theksonte “Vendimi do përcillet në fletoren zyrtare, pasi Kryetari i KLSH-së të kontaktojë dhe të marrë mirëkuptimin e Presidentin të Republikës, Kryetarit të Kuvendit, kryetarëve të grupeve Parlamentare e të opozitës dhe Kryetarit të Komisionit të Ekonomisë dhe Financave”. Pak ditë më vonë, ky vendim u pasqyrua në Fletoren Zyrtare, që mesa duket ka marrë pëlqimin e palëve të sipërcituara e hyri në fuqi.

Por nga ana tjetër, në muajin Janar, në një letër të dërguar nga Presidenti i Republikës drejt KLSH-së, Presidenti Meta i kërkonte Leskajt që të qëndronte në detyrë deri në zgjedhjen e pasuesit.

“Nëse Kontrolli i Lartë i Shtetit do të përfaqësohej nga një funksionar tjetër dhe jo nga kryetari i tij, kjo do ta zhvishte atë nga mbrojtja  kushtetuese dhe ligjore që ka ky institucion dhe në këtë mënyrë do të cenohej integriteti dhe pavarësia e tij. Në këto kushte, mbështetur sa më sipër, Presidenti i Republikës, shpreh vullnetin e tij, se Ju duhet të angazhoheni për të qëndruar dhe ushtruar detyrën e Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, deri në zgjedhjen e kryetarit të ri”- thuhet në letrën e Presidentit dërguar KLSH-së.

Por edhe pas kësaj letre dhe kërkese nga ana e Presidentit, Bujar Leskaj nuk u rikthye në pozicionin e kryetarit të KLSH. Pesë muaj më pas, kur ende nuk ka një emër të ri për këtë pozicion, Bujar Leskaj me një vendim surprizë vendos rikthimin në krye të KLSH-së. Në vendimin e rikthimit, Leskaj thekson ndër të tjera se kjo lëvizje vjen në kushtet kur ka zgjatje në kohë të nominimit dhe përzgjedhjes së kryetarit të ri të KLSH-së dhe zëvendëskryetarja kërkon të heqë dorë nga kompetencat e deleguara. 

Nga ana tjetër, Presidenti ka propozuar dy herë kandidatura për zëvendësimin e Bujar Leskajt, port ë dyja kandidaturat janë rrëzuar nga ana e mazhorancë. E para ka qenë kandidatura e gjyqtares kushtetuese Vitore Tusha, edhe anëtare e KED-së, e cila u rrëzua nga mazhoranca me argumentin se nuk kishte ekspertizë në fushën e financave  dhe do të ishte një goditje që u bëhej institucioneve të reja të drejtësisë. Si kandidaturë të dytë, Presidenti Meta propozoi këshilltarin e tij, ish-kreun e SHISH, Bahri Shaqirin. Por edhe kandidatura e dytë nuk i plotësonte kriteret sipas mazhorancës, ndaj dhe vijon ende të ketë një ngërç mes palëve dhe asnjë kandidaturë, edhe pse lista e personave që kanë shfaqur interes ka qenë e gjatë.