Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, priti të Ngarkuarin me Punë të Kosovës, Syl Ukshini, me rastin e përfundimit të mandatit të tij në Shqipëri.
Ruçi e falënderoi për kontributin e tij në zgjerimin e bashkëpunimit vëllazëror midis Shqipërisë dhe Kosovës dhe i uroi suksese në vazhdimin e karrirerës së tij diplomatike.
“Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në të gjitha aspektet, në konsolidimin e demokracisë, fuqizimin e pozitës së saj në rajon dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare si edhe anëtarësimin në nismat dhe organizatat rajonale e ndërkombëtare. Bashkëpunimi ynë me institucionet e reja të Kosvës do të vazhdojë të rritet e zgjerohet në të gjitha aspektet. Në trajtimin e sfidave që kanë përpara, këto institucione duhet të mbajnë parasysh rekomandimet e ShBA-së dhe partnerëve ndërkombëtarë të Kosovës.”, theksoi Kryetari Ruçi.
I Ngarkuari me Punë i Republikës së Kosovës, z. Syl Ukshini, falenderoi Kryetarin Ruçi për mbështetjen e Kuvendit të Shqipërisë për përmbushjen me sukses të misionit të tij në Shqipëri dhe shprehu besimin se kjo mbështetje do të vazhdojë.
Kryetari Ruçi dhe i Ngarkuari me Punë i Kosovës Ukshini biseduan edhe mbi aspekte të tjera të bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Kosovës si edhe mbi zhvillimet në rajon.