Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, i ka dërguar një letër urimi z. Andreas Norlén, Kryetar i Riksdag të Suedisë, në të cilën i përcjell urimet për Festën Kombëtare. Në letrën e tij Ruçi e konsideron Suedinë një vend me kontribut të spikatur për zhvillimin dhe paqen dhe një partner e vend mik të Shqipërisë, e cila përkrah hapjen e negociatave me BE.
“Me rastin e Festës Kombëtare të Mbretërisë së Suedisë, përvjetorit të themelimit të Suedisë moderne, në emër të Kuvendit të Shqipërisë dhe në emrin tim personal, ju dërgoj përshëndetjet dhe urimet më të përzemërta. Themelimi i Suedisë moderne është një ngjarje e madhe historike për kombin, emancipimin politik e shoqëror të Suedisë si edhe mirëqenien e popullit suedez.
Suedia është sot një vend i zhvilluar dhe i përparuar, anëtare e Bashkimit Europian, dhe kontribuese e spikatur në përpjekjet e kombeve për zhvillim, konsolidimin e demokracisë, mirëqenie, stabilitet, siguri dhe paqe. Republika e Shqipërisë dhe Mbretëria e Suedisë kanë marrëdhënie shumë të mira dhe unë shpresoj që bashkëpunimi midis dy vendeve tona të njohë zhvillime të reja në të ardhmen. Përfitoj nga ky rast për të shprehur mirënjohjen e Kuvendit të Shqipërisë dhe timen personale për mbështetjen e Suedisë ndaj procesit të integrimit europian të Shqipërisë, veçanërisht në vendimin e Këshillit Europian për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe mbështetjen për mbajtjen sa më shpejt të Tryezës së Parë Ndërqeveritare”, shkruan Ruçi.
Dita e Pavarësisë në Suedi festohet çdo 6 qershor. Kjo festë kombëtare quhet edhe Dita e Flamurit Suedez dhe ka një histori të gjatë dhe dy arsye për datën. Data bazohet në kurorëzimin e mbretit të parë suedez gati pesë shekuj më parë dhe miratimin e kushtetutës së vendit në 1809.