Ai më pas sqaroi se gjatë takimeve të tij me homologun e PD, Astrit Patozi, nuk ka pasur një dialog mbi kandidaturat për president por një paraqitje të qëndrimeve. Ndërsa pretendimeve të mazhorancës se kandidatura e Xhezair Zaganjorit është konsensuale, ai iu përgjigj duke theksuar se “marrëveshje bëhet me kundërshtarin, jo me veten, me aleatin”. “Ne e kemi paraqitur pikëpamjen tonë: Shqipërisë i duhet një kandidat konsensual i dakortësuar nga të gjitha pikëpamjet politike”, tha Ruçi.
Ruçi refuzoi të komentojë kandidaturën e juristit Xhezair Zaganjori pasi “nuk është kandidati zyrtar” deri në momentin që “nuk ka një paraqitje kushtetuese” të tij. Por a ka opozita emra mbi të cilët të dialogojë me mazhorancnë? “Absolutisht po”, tha Ruçi.
DERA PER METEN MBETET HAPUR
Kreu i grupit parlamentar të PS hodhi poshtë mundësinë e një mocioni mosbesimi ndaj mazhorancës së djathtë. “Nuk më janë krijuar kushtet dhe mundësitë që të bëja mocion mosbesimi ndaj Sali Berishës. Se të kisha kushtet, do të kisha bërë mocion javë për javë”.
Dhe duke qëndruar te numrat e mazhorancës, ai tha se me katër deputetët e tij “Meta ka paketën kontrolluese”. “LSI dhe PS s’janë një, janë dy”, ndonëse “secili në teatrin politik bën lojën e saj”, tha Ruçi. Ai pohoi se në lidhje me presidentin, “Meta ka qenë konstant duke deklaruar se duhet një konsensus. Ka qenë më i hapur”. Sipas Ruçit, kreu i LSI “ishte më afër qëndrimit tonë politik. Pamë që atë që kishte deklaruar Brukseli, atë kishte deklaruar LSI dhe PS”, tha deputeti socialist.
I pyetur nëse marrëdhëniet me Metën mund të përmirësoheshin nëse ai largohet nga qeveria e Kryeministrit Berisha, ai iu përgjigj duke theksuar se “nëse ka lëvizje, sigurisht do vijmë prapë në studio të tilla”, duke mos i mbyllur kështu derën një marrëveshjeje me LSI-në në të ardhmen.
NANO DHE KOSTO POLITIKE
Në lidhje me kandidaturën e Fatos Nanos, Ruçi la të kuptohet se personalisht nuk kishte asgjë kundër, ndërsa përmendi bashkëpunimin shumëvjeçar me ish-kryeministrin socialist. “Pozicioni që unë kam – shtoi ai – dhe filozofia e PS që kërkon një konsensus, nuk përjashton asnjë emër që mund të jetë objekt i diskutimit”.
I pyetur se kush do ta merrte përsipër koston politike që mund të ketë një refuzim i kandidaturës së Nanos, Ruçi tha: “Në negociata uroj që zori Berisha të më bëjë pikërisht këtë pyetje që më bëni ju mua”.
Më pas ai deklaroi se “vetëm në këtë vend ndodh që të zgjedhësh kreun e shtetit dhe të mos bësh konsulta me shoqërinë civile”.
Por a ka opozita emra mbi të cilët të dialogojë me mazhorancnë? “Absolutisht po”, tha Ruçi.
KANDIDAT QE NUK KAP SHTETIN
Ruçi nënvizoi se opozita dëshiron një “kandidat që nuk kap shtetin”. Si kusht kryesor – përsëriti deputeti socialist – ajo ka “pavarësinë e munguar, të pushtuar, nga pushteti i sotëm”. “Çfarë garancie kam unë nga ky pushtet”, pyeti Ruçi, ndërsa risolli në memorien publike faktin që mes anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, “një nga emrat që ka kapërcyer afatin kushtetues është edhe zoti Zaganjori”.
(im/shqiptarja.com)