Një sfidë që qarkullon në TikTok ka përfunduar në tragjedi në Rumani, ku dy adoleshentë, 18 dhe 19 vjeç, humbën jetën pasi fikën dritat e makinës gjatë lëvizjes me shpejtwsi për të realizuar një video.
Sipas mediave rumune, tre të rinjtë kishin dalë për shëtitje dhe vendosën të provonin sfidën që kishin parë në TikTok, me synimin për të marrë sa më shumë shikime. Gjatë udhëtimit natën, shoferi fiku dritat e makinës për pak sekonda. Pasi i ndezi sërish, shtoi shpejtësinë, por në një kthesë humbi kontrollin e automjetit, i cili doli nga rruga dhe u përplas me një pemë.
I vetmi i mbijetuar, që ndodhej në sediljen e pasme, tha se gjithçka ndodhi brenda pak çastesh.
“Fiku dritat për rreth dy sekonda, pastaj i ndezi sërish dhe përshpejtoi. Ishim shumë pranë kthesës dhe aty humbi kontrollin”, tregoi ai.
18-vjeçari që drejtonte makinën u dërgua në spital, por nuk arriti t’u mbijetonte plagëve. Ndërsa 19-vjeçari që ndodhej në vendin e pasagjerit humbi jetën në vendngjarje.
Policia në Rumani ka nisur hetimet për të zbardhur të gjitha rrethanat e aksidentit. Sipas dëshmive të banorëve, në atë segment rrugor shpesh lëvizet me shpejtësi të lartë, ndërsa një dëshmitar pretendoi se makina po ecte me rreth 120 km/h para përplasjes.











Komente
Komento